Lea Ypi

Sllogani ‘Shqipëria nuk është në shitje’ zbulon një komb që respekton veten dhe nuk do t’ia shesë shpirtin e tij investimeve

Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!

☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare

“Kështu e gjetëm. Notuam deri te ishulli, bëmë një shëtitje zbathur deri në majë dhe thjesht mbetëm të magjepsur. Dhe përgjatë rrjedhës së shumë viteve, ne zhvilluam mundësinë për të ndihmuar në realizimin e potencialit të tij.”

Nëse gruaja që ndante dëshirën e saj për të përmirësuar një ishull të huaj do të kishte zbritur nga një varkë trafikantësh, ëndrra e saj do të ishte dërrmuar në një nga ato qendra të ndalimit të emigrantëve që qeveria shqiptare ka ndërtuar së fundmi me Italinë. Por varka në fjalë ishte një jaht multimilionë dollarësh, dhe gruaja që po ecte zbathur drejt majës ishte Ivanka Trump. Realizimi i ëndrrës kërkonte thjesht thirrjen e kryeministrit të vendit, Edi Rama, dhe ofrimin vullnetar të bashkëshortit të saj, Jared Kushner, dhe një prej kompanive të tij për të kthyer një zonë të mbrojtur të jetës së egër në pasuri të paluajtshme luksoze.

Qeveria shqiptare këmbëngul se asnjë marrëveshje nuk është finalizuar. Por as nuk e ka fshehur entuziazmin. Kush mund ta fajësojë atë? Pas dekadash tranzicioni nga komunizmi në kapitalizëm dhe negociatash të gjata për anëtarësim në BE, Shqipëria ka humbur më shumë se 1.2 milionë nga qytetarët e saj për shkak të emigrimit. Ajo ka nivele të ulëta të prodhimit, një sektor bujqësor në nevojë të madhe për modernizim dhe një sektor të arsimit të lartë në krizë që nga privatizimi i universiteteve në vitet 1990. Pa kapital industrial, financiar apo njerëzor për të ofruar në tregun global, e vetmja gjë që ka mbetur për t’u shitur është natyra. Edhe turizmi, kohët e fundit në rritje, ka kërkuar një fushatë të bashkërenduar qeveritare për të përmirësuar imazhin e vendit.

Lexo po ashtu:  Gazeta e njohur norvegjeze 'Dagsavisen': Ne që e duam Amerikën

Zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit janë të lehta për t’u kërkuar, por të shtrenjta dhe të vështira për t’u realizuar. Nën globalizimin konkurrues, pasuritë e paluajtshme dhe turizmi luksoz gjenerojnë rritje më shpejt, edhe nëse ato rrisin pabarazinë dhe shterojnë burimet natyrore. Modelet në ofertë janë ato që vendet më të pasura i provuan 30 vjet më parë dhe tani pendohen.

Shqiptarët e dinë se spekulimet me pasuritë e paluajtshme pa mbështetjen e shtetit nënkuptojnë se qytetarët e thjeshtë do të luftojnë për të blerë një banesë apo për të paguar qiranë. Ata e dinë se turizmi luksoz nënkupton që pushimet në vendin tënd bëhen një privilegj për pak njerëz. Pa sindikata për të cilat mund të flitet dhe me një lëvizje punëtore që shfaqet vetëm në pamjet e epokës komuniste të paradave të Ditës së Majit, kushtet e punës janë aq shfrytëzuese saqë vetëm ata nga vendet edhe më të dëshpëruara janë të gatshëm të marrin punët që krijohen. Shqiptarët thjesht paketojnë gjërat e tyre dhe lëvizin në vende të tjera, ku ndeshen me abuzim dhe ksenofobi. Ata e mbajnë kokën ulur, duke e ditur se ky është çmimi që duhet paguar për një të ardhme për fëmijët e tyre.

Në maj të vitit 2025, partia Socialiste në pushtet fitoi zgjedhjet për herë të katërt. Me rreth 44%, pjesëmarrja ishte në një nivel të ulët historik, me gjithë shtrirjen e votës për herë të parë për shqiptarët e diasporës. Nuk pati asnjë manifest elektoral, asnjë debat parimor me opozitën (lideri i së cilës, Sali Berisha, kryesisht shfaqej i paraqitur si një buf në rrjetet sociale të qeverisë). Në një vend ku më shumë se 90% e qytetarëve mbështesin integrimin evropian, mjaftonte të mbusheshin rrugët me tabela me fotografi të pasaportave evropiane dhe të goditej vazhdimisht me një datë: anëtarësimi deri në vitin 2030.

Kjo është ana tjetër e integrimit evropian: kritika ndaj qeverisë bëhet opozitë ndaj vetë Evropës. Nuk ka zgjedhje midis vizioneve konkurruese të shoqërisë, por vetëm midis menaxherëve të ndryshëm të së njëjtës trajektore të pashmangshme. Me politikën e reduktuar në sundim teknokratik, e vetmja lentë përmes së cilës mund të lexohet konflikti politik është “korrupsioni”: sikur shoqëritë postkomuniste ta mbanin atë në gjak, sikur problemi të ishte shkeljet individuale dhe jo vetë rregullat.

Lexo po ashtu:  Politikanët e Kosovës para popullit luana, para Vuçiqit dele

Për shumë vite shqiptarët e pranuan këtë me të njëjtin fatalizëm që dikush pranon një fatkeqësi natyrore. Tani, të rinjtë po shtyjnë mbrapsht (po rezistojnë). Protestat aktuale përfshijnë një ligj të fundit për investimet strategjike, i cili rrënjos kapjen oligarkike të shtetit. Ajo u përshkallëzua kur makineri të rënda lëvizën në një ligatinë bregdetare të mbrojtur dhe një video virale tregoi rojet private të sigurisë duke rrahur një protestues ndërsa policia e shtetit qëndronte pranë.

Një brez i mësuar të mendojë se të vetmet pyetje janë se sa shpejt duhet të ndërtohet infrastruktura për turizmin, sa shpejt të integrohemi në BE, sa me efikasitet të tërheqim investime, tani pyet: a duhet të jetë kështu? A duhet që demokracia të jetë sundimi i një grupi të vogël të super të pasurve?

Është një shembull frymëzues i aktivizmit qytetar që nuk e kisha parë që nga rënia e komunizmit, dukshmëria ndërkombëtare e të cilit pa dyshim ndihmohet nga vëmendja e medias ndaj familjes Trump. Por pse tani? Opozita u përpoq më kot për vite me radhë të mobilizonte publikun kundër, Epo, “korrupsionit”. Janë ndezur zjarre në parlament dhe janë hedhur koktej molotovi drejt ndërtesave të qeverisë. Por, në rastin e Kushner-it, opozita është në një mendje me qeverisë. Ndoshta kjo është ajo që mundësoi mijëra të rinj të vërshonin në rrugë: siguria se mosbindja nuk do të kapet (nga politika). Është prekëse t’i shohësh ata duke kënduar, kërcyer, duke pastruar rrugën pas protestave dhe duke u dhënë lule policisë. Ndryshe nga opozita e vjetër, ata nuk po dorëzohen para shtetit, por po këmbëngulin që ai u përket atyre.

Në vitet e fundit, përgjigja ndaj privimit nga e drejta politike në Evropën postkomuniste ka qenë rritja e lëvizjeve ksenofobike. Vetëm e djathta ekstremiste korri përfitimet e protestave anti-sistem. Rasti shqiptar vërteton se një lloj tjetër mobilizimi është i mundur. Larg nacionalizmit regresiv apo nostalgjisë, thirrja e vetme e lëvizjes, “Shqipëria nuk është në shitje”, pasqyron diçka që qeveria socialiste e ka harruar: se vetërespekti është parakusht për t’u respektuar nga të tjerët, dhe se një popull i gatshëm të shesë shpirtin e tij për investime do të zbulojë, në fund, se shpirti ishte e vetmja gjë me vlerë që kishte.

Lexo po ashtu:  Koment i BILD ZEITUNG: Putini sot është armiku ynë

Ka diçka të admirueshme dhe të brishtë te një lëvizje pa liderë, pa një program, pa infrastrukturën për ta mbështetur atë në planin afatgjatë. Lëvizjet pa lider janë më të vështira për t’u bashkë-zgjedhur (për t’u korruptuar), por më të lehta për t’u infiltruar dhe shpërndarë. Për të qenë efektive, ato duhet të kalojnë nga rezistenca në propozim, duke gjetur unitetin politik të shtypur përmes grumbullimit rreth një kauze të vetme.

Megjithatë, për sa kohë që politika demokratike është e kapur nga të paktët e pasur, politikanët vinë e ikin, gjyqet antikorrupsion kënaqin dëshirën për të ndëshkuar, dhe aktivizmi qytetar jep iluzionin e ndryshimit. Një nga një, shoqëritë gjenden në të njëjtat paradokse të zhvillimit kapitalist. Sfidë nuk është vetëm se si të zëvendësohen individët, por si të ndërtohet një sistem i ri.

Megjithatë, për një herë, Shqipëria nuk ka nevojë të kapë hapin me Evropën – ajo mund të udhëheqë. Një brez i gatshëm për t’u mobilizuar për një model alternativ të zhvillimit, një model që refuzon kapjen oligarkike dhe lidh mbrojtjen e mjedisit me legjitimitetin demokratik, nuk duhet të frikësohet por të celebrohet. Në vend që të bëhet “si pjesa tjetër e Evropës”, siç thoshte sllogani i vjetër, Shqipëria mund t’i japë kontinentit të vjetër një leksion mbi vetërespektin.

Burimi i artikullit:

  • Autori: Lea Ypi (Profesore e historisë politike dhe filozofisë në London School of Economics)
  • Media: The Guardian
  • Data e publikimit: E hënë, 8 qershor 2026, 12:39 CEST
  • Titulli origjinal: Look at the protests Jared Kushner has caused in Albania. This could be a shining light for Europe
  • Përktheu: MekuliPress
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com