Le Petit Parisien (1920) / Letra e delegacionit shqiptar drejtuar kryeministrit francez

Francë – 26 Nëntor 2017

Gazeta franceze, “Le Petit Parisien”, ka botuar, të hënën e 19 janarit 1920, në faqen n°3, letrën e delegacionit shqiptar drejtuar asokohe kryetarit të qeverisë franceze, Georges Clemenceau, ku bie në sy pakënaqësia ndaj propozimit të copëtimit të territoreve shqiptare nga Fuqitë e Mëdha.

Cilat kanë qenë argumentat e parashtruara nga delegatët shqiptarë lidhur me këtë çështje ? Në vijim, do të gjeni letrën e plotë:

Delegacioni shqiptar, duke kërkuar të dëgjohet nga Këshilli i Lartë, i dërgoi Z. Clemenceau letrën e mëposhtme :

“Sipas disa komunikimeve, Fuqitë Aleate, për të arritur një kompromis mbi mosmarrëveshjen midis italianëve dhe jugosllavëve, do t’u lejojnë atyre zgjerimin e autoritetit mbi Shqipërinë Veriore deri në Drin.

Delegacioni shqiptar beson se e ka për detyrë të shprehë pikëllimin e thellë për vendimet që përputhen me parimin e kombësive ose të drejtën e popujve për vetëvendosje. Një popull i tërë, pas masave të tilla, ndahet dhe përdoret si monedhë shkëmbimi.

Lexo po ashtu:  Ahmet Zogu në 1924: Pse na duhen kishat dhe xhamiat

Shqipëria, e krijuar si shtet i pavarur në vitin 1913, neutral dhe i garantuar, e ka fituar tashmë këtë të drejtë dhe nuk mund të pranojë cënimin e pavarësisë dhe integritetit të saj pa protestuar. Italia nuk ka asnjë të drejtë tjetër legjitime në Vlorë dhe në brendësinë e saj, ashtu si forca e saj joproporcionale kundrejt Shqipërisë së vogël dhe të dobët ; Greqia, ashtu si dhe Jugosllavia nuk kanë asnjë të drejtë mbi pjesët e tjera të territorit shqiptar.

Dhënia e mandatit mbi Shqipërinë, Italisë, apo ndonjë fuqie tjetër, është në kundërshtim me dispozitën e nenit 22 të Traktatit të Versajës. Ndërhyrja e fqinjëve të interesuar në punët shqiptare, do të ndikojë në pavarësinë e saj dhe është e sigurtë se ajo do të shkaktojë trazira në Ballkan.” /Aurenc Bebja/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *