Naum Veqilharxhi, lindi më 1797 dhe ka qenë një avokat dhe studjues shqiptar.

Më 1844 krijoi një alfabet krejt origjinal për gjuhën shqipe, quajtur Alfabeti i Vithkuqit. Veqilharxhi është ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.

U lind në fshatin e Vithkuqit, pranë Korçës, më datën 6 dhjetor 1797. I ati, Panajot Bredhi qe njeri i oborrit të Ali pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt jonianë më 1811. Ka të ngjarë që Naumi mësimet e para t’i ketë marrë në shkollat angleze ndër ishujt jonianë.
Pas shkatërrimit të Vithkuqit më 1819, u shpërngulën si familje në Rumani.

Naumi student mori pjesë në revoltat e 1821 të Vllahisë e Moldavisë. Pak vite më pas nisi të punonte avokat, vuri prokopi dhe kontribuoi në jehimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Në Brăila u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë, që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Më 1824 ose 1825, nisi të krijonte alfabetin e tij për gjuhën shqipe.

Varianti përfundimtar i alfabetit të tij me tridhjetetre shkronja sajuar prej tij, u botua për të parën herë më 1844-5 titulluar Evëtori Shqip Fort i Shkurtër. Veqilharxhi shmangu përdorimin e shkronjave greke, latine dhe arabe për shkak të bashkëshoqërimit fetar dhe prej rrezikut se mund të ndillnin përçarje mes shqiptarëve me fe të ndryshme. Ëvetori i Veqilharxhit u përhap fillimisht në Korçë e më pas deri në Përmet dhe Berat, ku gëzoi përdorim të madh.

Më 22 prill 1845, Athanas Paskali në një letër i kërkoi Veqilharxhit që të niste sa më shumë kopje që ta kishte të mundur. Sipas historianëve, botimi i këtij vëllimi shënjon fillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Më 1845 Veqilharxhi i dërgoi një letër polemizuese të nipit në gjuhën greke, që ia kish quajtur idetë e tij kimerike: letra çmohet ndër dokumentet e para që radhit në vija të përgjithshme idetë e Rilindjes Kombëtare. Mendohet se Veqilharxhi vdiq prej një helmimi nga Patriarku Ekumenik i Kostantinopojës.

Abetarja e Naum Veqilharxhit
Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823). Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca).

Por që në rini, Naumi, duke qenë dhe tip jokonformist dhe i influencuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej një nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë, duke bashkëpunuar dhe me figurën e njohur Ipsilantin. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar.

Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes. Naumi zotëronte disa prona të patundura dhe ndërkohë ushtronte dhe profesionin e avokatit.
Më 1838, vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve rumune. Po në këtë periudhë, ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçare për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me ndihmën e alfabetit grek dhe atij arab.

Lexo po ashtu:  Kush janë Rothschild-ët? Familja me shumë para, pushtet dhe sekrete

Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije.
Naum Veqilharxhi, përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet pas me krijimin e shoqërisë “Drita” pas vdekjes, në vitin 1848. Në këtë kontekst Naumi gjeti të gjitha kushtet për të manifestuar idetë e tij iluministe rilindëse.

Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët.
Ndërkohë familja Veqilharxhi i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm Shqipërisë, por dhe Rumanisë. I pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes u emërua Konstandin Veqilharxhi.

Sot mund të themi që këto dy shtete, Shqipëria dhe Rumania, nuk ia lanë harresës, njeriun që bëri urën e miqësisë mes tyre. Ata i dhanë mirënjohjen e kujdesin e merituar. Për shembull shtëpia e Naum Veqilharxhit në qytetin e Brailas, është kthyer në muze dhe ajo ruhet me shumë përkushtim nga shteti rumun. Ndërsa shteti shqiptar dhe akademikët e tij konsiderojnë se Naum Veqilharxhi është figura më e spikatur e diasporës shqiptare për sa i përket gjysmës së parë të shekullit të XIX.

Busti i Veqilharxhit në qytetin e Korçës
Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, Ëvetarin. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të Shqipërisë.

Për të plotësuar kërkesat e ribotoi më 1845 me titullin Fare i ri ëvetar shqip, të shoqëruar me një E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera, që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një Qarkore (Enciklikë) greqisht drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri dhe po atë vit i dërgoi një letër të gjatë polemizuese një nipi të vet, që u ishte kundërvënë përpjekjeve të tij për çështjen shqiptare.

Parathënia e abetares, qarkorja dhe letra e vitit 1846 janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes kombëtare shqiptare. Në to formulohen kërkesat kulturore të lëvizjes. Si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara. Pa çlirimin kulturor nuk mund të arrihej as çlirimi politik. Duke u nisur nga pikëpamjet racionaliste, i shihte shqiptarët si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar.

Lexo po ashtu:  Napoleon Bonaparti - Ushtarë të Gardës sime të vjetër: Ju them lamtumirë!

U bëri thirrje shqiptarëve të hapin sytë, duke kërkuar zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Kishte besim te aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.
Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkollave të huaja dhe punonte për një shkollë shqipe, me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. Dha ndihmesë e shfaqi mendime të reja edhe për lëvrimin e gjuhës. U mbështet te gjuha e popullit, përdori fjalë të vjetra e të rralla dhe u shpreh për pastrimin e shqipes nga fjalët e huaja.

E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.

Naum Veqilharxhi u përpoq edhe të krijonte një shoqëri kulturore dhe të organizonte atdhetarët e tjerë, prandaj e helmuan në Stamboll. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e popullit shqiptar.

LETËR ENCIKLIKE PËR TË GJITHË PASURIT E TË MËSUARIT ORTODOKSË SHQIPTARË

Patriotë!

Po i këshilloj bashkëatdhetarët tanë që e duan memëdhenë, që ta vështrojnë me kujdes një studim të ri filologjik, i cili u shkrua dhe u botua nga gazetat greke, si një vepër që meriton vëmendje shumë të madhe, aq më tepër pasi kjo ka lidhje me shqiptarët.

Ne, nga shkaku i dyndjeve të ndryshme që kanë ndodhur njëra pas tjetrës rreth 2,000 vjetëve në atdheun tonë, arritëm në një gjendje aq të mjeruar sa që u shëmtua krejt qënia jonë morale dhe politike, e cila, e krahasuar me atë të kohës së vjetër, nuk ka asnjë ngjasim të natyrshëm. Invadime shumë të shpeshta, përmbysje të tëranshme, ndryshime politike, hyrje dogmash të reja fetare, – ja shkaqet e transformimit tonë moral të tanishëm dhe sidomos lënia pasdore e lërimit të gjuhës sonë kombëtare dhe zëvëndësimi i saj me një gjuhë të huaj, na suallë në gjendjen më të ultë të turpit, sepse kështu u ngul për gjithmonë padituria e kombit, u përhap me të shpejtë barbarizma dhe, pa e kuptuar, vargojt e robërisë sonë u bënë të çelnikët. Dhe sa nga tanët patën fatin që gjatë epokave të ndryshme të marrin arësim, detyroheshin pa, dashje të mërgohen në vende të tjera, të bëhen të pavlefshëm për kombin tonë, nga që nuk njihej gjuha jonë kombëtare, larg prindërve, farefisit dhe miqve, për të gjetur. mundësinë e jetesës, duke u fërkuar me disa kombe të tjera dhe duke u afruar me ta, duke bashkëpunuar dhe duke ndihmuar, me aftësitë e tyre, për lumturinë e këtyre kombeve: e kështu kënaqeshin të quhen grekë, helinë, vllehë… dhe jo mirëbërës, etër e mësues të atdheut dhe të kombit tonë.

Duke parë përparimin e disa kombeve të sotme dhe gjendjen tonë të tanishme, jo vetëm që nuk duhet të humbasim shpresën, por bile duhet të mbushemi me hov dhe guxim. Le të hedhim farën e mirë dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t’i korrë padyshim brezi i ardhmë, që do të bekojë ata bujq dhe ata mbjellës të mirë; kjo detyrë e domosdoshme, që duhet të bëjë çdo njeri mbi tokë për brezin e ardhmë, siç punuan për të dhe gjithë shekujt e kaluar. Në qoftë se ata që kanë qenë para nesh nuk do të kishin kujdes për gjendjen tonë të lumtur, edhe sot do të jetonim si egërsirat. Të gjitha të mirat e gjendjes sonë të tanishme i kemi nga paraardhësit tanë. Bujqësia, ndërtimi, tërë industria, politika, feja, mekanika, gjithfarë artesh të bukura dhe shkencash, të gjitha këto në fillim me shumë të meta dhe pastaj duke u përmirësuar dalëngadalë iu dorëzuan brezit tonë, në gjendjen e sotme. Prandaj, edhe secili duhet të veprojë duke i imituar ata.

Lexo po ashtu:  Dhjetë të mençurit që ndryshuan botën!

Mbi këto, pa çpikjen e shkronjave dhe të tipografisë, të gjitha do të ishin ende në gjendjen e tyre foshnjore. Me anën e shkrimit ne mirremi vesh me të gjithë banorët e botës, kumtojmë mendimet tona, lidhim marrëdhënie sipas rasteve, pa të cilat jeta do të ishte e pamundur. Por, çdo komb, siç është shumë e natyrëshme, me anën e shkrimit dhe të gjuhës së tij, ruan edhe lavdinë e pronësisë së zbulimeve, të perfeksionimeve dhe të kontributeve të tij në shoqërinë njerëzore, kurse ato kombe që mbetën në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve, duke punuar çdo ditë për begatinë e kombeve më të qytetëruara dhe më të fuqishme; këto vetëm atëhere do të mund të dalin nga gjendja e turpëshme e mjerimit të tyre kur do të fillojnë të lërojnë gjuhën e tyre kombëtare; mirëpo kjo nuk fitohet ndryshe veçse me shkronja të posaçme kombëtare, gjë që është filluar para meje, por që për shkak të përzierjes me të huaj dhe të intrigave të ziliqarëve, të gjitha mbetën pa fryt.

Erdhi koha pra t’i mbyllim veshët tanë për të gjithë ata që me pretekstin e miqësisë dhe të maskave të tjera të panumërta paraqiten dhe na këshillojnë të kundërtën, kinse për të mirën tonë, kurse qëllimi i tyre kryesor është të na mbajnë për gjithnjë në mjerim, që kështu të na përdorin si të duan, si gjer tani. Është koha të hedhim poshtë të gjitha paragjykimet e vjetëruara, është koha të mbledhim veten dhe të gjykojmë më me pjekuri dhe më me burrëri, të ndërrojmë taktikë, duke marrë që tani e tutje si shembëll kombet e përparuara të botës. Dhe kështu një ditë edhe ne, me vullnetin e Perëndisë, shpresojmë të vihemi në radhën e kombeve të qytetëruara. Duke pasur parasysh këtë gjë në radhë të parë, le të shkojmë përpara me ballë hapur, me guxim me durim dhe me këmbëngulje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *