Që kur koalicioni i maska(renj)ve vendosi të rrëzojë me anë një mocioni absurd, qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, të gjithë juve që nuk nuk u pajtuat më këtë akt të neveritshëm, jeni vënë në bankën e të akuzuarit, nga një luzmë intelektualësh kanfenesh.

Ata po ju kritikojnë për gjithçka.

Disa ju krahasojnë me besimtarë të verbër të një profeti të rremë, disa me militantët bolivarianë të Hugo Chavezit, disa me falangat fashiste që mbjellin terror.

Dhe cili është faji që ju vënë mbi shpinë?

Ai se nuk qëndroni dot të heshtur para një padrejtësie ulëritëse.

Ai se nuk përkulni shtyllën kurizore ndaj një kaste, që ose i ka duart me gjak, ose xhepat me euro, ose të dyja këto së bashku.

Ai se shprehni hidhërimin dhe dufin tuaj, se si kjo pakicë, me një grusht të ndryrë shteti parlamentar, përmbysi vullnetin për ndryshim të votuesve të 6 tetorit.

Ai se nuk pranoni dot, që kjo bandë të korruptuarish, të dojë sërish të shmangë zgjedhjet, duke e lënë Kosovën peng të një qeverie të pavotuar dhe duke rifutur në institucione të njëjtat fosile që zvarriten aty prej dy dekadash.

Natyrisht edhe unë, ashtu si kushdo, e kam parë lumin e zhgënjimit tuaj në rrjetet sociale. I kam lexuar etetiketimet e forta që i keni vënë gjithësejcilit, i kam ndjekur denoncimet për ata që i ndryshojnë qëndrimet sipas flladit të parë që fryn në horizont.

Lexo po ashtu:  Ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier: "Shtetet e Bashkuara nuk mbështet dhe nuk do të mbështetë diçka që edhe veç një grimë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”

Pikërisht për këto po ju akuzojnë, duke u shqetësuar se, në origjinë të dhunës është fjala, se në gjenezë të fashizmit është gjuha e urrejtjes, se në fund të fundit, diktaturat kanë në bazë atmosferën e një linçimi publik.

Por, ata që e bëjnë këtë, shtiren sikur harrojnë se, në këtë rast, gjuha e ashpër është vetëm reagim ndaj dhunës së një kaste, se revolta është kundërshtim ndaj instalimit të regjimit të një pakice, se po, historia njeh vërtet edhe raste kur diktatura mund të vijë nga fjala, por se rëndom ajo buron nga vullneti i një grushti maskarenjsh, për të mos lëshuar me asnjë mjet privilegjet e tyre.

Pra, të gjithë ata që janë përfshirë në këtë ballo me maska, ju përshkruajnë ju si rrezikun më të madh, pasi duan të fshehin krimin e vërtetë. Ju etiketojnë ju si fajtorët kryesorë, pasi s’kanë forcë morale, pavarësi intelektuale dhe ndershmëri financiare, për të vënë gishtin mbi djajtë realë.

Po për çfarë ju kërkojnë të heshni, të mos buçisni, të mos revoltoheni?

Duan që rrini squk, kur vota popullore hidhet në koshin e plehrave.

Kur, e vetmja qeveri e porsa zgjedhur në glob, rrëzohet në kohë pandemie.

Kur një parti, nxjerr tjetër figurë për të mashtruar ekektoratin dhe pastaj rikthen të njëjtit pleq të pavotuar për të marrë vendimet.

Kur, që prej gushtit 2008 është gati plani për të coptuar Kosovën.

Lexo po ashtu:  Vuçiq: “Do të ketë ditë të vështira. Nuk e di se si do të shkojë gjithçka me Kosovën. Ata do të përpiqen të thyejnë dhe shkatërrojnë vendin tonë nga brenda”

Kur SHBA nuk e ka përgënjeshtruar kurrë doktrinën e saj për të përkrahur çdo marëveshje për të cilën dakordësohen palët.

Kur Gjermania dhe shumë shtete të rajonit, kanë vënë alarmin për hapjen e kutisë së Pandorës.

Kur dëgjoni ambasadorin Grenell, që ka harruar të gjitha kushtet ndaj Vuçiçit, të mbysë me ultimatume Prishtinën.

Kur shikoni se si shndërrohet në gogol edhe pinjolli më i parëndësishëm i dinastisë Trump, për të ngjallur frikë dhe terror.

Po, për këto ju kërkojnë të mbyllni gojën dhe nëse nuk e bëni, jeni ose komunistë, ose fashistë, ose islamistë.

Nëse nuk duroni me nofullat shtrënguar, i kanë gati etiketimet për ti’u akuzuar qoftë si amerikanofobë, qoftë si homofobë.

Natyrisht, unë e di se kjo fortunë në gotë, e stisur në sallonet meskine të Prishtinës, nuk ju bën aspak përshtypje.

Ju që keni parë shokët tuaj të bien në tokë nga plumbat, ju qe ende s’keni mbyllur plagën e gjetjes së vrasësve të tyre, ju që jeni mbytur nëpër burgje dhe që keni parë njerzit tuaj më të dashur të prangosen duke protestuar kundër krimeve të pushtetit, as që doni ti’a dini për këto masturbime pseudo -intelektuale.

Ato as ju ndalin, as ju frikësojnë.

Prandaj, kjo letër për ju, nuk është një mbështetje, në kohë të vështrirë, sepse për të nuk keni nevojë.

Lexo po ashtu:  Ish-komandanti i UÇK-së godet akademikët shqiptarë: "Turpi është i juaji o intelektualë e akademikë! Ne ushtarët e UÇK-së luftuam me kallash, sa luftuat ju intelektualë me laps!?"

Ajo është më tepër një thirrje për të hapur sytë e atyre që nuk kuptojnë. Për të shkundur nga përgjumja idiotët e dobishëm, që e shohin të keqen tek gjuha dhe zemërimi juaj. Për të ndërgjegjësuar ata që nuk e dallojnë dot kontradiktën e vërtetë, atë të rikapjes së shtetit prej një grushti uzurpatorësh dhe rezistencës suaj të çfardollojshme për të ngritur barikada ndaj kësaj.

Në këtë kuptim revolta juaj, me çdo kosto dhe me çdo çmim, është një nga vlerat e rralla të asaj shoqërie të re që po tentoni të ndërtoni.

Në çdo formë të saj, ajo është një aspiratë dhe një shpresë.

Ajo përbën një rast unik, jo vetëm për Kosovën, por pothuajse për të gjithë këtë rajon që po tregon se e ka më të lehtë të nënshtrohet, sesa të mendojë.

Ajo është nje rreze drite edhe për shqiptarët e pjesës tjetër të kombit, të nështruar ndaj rrotacioneve që s’pjellin ndryshim edhe për serbët që kalojnë me lehtësi nga diktatura e Millosheviçit tek regjimi i Vuçiçit edhe për malazezët që durojnë prej dekadash sundimin e një familjeje të vetme.

Ndryshe nga ç’ndodh përreth, ju keni shansin real dhe privilegjin historik për të qenë faktor i ndryshimit.

Prandaj, revoltë dhe rebelim të mbarë, sepse dëmet kolaterale të aksionit tuaj, janë ku e ku më të vogla se e keqja që “viktimat” e tij po i bëjnë Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *