Nga Gregory Zuckerman

“Wall Street Journal”

George Soros, investitori legjendar, filantropi dhe objektivi i përhershëm i krahut të djathtë në SHBA, po ia dorëzon kontrollin e perandorisë së tij 25 miliardë dollarëshe djalit të tij më të vogël, Alexander Soros, një njeri i vetë-përshkruar si një mendimtar i qendrës së majtë, që u rrit me vetëdijen mbi pasurinë e madhe të familjes por që nuk mendohej se mund të ishte pasardhësi i mundshëm.

Në intervistën e parë që nga përzgjedhja e tij, 37-vjeçari thotë se synon të zgjerojë zbatimin e parimeve liberale të babait të tij. “Ne mendojmë njësoj mbi shumë gjëra”- thotë i riu Soros, teksa shton se përqafon disa kauza të ndryshme nga i ati. Ato përfshijnë të drejtat e votës dhe abortit, si dhe barazinë gjinore.

Ai planifikon të vazhdojë të përdorë pasurinë e familjes për të mbështetur politikanët amerikanë me prirje të majta. “Unë jam një njeri më politik se babai”- thotë Alex. Kohët e fundit ai u takua me zyrtarë të administratës Biden, udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer dhe disa krerë shtetesh, përfshirë presidentin e Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva dhe kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau, për të mbrojtur çështjet që lidhen me themelimin e familjes.

Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Soros, të njohura shkurtimisht si OSF, financojnë rreth 1.5 miliardë dollarë në vit grupet që mbështesin të drejtat e njeriut në mbarë botën dhe që ndihmojnë në ndërtimin e demokracive. Por paratë e fondacionit shkojnë gjithashtu për universitetet dhe organizata të tjera arsimore.

Po ashtu fondacioni ka mbështetur fushatat zgjedhore të prokurorëve të qarkut dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit në SHBA që synojnë të ulin normat e burgosjeve dhe paragjykimet racore në sistemin e drejtësisë. Alex thotë se është i shqetësuar për mundësinë e rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke deklaruar se fondacionit do të luajë një rol të rëndësishëm në garën presidenciale të 2024-ës.

Disa analistë dyshuan nëse George Soros, aktualisht 92 vjeç, do të hiqte dorë nga roli i tij sa kohë që është ende gjallë. Madje në një intervistë dhënë disa vite më parë ai tha: “në parim nuk dua që fondacioni të drejtohej nga ndonjë prej fëmijëve të mi. Mendoj se ai duhet të menaxhohet nga dikush që është më i përshtatshmi për këtë post”.

Lexo po ashtu:  Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike: Virusi është kudo! Ju lutemi pëmbajuni rekomandimeve! BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Për vite me radhë, njerëzit e afërt me George besonin se gjysmë-vëllai më i madh i Alex, Jonathan Soros, 52 vjeç, një avokat me përvojë financiare, ishte pasuesi i sigurt i miliarderit të famshëm. I gjatë dhe me një trup atletik, Jonathan luante shpesh tenis me të atin, punoi për një periudhë në fondacion dhe e stabilizoi atë gjatë kohërave të trazuara.

Pastaj ndodhi një përplasje midis të dyve dhe një ndryshim i qasjes. Alex arriti të fitojë besimin e babait të tij, duke qëndruar në krah të tij në udhëtimet që bënte në zyrat e organizatës nëpër botë. “Ai e ka fituar besimin tim”- konfirmoi George. Në dhjetor të vitit të kaluar, bordi i OSF zgjodhi Aleksin si kryetar të tij, duke zëvendësuar zyrtarisht të atin.

Alex Soros është i vetmi anëtar i familjes në komitetin e investimeve që mbikëqyr Menaxhimin e Fondacionit Soros, kompania që mbikëqyr paratë për fondacionin dhe familjen. Deri më tani puna e Alext në organizatën e familjes ka nxjerrë në pah një stil të menaxhimit kolegjial që ndryshon nga ai i babait të tij, thonë kolegët e tij.

Alex kujdeset për detajet që George në përgjithësi i injoronte. Ai mban një bllok të vogël gjatë takimeve, të cilat i mbush me shënime, që më pas ua ndan stafit. “Ai është një drejtues shumë praktik”- thnotë Anthony Romero, drejtor ekzekutiv i Unionit Amerikan për Liritë Civile, që merr financime nga OSF.

Përzgjedhja e Alex, një fans i rrymës hip-hop dhe një tifoz i ekipit New York Jets të futbollit amerikan, dukej dikur e pamundur. Sepse Alex fliste me vështirësi në takime dhe ishte më i njohur për jetën e tij mondane. George Soros e ndërtoi pasurinë e tij në vitet 1970-1980 si një menaxher pionier i fondacioneve financiare.

Ai investoi shumë në tregjet globale të aksioneve, obligacioneve dhe valutës, bazuar në parashikimet e tij për ndryshimet ekonomike dhe politike. Soros investonte vetëm pasi kishte shqyrtuar një rrjet të gjerë informacioni, përfshirë të dhënat e klasifikuara të marra nga një rrjet kontaktesh të ngushta në politikë dhe biznes.

Lexo po ashtu:  Si ndaheshin filozofët nga të dashurat e tyre?

Vetëm basti se vlera e paundit britanik në vitin 1992 do të binte në pikiatë, i garantoi më shumë se 1 miliardë dollarë fitime. Ajo që e dallonte George ishte aftësia e tij për të ndryshuar drejtimin e investimeve thotë Stanley Druckenmiller, ish-shefi i investimeve në kompaninë e tij.

Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, aktiviteti filantropi i Soros u fokusua në mbështetjen e demokracive në ish-bllokun sovjetik dhe gjetkë. Në vitin 2004, ai u sulmua ashpër në SHBA, kur deklaroi se parandalimi i rizgjedhjes së presidentit George W. Bush ishte “fokusi kryesor” i jetës së tij.

Ai e mbështeti fushatën presidenciale të Barack Obamës në vitin 2008, teksa shkaktoi kritika të mëtejshme për mbështetjen e programeve të shkëmbimit të gjilpërave dhe legalizimin e marijuanës për përdorim mjekësor. George, që ka lindur në Hungari, e mbylli degën e fondacionit në këtë vend në vitin 2018 pasi u bë objektiv i sulmeve të kryeministrit Victor Orban.

Që nga ajo kohë kritikuesit janë shtuar. Muajin e kaluar, Elon Musk shkroi në Twitter se George Soros “më kujton Magneto-n”, një personazh i librit komik të Marvel, që ashtu si George, është një i mbijetuar i Holokaustit. Në përgjigje të kritikave për krahasimin, Musk shtoi se George “dëshiron të gërryejë vetë strukturën e qytetërimit tonë”, një deklaratë që nxiti një krtikë ndaj miliarderit nga ana e Lidhjës Anti-Shpifje.

“Kur ata duan të fajësojnë dikë, unë jam njeriu i preferuar”,- ishte kundërpërgjigja e George.

Jonathan është fëmija i tretë nga martesa e parë e George me Annaliese Soros. Ai ka një vëlla dhe një motër. Prindërit e tij u ndanë kur Jonathan ishte 7 vjeç dhe babai i tij u transferua në një apartament shumë pranë shtëpisë së familjes përballë Central Park në Nju Jork.

Ai u rrit i pasur, por George nuk ishte bërë ende një figurë financiare e njohur ndërkombëtarisht. Pas diplomimit në Universitetin Wesleyan në vitin 1992, Jonathan kaloi dy vjet duke punuar në një zyrë të re të fondacionit Soros në Budapest. Ai iu bashkua fondacionit Soros në vitin 2002, pasi u diplomua për drejtësi dhe politika publike në Harvard.

Lexo po ashtu:  Thethi, destinacion i turizmit malor, rruga drejt Alpeve Shqiptare është magjike

Ai u bë drejtues i kmpanisë pasi disa drejtues u larguan ose u zëvendësuan. Jonathan fitoi respekt nga kolegët dhe shihej si trashëgimtari i dukshëm i babait të tij. “Unë prisja që Jonathan të ishte pasardhësi i George”- thotë Aryeh Neier, president i OSF në vitet 1993-2012.

Por dallimet midis tyre e përmbysën planin e trashëgimisë. George është një njeri impulsiv. Ndërsa Jonathan është një natyrë e qetë dhe shumë analitike. Jonathan e respektonte shumë të atin, por u tërhoq nga kompania kur nuk ra dakord me vendimet e babait të tij, sipas njerëzve që punonin me ta.

Sot Jonathan jeton në Manhatan me gruan dhe tre fëmijët e tij. Sipas njerëzve përreth tyre ai dhe Alex sillen në mënyrë miqësore më njëri-tjetrin kur takohen, por nuk kanë një marrëdhënie të ngushtë. Alex, më i madhi nga dy djemtë nga martesa e Goerge me gruan e tij të dytë, Susan Weber, dëshironte të ishte më i afërt me të atin kur rritej në fshatin luksoz Katonah në New York.

Kur ishte i ri, Alex ishte një tip i mbyllur, mbipeshë dhe ndihej i turpëruar nga pasuria e familjes së tij, tregojnë miqtë e fëmijërisë. Në adoleshencë, Alex shoqërohej ndonjëherë nga truproja ndërsa udhëtonte jashtë vendit dhe emri i familjes tërhoqi mbi të një vëmendje të padëshiruar.

Alex u afrua më shumë me babain e tij, pasi nëna e tij bëri kërkesën për divorc në vitin 2004. “Pas divorcit, im atë e mori më seriozisht prindërimin”- kujton Alex, që në atë kohë u doktorua për histori në Universitetin e Kalifornisë.

Ata kalonin orë të tëra së bashku duke diskutuar idetë dhe politikën globale. Alex nuk drejton si babai i tij. Ai ndihet shumë në siklet në mjedise të mëdha publike, thonë kolegët e tij. Dhe ai ka si pengesë mungesën relative të përvojës në skenën botërore. Por emërimi i tij mund të ndihmojë organizatën. “Gjithsesi Alex nuk ka gjasa të jetë ai që George Soros ishte për të djathtën”- thotë Romero.

Marrë me shkurtime

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *