Diplomati dhe studjuesi Shaban Murati sapo ka nxjerrë nga shtypi librin e tij të ri “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, botuar nga shtëpia botuese “Albas” me sponsorizim të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”.

I shkruar prej njerit nga ekspertët më të mirë shqiptarë të diplomacisë në përgjithësi dhe të diplomacisë detare në veçanti, libri vjen në kohën e duhur, kur po shtohen enigmat, mjegullat, pikëpyetjet dhe intrigat e reja diplomatike rreth të ashtuquajturës çeshtje të detit, që është vendosur artificialisht në qendër të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Shumë kishin menduar se me vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të 15 prillit 2010, që rrëzoi dhe shpalli të pavlefshme marrëveshjen e dëmshme të detit të nënshkruar nga qeveritë e dy vendeve në vitin 2009, ishte dhënë përgjigja përfundimtare dhe qendrimi përfundimtar juridik, shkencor, historik dhe diplomatik mbi një çeshtje, që nuk kishte ekzistuar kurrë më parë në historinë 100 vjeçare të marrëdhënieve midis dy shteteve.

Fatkeqësia historike nuk është pse Greqia nuk u pajtua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, por që vetë Shqipëria eci dhe po ecën edhe në ditët e sotme me hartën rrugore diplomatike greke, duke hedhur poshtë praktikisht vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese.

Libri portretizon profesionalisht këtë vazhdimësi të fizionomisë së diplomacisë së Shqipërisë në pozitën e të nënshtruarit historik ndaj diplomacisë greke, me autogolin e madh zyrtar të shndrrimit të kufirit shtetëror detar të Shqipërisë në një objekt tratativash me Greqinë.

Diplomacia shqiptare në fazën e re të bisedimeve midis dy ministrive të jashtme për detin në vitin 2017 iu kundërvu vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke hedhur në pazarin diplomatik kufirin shtetëror detar. Ajo sfidonte edhe të gjitha aktet dhe traktatet ndërkombëtare, që kanë vulosur kufijtë përfundimtarë tokësorë dhe detarë të Shqipërisë me Greqinë, siç është “Akti përfundimtar i delimitimit të kufijve të Shqipërisë”, i vendosur nga fuqitë e mëdha në Paris në 30 korrik 1926, të cilin e ka pranuar dhe firmosur edhe qeveria e Greqisë.

Lexo po ashtu:  Bilbili, - nga Naim Frashëri

Kopertina e librit

Autori bën mirë që e sjell përsëri për lexuesit në librin e tij faksimilen e këtij dokumenti të çmuar, i cili është për Shqipërinë dokumenti më i rëndësishëm kombëtar dhe ndër-kombëtar pas Deklaratës së Pavarësisë të 28 nentorit 1912.

Autori zbërthen për herë të parë metodën dinake diplomatike greke të të ashtuquajturës “paketë e çeshtjeve shqiptaro-greke” në bisedimet midis dy ministrive të jashtme. “Diplomacia e toptanpazarit”, siç e quan autori, ishte kurthi diplomatik grek, që i diktoi Tiranës në vitin 2017 rinegocimin e marrëveshjes së anulluar të detit të vitit 2009, me të njejtin objekt dhe natyrisht të njejtin efekt si marrëveshja e vitit 2009.

Libri shpjegon pse qeveria bëri një lëshim të jashtëzakonshëm të shkeljes së interesave kombëtare, kur ofroi të diskutonte në pazarin e ri diplomatik me Athinën kufirin shtetëror detar të Shqipërisë. Është tronditëse deklarata e Komisionerit të Lartë të BE, Johannes Hahn, i cili në 11 korrik 2018 zbulon se marrëveshja e re detare midis Shqipërisë dhe Greqisë “do të jetë rreth ristrukturimit të kufijve”.

Libri shpjegon pse qeveria bëri një lëshim të jashtëzakonshëm në dëm të interesave kombëtare, kur pranoi kushtin grek të përjashtimit të çeshtjes çame nga e ashtuquajtura paketë e “diplomacisë së toptanpazarit”. Analizohet absurdi se si Shqipëria i dhuroi Greqisë në vitin 2017 edhe çeshtjen e detit, edhe çeshtjen çame, kurse Greqia u tall me Shqipërinë duke i dhënë apostilën apo patentat e shoferëve dhe duke mos hequr as ligjin e turpshëm të luftës.

Lexo po ashtu:  Historia e “Marsejezës”, himnit të Francës

Libri përqendrohet në dinamikën e ringjalljes së marrëveshjes së vdekur të detit të vitit 2009 në një formë të re, e cila madje u bë gati të nënshkruhej në prill 2018 në Korçë në ditën e Pashkëve ortodokse. Por ndërhyrja e fuqishme e shteteve aleate të NATO-s e ndaloi atëhere nënshkrimin e marrëveshjes së re të dëmshme.

Lexuesi njihet me ecurinë e rrezikshme, ku futen interesat kombëtare me formulat e reja të diplomacisë greke, si ajo e zgjerimit të ujrave territoriale greke në ishujt e detit Jon në 12 milje, dërgimi i temës së detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, etj.

Këto formula analizohen në gjenezën e tyre, duke ndriçuar theqafjet, ku e joshin diplomacinë dhe qeverinë shqiptare manovrat e diplomacisë dhe të qeverisë greke, të cilat për arsye të paqarta shteti shqiptar i pranon pa u menduar dy herë. Vend të veçantë zë në libër analiza e situatës së re të rrezikshme të krijuar për të ashtuquajturën çeshtje të detit nga marrëveshja e arritur në tetor 2020 nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Greqisë për të dërguar sëbashku në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë bisedimet e tyre për detin.

Kjo argumentohet si rruga e gabuar e çvleftësimit të akteve dhe traktateve ndërkombëtare, që kanë sanksionuar kufijtë e Shqipërisë, dhe si një përpjekje për të krijuar alibi për një marrëveshje të re të dëmshme të detit.

Duke analizuar vendimin qeveritar për Gjykatën Ndërkombëtare, ku për fat të keq, siç shprehet me kënaqësi ministri i jashtëm grek Dendias, forcat kryesore politike shqiptare janë dakord, libri paralajmëron për rezultatin në dëm të Shqipërisë, që duhen pritur nga hapi i gabuar i dërgimit në atë Gjykatë. Referohet një argument i fuqishëm se Greqia qysh në janar 2015, pasi i sugjeroi Tiranës në vitin 2014 vajtjen në Gykatën Ndërkombëtare, depozitoi fshehtas në OKB dokumentin zyrtare, sipas të cilit Greqia nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare në çeshtjet e kufirit të saj detar.

Lexo po ashtu:  Na ishte një herë një mbret, që besonte në paqe. Rrëfimi i Paulo Coelhos për Pashkë

Autori e ka vendosur spektrin e bisedimeve për detin midis dy vendeve në një kuadër më të gjërë të marrëdhënieve dypalëshe, ku çfaqen dobësitë dhe lëshimet strategjike të diplomacisë dhe të qeverisë shqiptare. Në këtë drejtim trajtohet për herë të parë çeshtja e kërkesave të reja të diplomacisë greke ndaj Tiranës, siç është ajo e “vetëvendosjes” për minoritetin grek dhe e një statusi të ri të privilegjuar juridik, politik dhe administrativ për atë minoritet në qeverisjen e Shqipërisë.

Duke qenë koherent me problematikën dhe me zhvillimet ndërkombëtare të diplomacisë detare në detin Mesdhe, bisedimet detare të Shqipërisë me Greqinë trajtohen në dritën e elementeve dhe raporteve të reja detare të Greqisë me Turqinë, me Italinë dhe me Egjiptin. Analiza sjell përvojën e re, që duhet shfrytëzuar nga Tirana, dhe të cilën e krijuan të tre shtetet e mësipërme mesdhetare, të cilat në vitin 2020 në bisedimet dhe në marrëveshjet detare me Greqinë nuk i lejuan Athinës rivendikimet e saj që ishujt grekë të fitonin të drejtën për shelf kontinental dhe për zonë ekonomike ekskluzive.

Libri “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” sëbashku me librin tjetër të autorit “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, botuar në 2018, përbëjnë një enciklopedi shteruese dhe një busull orientuese për diplomacinë shqiptare të detit dhe për mendimin diplomatik dhe shkencor shqiptar në përballjen me rivendikimet e padrejta të vjetra dhe të reja territoriale të shtetit fqinj dhe për të mbrojtur të drejtat historike dhe interesat shtetërore dhe kombëtare të Shqipërisë./dita/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *