Shqiptarët e kanë mundësinë t’i përmbysin projektimet negative të rënies së popullsisë

Parashikimet e OKB-së që e rendisin Shqipërinë këtë vit të parën në listën e shteteve me rënien më të madhe të numrit të popullsisë (-62% deri në vitin 2100) janë tejet shqetësuese. Kosova nuk ishte e përfshirë në këtë studim, por shifrat edhe në Kosovë dëshmojnë për të njëjtin rrezik. Ne e dimë se në vendet në zhvillim, si Shqipëria e Kosova, emigracioni është simptomë e dhunës së strukturuar të sistemit. Shumica e shqiptarëve nuk i lënë familjet dhe vendin e tyre nga dëshira, por nga kushtet e rënda socio-ekonomike, dhe nga ky fenomen po preken veçanërisht brezat e rinj. Historia, megjithatë, na mëson se këto parashikime nuk janë fati ynë i shkruar në gur, dhe as nuk janë çështje fataliteti natyror. Modeli i zhvillimit ekonomiko-politik është një prej përcaktuesëve kryesorë të rritjes së popullsisë së një vendi. Prej veriut të Evropës, deri në jug të Afrikës, shembujt tregojnë se kombi ynë i ka të gjitha shanset të mos mbetet peng e parashikimeve statistikore.

Lexo po ashtu:  Ministrja e Punëve të Jashtme, Gërvalla: 50% e ambasadorëve do të jenë diplomatë karriere

Republika e Irlandës ka patur një histori me disa ngjashmëri me Republikën e Shqipërisë. Prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1922, për shkak të varfërisë dhe emigracionit masiv, Irlanda pësoi rënie të vazhdueshme të popullsisë deri në fund të viteve 1960. Nga ajo kohë, me një luhatje të shkurtër gjatë krizës së fundit financiare, numri i popullsisë ka qenë në rritje. Rritja ka ardhur pavarësisht përgjysmimt të shifrave të lindshmërisë (nga 4 në 2 femijë për çdo grua). Për më shumë, përmbysja e statistikave negative të numrit të popullsisë ndodhi 6 vite para se Irlanda të bëhej pjesë e Komunitetit Ekonomik Evropian. Edhe pse plot irlandezë vazhdojnë të emigrojnë, tashmë më shumë emigrantë irlandezë kthehen çdo vit të jetojnë në vendin e tyre, përfshirë edhe ata me kualifikime të larta. Kjo rritje e popullsisë nuk ka ardhur përmes një mrekullie, por përmes vullnetit politik për të ndryshuar rrënjësisht modelin e zhvillimit ekonomiko-politik të vendit.

Një përmbysje trendi negativ të numrit të popullsisë kanë patur edhe vende të tjera, përfshirë edhe shtete në Afrikë si Botswana, me një popullsi të përafërt me atë të Republikës së Shqipërisë. Edhe në rastin e Botswanës mesatarja e lindshmërisë për çdo grua është ulur (nga 6 në 2 fëmijë) prej vitit 1960, por rritja e popullsisë ka vazhduar në mënyrë të qëndrueshme. Qartazi rritja e popullsisë nuk varet thjesht nga lindshmëria. Në të dy rastet, Irlandë dhe Botswanë, ndryshimi i modelit ekonomik të zhvillimit dhe investimi në lidhjen e arsimit me ekonominë, si dhe investimi në shërbimet shëndetësore, kanë qenë kombinimi i suksesshëm për zhvillim të gjithanshëm të vendit, pëshirë edhe popullsinë.

Lexo po ashtu:  Shqiptaro-amerikanët angazhohen për ruajtjen e trashëgimisë në Nokshiq

Kombi ynë, e në veçanti dy Republikat shqiptare, kanë nevojë urgjente për transformim strukturor. Sistemi neoliberal ekonomiko-politik jo vetëm na ka varfëruar por edhe mund të sjell humbjen e shumicës së popullsisë. Me këtë model rrezikojmë të realizojë në kohë paqeje atë që Millosheviçi nuk arriti dot të realizonte as me luftë: zhdukjen e shqiptarëve nga trevat e tyre. Kjo nuk ka për të ndodhur sa kohë ka shqiptarë të gatshëm të organizohen e të mobilizohen për ta përmbysur këtë sistem të mbrapshtë, bashkë me projektimet negative të numrit të popullsisë. Zhvillimi bazuar në prodhim, shteti social kundër pabarazisë dhe shteti i së drejtës kundër krimit të rrjeteve klanore të pushtetit, janë prioritet mbi prioritetet për kombin shqiptar.

12 korrik 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *