Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.

Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.

Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kësaj bisede, z. Chollet u njoftua nga Kryeministri që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, kemi shënuar njëvjetorin e agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Lexo po ashtu:  E FUNDIT/ Miçigan: Të gjitha votat do të numërohen brenda 24 orëve të ardhshme

Të hënën, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, fillimisht do të ketë takime bilaterale me liderët ndaras, e pastaj takim të përbashkët.

Në BE thonë se nuk presin që ky takim të jetë për krizat, por për marrëveshje.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, deklaroi se pret që Kosova dhe Serbia të pranojnë planin e zbatimit të propozimin evropian për normalizimin e raporteve gjatë rundit të ri të dialogut që do të zhvillohet më 27 shkurt në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 23 shkurt se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit. Sipas tij, aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar propozimin evropian si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *