Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur dyshime se ish-kandidati për kryetar të Komunës së Leposaviqit, Aleksandar Jabllanoviq, ka bojkotuar zgjedhjet për shkak të presionit të madh ose ofertës shumë luksoze.

Ai ka hedhur dyshime se Jabllanoviqi ka marrë një milion euro dhe dy banesa në Beograd për t’i bojkotuar zgjedhjet. Në një videoadresim për serbët në Kosovë, Kurti ka komentuar largimin e Jabllanoviqit nga zgjedhjet, dy ditë para organizimit të tyre.

“Mendova të paktën që Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai u largua nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Ndoshta nuk është e vërtetë, por gjithsesi duhet të ketë pasur një presion shumë të madhe ose një ofertë shumë luksoze, që e detyroi Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë. Përfaqësuesit e Listës Serbe, e edhe Jabllanoviqi, kanë thënë çdo gjë për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranojë si kryetarë të ardhshëm komunash. Tashmë kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një kryetar i ri”, ka vazhduar Kurti.

Lexo po ashtu:  Çajkovski mbi depresionin: Jeta është e bukur… mes gjembave çelin edhe trëndafila!

Ai ka thënë se i vjen keq që është dashur të mbahen zgjedhjet me pjesëmarrje të ulët në to. Ka thënë se ka pasur premtime nga ndërkombëtarët që nëse pranohet Aneksi i Ohrit, do të sigurohej pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje.

“Për zgjedhje të reja, duhet sundim i ligjit në radhë të parë”

Kryeministri Albin Kurti në videoadresimin për serbët në Kosovë ka thënë se para organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në veri, duhet të ketë sundim të ligjit.
Pas largimit të frikës dhe kriminelëve, ai ka thënë se do të zvogëlohej gradualisht numri i policëve nëpër objekte komunale.

Në të njëjtën kohë, Kurti ka thënë se duhet të ketë vazhdim të dialogut e respektim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

“Për këtë kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë të hapur, të lirë, parazgjedhore në katër komunat në veri. Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, nuk ka zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Kjo është arsyeja pse në radhë të parë nevojitet sundimi i ligjit, pra një mjedis ku nuk ka frikë dhe kriminelë. Këtë duam ne dhe duhet ta vendosim këtë së bashku. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund të zvogëlojmë numrin e policëve nëpër ndërtesa komunale. Nga ana tjetër, ne kemi nevojë për takime në Bruksel për zbatim urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes bazë dhe Aneksit të Ohrit. Tash e kam të qartë se presidenti i Serbisë i ka thënë po marrëveshjes, në mënyrë që të mos e nënshkruante dhe tash ankohet dhe pendohet se tha po, dhe që e pranoi atë marrëveshjes, që do të thotë njohje de-facto e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Lexo po ashtu:  William Walker skeptik për marrëveshjen e Washintonit: Ekonomia nuk do të zgjidhë çështje politike të Serbisë dhe Kosovës

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *