Nga letërkëmbimi mes ERNEST KOLIQIT dhe Karl Gurakuqit
ERNEST KOLIQI: “N’botën shqiptare, s’e kuptoj pse un njifem si intrigant, shpirt-keq, e shum kush m’urren pa pasë folë kurr me mue”
Atje ku ishte nuk i mungonte gjë. Jeta studimore e kërkimore i shkonte mbarë, jepte mësim, bënte hulumtime…, por për ERNEST KOLIQIn ishte e papranueshme që të quhej tradhtar në vendin e tij. Ishin vitet ’50 dhe tashmë në Shqipëri ishte vendosur regjimi komunist. Shkrimtari ERNEST KOLIQI ishte shpallur “armik”. E duket se kjo ishte brenga e madhe e shkrimtarit. Këtë na e tregon një letërkëmbim mes tij dhe Karl Gurakuqit, mikut dhe bashkëpunëtorit të tij, përgatitur nga Dhurata Shehri dhe Agron Gjekmarkaj, botuar në revistën kritike “Letra”, botim i Departamentit të Letërsisë pranë Fakultetit të Historisë e Filologjisë, Tiranë. Në këtë letërkëmbim, Koliqi na shfaqet zemërhapur, teksa i tregon mikut të tij çka e shqetëson. Si për të qetësuar veten, ai radhit në njërën syresh gjithçka ai kishte bërë në të mirë të arsimit në kohën kur ishte ministër gjatë periudhës së pushtimit italian…

ERNEST KOLIQI, Asdreni, Lasgush Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Gjoka, Mikel Koliqi, Koço Tashko
Romë, 16 – 3 – 1951
I dashuni Karl
Më ka ra në dorë me kohë letra e jote. Petraqi (Petraq Vuçani – shënim i redaksisë) me gojë më vuni në dijeni për punët e atyshme. Ai Ty të don. Or e ças ia ban profesori tha këtë, shkoi aty, foli kështu. Më kallzoi qi kujdesesh për ta. Të falem nderit q’i don, i këshillon e i përkrahë. Thueju të mos merrem me politikë pa krye studimet. Kanë kohë se kur me e prishë gjakun vetes. Tashti t’ia venë menden mësimeve, bukuris së natyrës e t’artit, grave (me masë). Politika e mplakë njerin para kohe. Ata t’a ruajnë sa më gjatë atë thesar qi asht rinia. Mue e ty, mjerisht na shpëtoi doret. E po themi vetëm doret! Artikujt të tuj, jo vetëm pranohen, por kërkohen. E ke për ne asht botue ai i pari.
Ky i dyti, qi i çove Ismailit (Ismail Verlaci – shënim i redaksisë), do të botohet në numrin e ardhëshëm.
Për punën t’ande s’asht nevoja qi të më porositish m’u kujdesue. E kam përher para sysh. Shpresoj me vjetin e ri akademik diçka do të bahet. Mos shpreso përpara, veç më baftë Zoti mrekulli. Ndër këto dit do të këthehem në Relazioni Culturali ku tash prap asht emnue nji mik i em. Jam gzue shum për Spiron: njiherë për operacionin qi i shkoi mirë e mbandej për rregullimin (ashtu si mund u bante) të pozitës së tij shkollore. Për Pashkë po shkoj në Rapallo: mësimet do t’i rifilloj me 3 prill. Sivjet kam zhvillue kët argument: “La poesia di Naim Frashëri e gli influssi orientali nella letteratura albanese”. U detyrova të lexoj historinë e letersis persiane e vjershat (në nji anthologji frengjisht ba mirë) të Hafizit e të Rumiut….
I fola Ismailit dhe më premtoi qi për Pashkë do më kujtojnë të shamet e belbacukvet të gjuhës shqipe nepër radjo të Tiranës e të Londrës (me më sha mue janë d’akord) e shkrimesh epileptike të mistrecave qi çohen në majë të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikan serjoza, nuk më bajnë mu as të nxeh as të ftoftë. Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si Shqiptar i mirë në rrethanat më të vishtira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata qi më njofin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi më je gjetë pranë si bashkëpuntor në rasat më kritike. Ti e din mirfilli se gjatë kohës s’eme këshilltarët italjan nuk pijshin uj. Pregatitme tekste, vendosem njëherë e mirë mbi terminologjinë shkollore, themeluem Institutin e studimeve Shqiptare edhe komunistat tue i ndrrue natën emnin e mbajtën, permirësuem gjendjen e mësuesve e të profesorve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume. Kryefjala e jonë kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha degët e bektashinjvet, nisa studentë ndër male me mbledhë pasunin folklorike, futa xhakona në Kosovë para lirimit, konviktorë vendas me libra shqip. Sa dhe si ministër, mora rishtas në shërbim Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori e u dhaç rrogat e mbrapambetuna. Lirova nën garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzonin para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin – Vasil Andonin – Mihail Zallarin. Mora në sherbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (mos ta merrshim në sherbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene). Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të ministris, e emnuem drejtor konvikti në Prishtinë kur u lirue Kosova. Nisëm me përgjegjësi personale, pa ardhur ende udhëzime të përgjithshme nga Roma për tokat e lirueme 200 mësues e profesorë në Kosovë e u përpoqa me i vu themelet arsimit shqiptar para se të dihej formula me të cilën Kosova do t’i këthente Shqipnisë. Asokohe në Romë flitej me lanë për 10 vjet, s’paku, gjuhën slave në shkolla e n’administratë. Atë qi bam për vendin e gjuhës shqipe në shkolla shum kush e din. Mirpo, me mija vetësh i shërbyen italjanvet pa kundërshtue (kundërshtimet filluen kur Italia shifej qartas se po humbte luftën), me qindra mija vetësh u pasuruan e përfituen – e sot “tradhtar” mbetem vetëm unë: Unë e solla Italinë, unë desha t’a çrrënjosi shqiptarizmin (tue botue tekste shqip), unë vetëm u pasunova, unë shtypa intelektualët. Unë e dërrmova arsimin tue ngranë si katallanjt nji profesor në çdo mëngjes, dy mësuese në drekë e nji drejtor konvikti ferlik të pjekun në hell në darkë. A jam i zoti, a s’jam? Unë i vetëm me ba të gjitha këto punë? Kur e mendoj, fryhem si bibani prej krenis (sidomos kur më kujtohet se kapa telefonin e i thashë Musolinit): urdhno e merre Shqipnin, pse po t’a shes me çmim të lir! Edhe Musolini mbas telefonatës s’eme erdh e e mori?! A jam i zoti!
Shëndet e të mira ty e zojës
ERNEST KOLIQI
