Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar për rolin e Rusisë në nxitjen e tensioneve në veri të Kosovës, teksa Beogradi ndërmori hapin e parë në dislokimin e trupave në rajon.

Kështu shkruan mediumi prestigjioz britanik “The Guardian”, sipas të cilit, serbët etnikë në veri të Kosovës, ku janë shumicë, kanë ngritur barrikada dhe ato vazhdojnë të jenë aty për më shumë se një javë, duke penguar lëvizjen e lirë të autoriteteve kosovare, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për “çmontimin” e tyre.

Siç vë në pah mediumi në fjalë një grup i madh anëtarësh të “Narodne Patrole”, një organizatë nacionaliste serbe me lidhje me grupin paraushtarak rus Wagner, ishin mbledhur gjithashtu të dielën në anën serbe të kufirit Serbi-Kosovë duke kërcënuar se do të përballeshin me trupat e NATO-s.

Ky medium kujton gjithashtu edhe faktin se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar NATO-s leje për të dërguar 1000 policë dhe personel të ushtrisë, duke përmendur nevojën për të mbrojtur komunitetet serbe në veri të Kosovës.

Lexo po ashtu:  Kryeministri Kurti: Përjetësia e pavdekësia e dëshmorit nga bronzi që shihet publikisht duhet të ngritet edhe në tekste që lexohen universalisht

Kërkesa e Serbisë të premten, e para që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, pothuajse me siguri do të refuzohet, por shqetësimi do të jetë se mund të jetë hapi i parë drejt një vendimi të njëanshëm, thekson The Guardian.

Dhe lidhur me këto zhvillime, mediumi britanik citon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ishte i shqetësuar se situata e tensionuar mund të përshkallëzohej “në avantazh të Vladimir Putinit”.

“Udhëheqësi kosovar shtoi se ai kishte rënë dakord që t’u jepte kohë trupave të udhëhequra nga NATO, të njohura si KFOR, për t’i bindur ata që ishin në barrikada të tërhiqeshin, por se ato nuk mund të lejoheshin të qëndronin më gjatë”, shkruan më tej The Guardian.

“Ai (Albin Kurti) i përshkroi barrikadat si një hap drejt ndarjes së vendit”.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave mund të rezultojë me viktima. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, citon mediumi britanik, kryeministrin Kurti.

Lexo po ashtu:  Reagon BE: Në 6 dhjetor të garantohet siguria, por edhe e drejta e qytetarëve

Kurti shtoi: “BE-SHBA të gjitha pajtohen që barrikadat duhet të hiqen. Por ata janë gjithashtu të shqetësuar se si kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi”.

“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”.

“Unë mendoj se shqetësimi i tyre kryesor është pikërisht ky: tani që Rusia ka probleme në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit të saj, ata kanë interes për ‘përhapje’. Ata kanë interes të transferojnë përpjekjet e tyre luftënxitëse në Ballkan, ku kanë një klient që është në Beograd”.

The Guardian më tej kujton se përplasja në veri të Kosovës, gjatë së cilës persona të armatosur të maskuar kanë përdorur kamionë, autoambulanca dhe makina bujqësore për të bllokuar rrugët, ishte nxitur nga arrestimi i një ish-oficeri policie serb, i dyshuar si i përfshirë në sulmet e fundit ndaj policisë së Kosovës.

Lexo po ashtu:  Konfirmohet/ Gjermania mbështetë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Në pjesën e fundit, The Guardian vë në pah faktin se BE-ja ka kërkuar të ndërmjetësojë një marrëveshje që mund të shohë normalizimin e marrëdhënieve, por Kurti tha se lidhjet gjithnjë e më të thelluara midis Beogradit dhe Moskës ishin një pengesë për përparim.

Një propozim franko-gjerman kishte sugjeruar që në këmbim që Beogradi të mos pengonte pranimin e Kosovës në OKB si një vend anëtar, Serbia do të merrte mbështetjen financiare të BE-së dhe një rrugë të shpejtë për anëtarësimin në bllok.

“Kosova ka nevojë për miratimin e Serbisë për t’u bërë anëtare e OKB-së, sepse aleatët e tyre Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos në këshillin e sigurisë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *