Gjykata e Lartë në Podgoricë, e ka dënuar sot me 14 vjet burg malazezin që vrau tre anëtarë të familjes Haziri në fshatin Zhegër të Gjilanit. Ky krim kishte ndodhur gjatë kohës së luftës në Kosovë, në mars të vitit 1999. Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare, thonë se Vlado Zmajeviq ishte vullnetar me brigadën e motorizuar 175 të ushtrisë së Jugosllavisë.

Morena Kokollari

Mali i Zi e dënoi sot një nga kriminelët e luftës që u zhvillua në Kosovë. Shtetasi malazez Vlado Zmajevic, u dënua me 14 vjet burg për krime lufte në Kosovë, pasi më 30 mars të vitit 1999 në fshatin Zhegër të Gjilanit, vrau tre anëtarë të familjes Haziri, Milazimin, Qazimin dhe gruan e tij, Qamilen.

Të dhëna për krimet e kryera në atë kohë, por edhe për të dënuarin Vlado Zmajeviq, pati edhe Fondi për të Drejtën Humanitare.

Gazeta Express ka biseduar me drejtorin e Fondit, Bekim Blakaj, i cili ka treguar rreth të dhënave që i posedojnë në bazë të hulumtimeve të kryera në teren.

Lexo po ashtu:  Gjermania ndanë 10 miliard euro shtesë për ekonominë

Në bazë të hulumtimeve në teren Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka ardhur deri tek dëshmitë e dëshmitarëve okularë të cilët kanë rrëfyer mbi krimet e kryera në fshatin Zhegër.

Bekim Blakaj, tregoi për Gazetën Express se “në bazë të këtyre dëshmive është dokumentuar se me datë 29 dhe 30 mars të vitit 1999, përveç të tjerëve, janë vrarë edhe Shyqëri Tahiri (1956), Qamile Haziri (1944), Qazim Haziri (1936), Milazim Idrizi (1934), Miradije Ukshini (1928) dhe Ukshin Ukshini (1928)“.

I vrarë në këtë mes është edhe Ymer Kadriu, i vitit të lindjes 1946, përderisa ishe duke ruajtur bagëtinë në fshatin Dunav, komuna e Gjilanit.

Blakaj, gjithashtu tregoi se nga kishte ardhur Vlado Zmajeviq dhe përfundoi duke kryer krime në Kosovë.

“Sipas të dhënave që FDH Kosovë i posedon, Vllado Zmajeviq është qytetar i Malit të Zi dhe ai ka jetuar në Nikshqi. Ai në fshatin Zhegër, komuna e Gjilanit, ka ardhur në fund të Marsit 1999 si pjesëtar/ vullnetar me brigadën e motorizuar nr. 175 të ushtrisë së Jugosllavisë, ku i ka kryer krimet për të cilët është dënuar sot”, ka thënë drejtori i Fondit.

Lexo po ashtu:  Kancelari gjerman: Jemi të angazhuar për liberalizim të vizave për Kosovën

Pas dyshimeve për krime luftë në Kosovë, policia malazeze arriti ta arrestonte 47-vjeçarin nga Nikshiqi në vitin 2016.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, pretendonte se në vitin 1999, Zmajeviq vrau tre persona me një armë zjarri dhe vrau një femër me një thikë. Në bazë të akuzave të ngritura nga kjo Prokurori, malazezi u dënua sot me 14 vjet burg.

E Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj tha për Express se aktgjykimi i sotëm nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës së Lartë në Podgoricë është për çdo lëvdatë.

“Kjo gjykata ka proceduar me një proces të komplikuar dhe atë e ka përfunduar. Nga ana tjetër, posaçërisht duhet përshëndetur këtë Gjykatë sepse ka proceduar një qytetar të Malit të Zi për krime të kryera në Kosovë, pra ka sjellë drejtësi për viktimat e një shteti tjetër”, ka thënë ai.

Blakaj tha se kjo dëshmon se bashkëpunimi juridik rajonal mund të jetë shumë efikas në sjelljen e drejtësisë për viktima dhe në luftimin e mosndëshkueshmërisë.

Lexo po ashtu:  Njohja nga Putini e vendimit të Gjykatës së OKB për pavarësinë e Kosovës: Çfarë do të thotë dhe si duhet përdorur

Në shpjegimin e aktgjykimit nga kryetari i trupit gjykues, Dragoje Jovovic, deklaroi se dëshmitë e paraqitura padyshim se “vërtetuan se krimet e luftës janë kryer, pasi për ato kanë dëshmuar dëshmitarët, por edhe vetë i akuzuari e ka pranuar në fazën e parë hetimore, por më vonë i ka mohuar ato deklarata”./

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *