Nga Prof. Dr. Perlat Kapsyzi

Me disa fletë gazete të bëra shuk, ku gjuhëzat e flakës luftonin me lagështirën e letrës, arrita të lexoj emrin tim në kollonën e mjekëve të emëruar në Mirditë, në vitin e largët 1979.

Ndonëse me mesatare 9.73 , nuk mu duk se u përmbys bota, as edhe ëndrrat e mjekut të sapo dalë nga bangat e shkollës. Ngushëllova veten me faktin që Mirdita është emër i bukur.

Gjashtë vjet mjek në Malësinë e Oroshit, me pelerinën dhe çantën e ish oficerit madhor ku brenda saj ishte gjthçka që kërkohej për raste urgjente, natën, ditën, në vapë me opinga, me çizme në dimrin e acartë, ku dëbora zhdukte çdo gjurmë tënden në kthim, më ngushëllonte fakti se ashtu si unë, ishin edhe 100 mjekë, të cilët ashtu të heshtur dhe pa fjalë, pa inventar mizantropie u ndodheshin në çdo moment banorëve të komunitetit ku shërbenin.

M’u shfaqën kalimthi këto copëza jete nga fillimi i profesionit, sepse deri më sot i konsideroja momente unikale, për nga pesha profesionale dhe shpirtërore. Të papërsëritshëm! Por kisha gabuar.

Kjo pandemi më bëri të kuptoj se ato momente ishin bërë pjesë e qenësishme, “vuajtje” e shpirtit, trupit dhe, që sa here i kujton, duket sikur diçka ringjallet brenda teje…

Mars 2020… Në mbarë botën Coronavirusi po fitonte terren… . “Këmbësorët e vdekur” ecnin dhe shembeshin përballë shërbimeve shëndetësore më të fuqishme të BE, SHBA. Po ndodhte, ishte e pabesueshme! Me mijëra të vdekur, numri i të cilëve po rritej në mënyrë eksponenciale edhe në sistemet e shërbimeve më të fuqishme shëndetësore të botës.

Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, me një eksperiencë prej 50 vjetësh në trajtimin e infeksioneve dhe komplikacioneve respiratore, me mjekë, specialistë të përkushtuar, plot pasion, u caktua nga MSH si COVID 2 . Ishte një lajm që për herë të parë e morëm nga media…

Lexo po ashtu:  Editoriali i 'THE WASHINGTON POST', Kriza e Ukrainës është larg fundit por Perëndimi i mori disa mësime!

Dhe lufta filloi …

I dashur vëzhgues mizantrop,

U përllogaritën, u rivlerësuan forcat. Tashmë për një betejë të vërtetë në mbrojtje të jetës, ku vdekja, si kurrë ndonjëherë bariste e shpenguar jo vetëm tek ne, por edhe në sistemet shëndetësore nga më të fuqishmet, duke i sfiduar ato.

I dashur vezhgues mizantrop,

Mundohu të heqësh nga lista jote e mizantropisë ndryshimet e shpejta në kohë reale në infrastrukturë, aparatura, medikamente dhe burime njerëzore. Falë këtyre ndryshimeve pacientët vizitoheshin dy herë në ditë me staf të dedikuar, përveç ndjekjes që bënte çdo mjek.

Dështimet e sistemeve më solide shëndetësore botërore, na mprehën vëmendjen dhe shkathtësine, duke paraprirë, shtrirë linjat te reja të oksigjenit, ajrit të komprimuar, dhe duke shtuar kapacitete të terapisë seminitensive.

I dashur vëzhgues mizantrop,

Në këtë vorbull pandemie, i gjithë personeli shëndetësor i SUSN as nuk u tremb, as nuk uli ritmin, as nuk bëri lista mizantropie. Sanitarë, infermerë, mjekë gjithmonë në levizje pranë të sëmurëve, duke marrë pjesë nga vuajtja e tyre.

Kush kujdeset dhe shërben, vuan bashkë me të sëmurin. Të vetmit që lumturohen nga vuajtjet, janë sehirxhinjtë e vuajtjeve.

Korbat fluturojnë me shpresën që të ndodhë gjëma, që mizantropit t’i kthehet buzëqeshja nga vuajtja e tjetrit dhe të thotë: “E thashë që do të ndodhte!”

E ndërsa personeli mjekësor i SUSN lufton për jetën, nëpër ekrane televizive shohim “ekspertë”, të cilët kanë marrë persipër t’u tregojnë sistemeve më solide shëndetësore të botës, se si duhet të kishin vepruar, se sa lehtësisht mund ta kishin përballuar, nëse do të kishin dëgjuar këta këshilltarë të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm, të cilët të kujtojnë ekspertët që thonë se rakia bëhet edhe nga rrushi(!)

I dëgjoj i përhumbur në përgjigjet e analizave të pacinetëve, dhe më duket sikur thonë: “Pse transheja ka zënë ujë, ç’është ajo barrelë që i është këputur doreza, ku janë barrela-mbajtësit për të transportuar të plagosurin, përse qëllohet me breshëri..”?

Lexo po ashtu:  Përse “Përplasja e civilizimeve” e Samuel Huntingtonit, nuk vlen sot?!

Dhe pulsimet e sinjaleve të aparaturave bashkëkohore më rikthejnë në realitet. Shqipëria gjatë këtyre 50 viteve, nuk ka patur kurrë kaq shumë pajisje jetëmbështetëse. Ndryshimi është i pakonceptueshëm, i dashur vëzhgues mizantrop! Ti rri i kollarisur dhe jo rrallë, xhaketa të rri shtrembër, sikur të dojë t’i përshtatet mendimeve të mbrapshta dhe aspak optimiste!

Sa nevojë kemi për optimizëm, për sy, zemra, shpirtëra që shohin përpjekjet tona si pjesë e gotës gjysmë plot! Kjo do t’na jepte forcë, shpresë, kurajë, duke flakur tej panikun vrastar, që mizantropia ia shton pandemisë.

Çfarë duhej bërë më mirë?

Shumë duheshin bërë, por ja që, dhe sistemet shëndetësore të BE nuk kanë mundur të bëjnë më të mirën, por janë përpirë nga menaxhimi global i gabuar i pandemisë, pjesë e së cilës jemi edhe ne.

Dhe me duar e këmbë, dhe me kamera mizantropi numëron i ekzaltuar ambulancat në pritje për të shtruar pacientët. E tregon si antivlerë të sistemit shëndetësor, ndërkohë që bota me dekada të tëra, ashtu sikurse edhe sistemi ynë shëndetësor, ka futur sistemin e triazhimit, domethënë sistemin e përzgjedhjes së pacientëve, në varësi të gravitetit të sëmundjes.

Autoambulancat aty tregojnë se sistemi po funksionon, ndonëse i detyruar të përballet me “ngarkesa të tonazheve të larta”, të cilat as vetë sistemet shëndetesore solide nuk i përballuan. Automjetet private autokolonë në Itali, ku sondat e oksigjenit futeshin nga dritaret e makinave private, ishin dëshmia e fundit, ndërkohë që ti i dashur vëzhgues mizantrop, tregoje i shpenguar autoambulancat, si dështim të sistemit. Jo! Ato janë dëshmi e të kundërtës. Ato tregojnë se sistemi po funksionon, edhe nën peshën tejet të rëndë të pandemisë, se sistemi nuk dorëzohet…

Lexo po ashtu:  Nuk iki nga Shqipëria, se s’kam ku të shkoj dhe nuk ma mban t’ia nis nga larja e pjatave tani!

Në një nga ditët e rëndësishme të aktivitetit tim si teknicien, rreth 20 vite më parë, pata fatin të isha i dobishëm për të madhin Dritëro Agolli, i shtruar me insufiçencë respiratore në SUSN.

Mbasi e mori veten, me atë zërin e tij të ëmbël, që i dilte nga shpirti i butë u mundua të më sqarojë për një artikull që kishte dalë ato ditë.

“Doktor,- më tha – ne, gazetarët profesionistë, duhet t’i themi të vërtetat. Por e rëndësishme është të zgjedhim kush është më e dobishmja. Një gazetar thotë një të vërtetë kur përshkruan një shtëpi me disa tulla të thyera, ku në një cep trëndafilat janë fishkur, dhe dera oborrit është varur nga pesha e viteve. Ky gazetar, doktor, ka thënë të vërtetën. Por, ky përshkrim nuk do kishte kurrësesi efektin e përshkrimit të së vërtetës tjetër. Ndonëse dera ishte varur, duket sikur ajo donte të të tërhiqte fort nga mënga, që të hyje brenda. Dhe befas të përballeshe me një kopësht plot me lule, ku larmisë së tyre i shtoheshin zërat gazmorë të vocërrakëve… dhe flladi përkëdhelte bimësinë mahnitëse, bashkë me shpirtërat e dëlirë të atyre vocërrakëve”.

Edhe ti, i dashur vëzhgues mizantrop, po përpiqesh të tregosh tjegullat e thyera, bimësinë e tharë…

Përpiqu, të paktën një herë të vetme, të përshkruash shpirtin, përpjekjet, sakrificat për të pakësuar ankthin, vuajtjen, për t’i thënë stop panikut, për të sjellë gëzimin e jetës në sytë që shohin me shpresë, për të shtuar dritën në fundin e tunelit të pandemisë.

Dhe unë përsëri do të ndjej ato “vuajtjet”, momentet, përjetimet e viteve të para, dashurinë e atyre njerëzve në malësitë e thella të Oroshit, të cilët më mësuan të përballoj vështirësitë dhe akoma më fort pandeminë dhe, bashkë me të, edhe mizantropinë ndjellakeqe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *