Analisti Lubonja thotë se ka ende shpresë kur sheh protesta si të djeshmet që kishin si motiv kryesor vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia. Lubonja tha se nuk shqetësohet nga ajo dhunë e protestuesve që pa, pasi sipas tij është simbolike, por thotë se dhuna strukturore duhet të jetë ajo që t’i ngrejë qytetarët në protesta.

“Protestën e pashë si një ngjarje me rëndësi në kuptimin jo thjesht protestë për këtë vrasje por që shqiptarëve iu ka mbetur ende ai shpirti protestues kundër një qeverie që kërkon ta tulasë. Ka shpresë. Lidhur me vetë protestën, parullat e protestës kam dhe vërejtjet e mia. Nuk e kam fjalën për dhunën. Dhuna nuk më shqetësoi, ishte dhunë simbolike, rrëzuan pemë, dogjën pemë.

Është fare mirë për të treguar që nuk është çështje pemësh për të na bërë zbukurime por çështje jete. Ajo që më bëri të mendoj më thellë për protestën ishte një parullë, poshtë komunizmi. Është çik manipulative si parullë. Nuk e shikoj këtë regjim që ushtron dhunë, jo në formën e komunizmit. Se në komunizëm nuk të linin, po të bëje protesta të tilla mbaroje. Në emër të kujt ushtrohet dhuna është çështja. Manipuluese e disa ndjenjave të disa njerëzve. Nuk është ky realiteti i dhunës. Ky nuk është komunizëm, është fashizëm ekonomik. një pakicë oligarkësh, një pjesë që kanë qenë edhe me PD po grabisin Shqipërinë në bashkëpunim me politikën dhe këta kontrollojnë shtetin dhe shteti shtyp çdo lloj lëvizje”, tha Lubonja.

Lexo po ashtu:  Euforia dhe dëshpërimi

Sipas tij, ai polici që vrau 25-vjeçarin është indirekt një shprehje e sigurisë që ka marrë kjo polici që mund të bësh çdo gjë se ky shtet të mbron. “Është fashizëm ekonomik që e prodhon këtë lloj dhune që përsëri nuk krahasohet me dhunën komuniste. Dhuna strukturore që ushtron ky regjim është dhuna ekonomike. Ka tiparet e një regjimi por nuk është komunist. Është ekstremi tjetër i komunizmit por thonë që ekstremet puqen”, u ai.

Lidhur me atë çfarë pritet të ndodhë, deklaratat e kryeministrit Edi Rama apo qëndrimet e tij, Lubonja tha se do ketë një qëndrim politik duke shprehur edhe mundësinë që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj të shkarkohet.

“Rama nuk mund të japë versionin e tij të ngjarjes. Ai do mbajë qëndrimin politik ndaj ngjarjes. E ka bërë dhe këtë ka dhënë versione të tij të ngjarjes, aeroplanët me drogë i quante mushkonja. Me shumë gjasa nga këto të dhëna, më shumë mund të mendojmë që do bëhet kokë turku Sandër Lleshaj, ka shumë gjasa. Do dënohet ky akt, do tregohet që ne nuk jemi si Saliu që vret por mund të na qëllojë që të vrasim ndonjë, por gjithsesi këtu vlen përsëri të diskutohet që vrasjet këtu kanë qenë pika ekstreme që janë politizuar shumë. Rama është ruajtur shumë nga vrasjet për të thënë që nuk jemi si Saliu, ne nuk vrasim. Sandri sajoi gazin lotsjellës, i mbyt me gaz. Besoj se kësaj linje do i qëndrojë. A do fajësojë policin apo do e çojë deri tek Sandër Lleshaj një përgjegjësi politike, këtë ta shikojmë. Duke parë në tërësinë e vetë, dhuna fizike e shtetit policor mbetet potencialisht shumë e rrezikshme, sikur këta njerëz të fillojnë vërtetë të protestojnë për dhunën strukturore”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Një ndihmë e fundit për të Sëmurin e Beogradit

Po Lubonja shpreh bindjen se ‘as që mund të pritet që Rama të ketë ndonjë ndjenjë përgjegjësie për këtë punë’.

“Mund të bëjë këtë operacionin e gjetjes së kokës së turkut. Mendoj që dhuna verbale që ka ushtruar Rama në mënyrë të vazhdueshme kundër çdo kujt që nuk është pjesë e pushtetit dhe partisë së tij nuk është pa lidhje dhe me këtë guxim që ka marrë policia. Politizimi i policisë i vënë në shërbim edhe për vjedhje vote, protesta tek teatri është pjesë e sigurisë që ka policia që nuk preket. Rama dhe policia dhe dhuna verbale e Ramës dhe dhuna policore nuk mund të ndahen. Është dhuna strukturore që ka ngritur, pamundësia për të bërë drejtësi, pamundësia për të shkuar në gjykatë. Boll ai manipulim që kanë bërë me gjithë paraqitjen e ngjarjes është kriminale dhe këtu nuk vepron prokuroria. Këtu e jep verdiktin se çfarë ka bërë polici, SHÇBA nuk e jep prokuroria. Policia është problem në thelbin e vet se është e politizuar. Sandër Lleshaj ka rol në këtë politizim. policia duhet depolitizuar urgjentisht. Drejtësia duhet të jetë më e pavarur. këto të dyja duhet të bëhen për të normalizuar situatën. Rama nuk ka ndërmend ta bëjë”, deklaroi Lubonja.

Lexo po ashtu:  Si e shiti Basha krimin e tij si i ‘viktimizuar’ në stilin serb të rastit ‘Panda’ në Pejë

Për sa i përket protestës së sotme, ai u shpreh se do lidhet dhe me deklaratën e Ramës. “Dhuna është mjet i fundit i bërjes politikë. Kur ti nuk dëgjon, protesta. protesta bëhet dhe me dhunë kur nuk dëgjon, nuk dëgjon, nuk dëgjon. Dhuna pjell dhunë dhe ka problemin e vet. Me intuitë them se ndoshta mund të jetë më e qetë sot”, deklaroi Lubonja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *