Ai vdiq sot (të hënën, më 16 tetor) në orën 6:40 në Helsinki. Ai pati një karrierë të gjatë si ndërmjetës ndërkombëtar i paqes – për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare përfshirë Kosovën, Irakun, Namibinë dhe Indonezinë.

Por kush ishte Martti Ahtisaari?

Martti Ahtisaari, kishte lindur më 23 qershor 1937, ishte një politikan finlandez dhe ndërmjetës i njohur i cili ishte president i Finlandës (1994–2000).

Në vitin 2008 ai u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e tij për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare.

I lindur në Viipuri, Finlandë, Ahtisaari u zhvendos së bashku me pjesën tjetër të familjes së tij kur qyteti iu dorëzua Bashkimit Sovjetik në vitin 1940 pas Luftës Ruso-Finlandeze, shkruan “Britannica”.

Familja e tij u zhvendos fillimisht në Kuopio në Finlandën jug-qendrore dhe më vonë në veriperëndim në Oulu.

Ahtisaari u diplomua në Universitetin e Oulu në vitin 1959 dhe në fillim të viteve 1960 punoi në Pakistan në një projekt arsimor për Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.

Ai u kthye në Finlandë dhe iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme në 1965; tetë vjet më vonë ai u emërua ambasador në Tanzani, një post që e mbajti deri në vitin 1976.

Lexo po ashtu:  Këta janë 58 deputetët e ardhshëm të Lëvizjes Vetëvendosje

Ai ishte gjithashtu i dërguar (1975–76) në Zambia, Somali dhe Mozambik.

Ahtisaari avancoi aftësitë e tij diplomatike si komisioner i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Namibinë (1977–81), një vend i përçarë nga përplasjet e brendshme.

Ai vazhdoi të përfaqësonte Namibinë si i deleguar gjatë viteve 1980 ndërsa shërbente në disa poste të Ministrisë së Jashtme finlandeze dhe drejtoi ekipin e OKB-së që mbikëqyrte shkuarjen e Namibisë drejt pavarësisë (1989–90).

Veç këtyre, Ahtisaari ishte një figurë kyçe në bisedimet e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë (1992–93).

Në vitin 1994 Ahtisaari kandidoi për presidencën finlandeze dhe vizioni i tij për Finlandën si një pjesëmarrës aktiv në çështjet ndërkombëtare e ndihmoi atë të fitonte zgjedhjet.

Ai kërkoi hyrjen e kombit të tij në Bashkimin Evropian (BE) dhe për gjysmën e parë të vitit 1999, Finlanda mori presidencën e radhës të BE-së.

Në vitin 2005 ai u emërua i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe në vitin 2007 Ahtisaari bëri një propozim – të pranuar nga popullata shumicë shqiptare e Kosovës, por të refuzuar nga Serbia – që kërkonte pavarësinë e administruar nga OKB për Kosovën së bashku me vetëqeverisjen për komunat e rajonit të dominuara nga serbët.

Lexo po ashtu:  Mirush Kabashi: - Sot shoqëria shqiptare është e ngërthyer me konfliktualitet, edhe me agresivitet për hir të përfitimeve dhe fshihen pas ideologjive, kjo është thembra e Akilit

Ndër tjerash, në vitet 2007–08 ai ndihmoi në organizimin dhe ndërmjetësimin e bisedimeve në Helsinki midis myslimanëve sunitë dhe shiitë irakianë.

Në vitin 2021 u njoftua se Ahtisaari vuante nga sëmundja e avancuar e Alzheimerit. Përveç çmimit Nobel, Ahtisaari mori edhe çmime të tjera.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *