Përpjekjet ne nuk i ndalim, por afrimi duhet të jetë i dyanshëm

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, pas takimit të sotmë me drejtuesit e LDK ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Quint-it, dha një deklarim për disa nga gazetarët që ishin prezentë. Prononcimi i Albin Kurtit ishte ky:

Albin Kurti: Takimi ishte i gjatë meqenëse gjysma e takimit ishte përkthim për ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e BE-së në Kosovë. Unë i falënderoj të gjithë ata për pjesëmarrje, që u janë përgjigjur ftesës sime, në mënyrë që për së afërmi të jenë të njoftuar me zhvillimet e fundit meqenëse interesimi i tyre është i madh. Në vend që të takohemi secili prej nesh ndaras, kishim një shancë të mirë që të takohemi të gjithë bashkë. Nuk ka përafërim të pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata insistojnë në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar. Ne kemi bërë edhe dy propozime të tjera prej se e kemi dërguar emrin tim te Presidenti i Kosovës si person për Kryeministër të ri – janë propozimet e datës 24 janar dhe 27 janar. Mirëpo, për marrëveshje nevojitet përafrim i dyanshëm. Nuk mund të ketë përafrim të njëanshëm. Ne jemi afruar, mirëpo, nga ana tjetër, ka insistim vetëm në 8 janar, në stilin “merre ose lëre”. Me qasjen “merre ose lëre” nuk mund të arrijmë marrëveshje.

Lexo po ashtu:  Komision parlamentar për të sqaruar rolin e Shqipërisë në luftën e Kosovës

Gazetarja: Kanë mbetur edhe një javë deri në seancën ku duhet të paraqitet kabineti qeveritar, çka tash z. Kurti a do të ketë ende takime me LDK-në apo si do të përfundoj e gjithë kjo?

Albin Kurti: Unë përpjekjet nuk i ndali në shndërrimin e ndryshimit politik të 6 tetorit në ndryshim institucional në Republikën e Kosovës. Populli e ka thënë fjalën e vet, interesimi dhe gatishmëria ime kurrë s’ka qenë më e madhe për marrëveshje. Është e vërtetë që na kanë ngelur vetëm edhe një javë. Me vullnet të mirë dhe me punë të palodhshme, pa u kursyer, pa rezerva për asnjë gjë, kam qenë i hapur që të arrijmë marrëveshje, por, po them edhe njëherë, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Afrimi i pozicioneve duhet të jetë i dyanshëm.

Ju falemnderit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *