Dje Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur procedurat gjyqësore ndaj ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, për t’ia pamundësuar publikimin e librit që ka të bëjë me punën e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ky libër i Boltonit, përmban shumë sekrete.

Siç njofton gazeta prestigjioze The New York Times, në librin e tij të ri, John R. Bolton, përshkruan disa raste kur presidenti kërkoi të ndalojë hetime kriminale. Ai gjithashtu thotë se besnikët e presidentit Donald Trump, talleshin me të pas shpinës.

Boltoni ishte Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të presidentit Trump për 17 muaj me radhë. Në librin e tij, Boltoni përshkruan disa raste ku sipas tij, presidenti Trump shpreh gatishmëri për të ndaluar disa hetime kriminale, siç shkruan ai, “për t’iu dhënë favorizime personale diktatorëve që i pëlqyen”, duke përfshirë emra të firmave të mëdha në Kinë e Turqi. Boltoni thotë se shqetësimet e tij i kishte raportuar te Prokurori i Përgjithshëm, William P. Barr.

Boltoni gjithashtu shkruan për një akuzë, siç tregon ai, lidhur me mënyrën se si Trumpi në mënyrë të hapur flet për negociatat tarifore me Kinën, duke i kërkuar presidentit Xi Jinping të blejë produkte bujqësore amerikane duke ndihmuar kësisoj atë të fitojë vota në zgjedhje tek shtetet që kanë të zhvilluar bujqësinë në SHBA.

Lexo po ashtu:  Gjermania i dhuron Kosovës 6 mijë teste për Covid-19

Libri “The Room Where It Happened” është paraparë që të publikohet më 23 qershor. Por, kundërshtimin e tij Trumpi e ka arsyetuar me pretendimin se çdo bisedë me presidentin është sekrete.

Libri, u sigurua nga The New York Times para botimit të planifikuar për të martën e ardhshme dhe tashmë, siç raporton gazeta prestigjioze, pritet të jetë libri më i shitur ndonjëherë.

Bolton, tutje në libër shkruan se “z.Trump nuk dukej se e dinte, për shembull, se Britania ishte një fuqi bërthamore dhe pyeti nëse Finlanda ishte pjesë e Rusisë”.

“Presidenti kurrë nuk u lodh duke sulmuar liderët aleatë dhe iu afrua shumë tërheqjes së SHBA-së nga NATO”, thotë tutje Boltoni në librin e tij.

E për shumë udhëheqës autoritarë, shkruan Boltoni, tek citon Trumpin të ketë thënë për ta se “këta njerëz duhet të ekzekutohen”.

Boltoni madje shkruan edhe për këshilltarët e lartë të Trumpit.

Tregon se si pas shpinës së Trumpit, “ata talleshin me të”.

Shumë analistë kanë deklaruar se tentimet e Trumpit për bllokimin e librit do të jenë të kota.

Lexo po ashtu:  Escobar në Beograd: Serbët kanë arsye, por barrikadat duhet të hiqen

Në muajin janar, Shtëpia e Bardhë kishte bërë të ditur se libri përmban hollësi shumë sekrete që duhet të hiqen, mirëpo këtë gjë e ka kundërshtuar Boltoni. Ai ka thënë se ka gatishmëri për të dëshmuar, pavarësisht urdhrit të presidentit që ndihmësit e tij të mos bashkëpunojnë me gjyqin.

Trumpi pati shkarkuar Boltonin nga pozita që kishte në shtator të vitit të kaluar, pavarësisht pse për 17 muaj i ka dhënë qasje të pashembullt në planet ditore të Shtëpisë së Bardhë. Shtëpia botuese, Simon and Schuster, e ka përshkruar përmbajtjen si “libër që Donald Trump nuk dëshiron që ju ta lexoni”.

Sipas skriptës së publikuar nga shtëpia botuese, Boltoni e përshkruan administratën Trump si kaotike./Koha/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *