Thuhet se të jesh prind është zanati më i vështirë, sepse është shumë e lodhshme t’i bësh fëmijët e tu të të binden. Imagjinoni atëherë sa e vështirë është që të të ndjekin pas persona që nuk i ke njohur asnjëherë. Të hysh për shembull në një kompani dhe t’i japësh urdhëra një ekipi për të realizuar një projekt të ri. Për të mos folur kur promovohesh dhe bëhesh një herë e përgjithmonë shefi i kolegëve të tu. Ndodh. Dhe kur ndodh, shfaqet dyshimi: a do të jem një shef i mirë? Jemi të rrethuar nga ekspertë të lidershipit, të formimit menaxherial, të zhvillimit të burimeve njerëzore. Nëse receta e shefit të përsosur nuk ekziston, ka strategji të dobishme për ata që duhet të japin urdhëra. Dhe në fund janë të njëjtat edhe për një politikan, një trainer skuadre basketbolli, një shef reparti në një spital apo një drejtor marketingu.

TOKSIKE APO POZITIVE
“Ekzistojnë dy tipe shefash, në bazë të dy llojeve pushteti që përdorin: lideri toksik, që përdor pushtetin hierarkik ose rolin, dhe lideri pozitiv, që përdor pushtetin personal”, shpjegon Alessio Roberti, sociolog, ekspert i lidershipit dhe komunikimit. “Lideri toksik, për të arritur dicka nga ekipi i tij, përdor tre lloj komunikimi: urdhëron (unë jam shefi dhe do të bësh këtë), kërcënon (nëse nuk e bën këtë do të të ndëshkoj, do të të pushoj nga puna) dhe përdor forcën (nëse kundërshton, të shmang ose ia kërkon dikujt tjetër ta bëjë dhe të heq)”, thotë Roberti. “Ndërsa lideri pozitiv ka aftësinë, me sjelljen e tij, që t’i bëjë të tjerët që t’i bëjnë gjërat sepse duan dhe jo thjeshtë seps eduhet, duke i bindur për mirësinë e ideve të tij”.
E lehtë të kuptohet se cili është mjedisi i punës ku ndihemi më mirë: ai në të cilin pushteti hierarkik përkon me atë personal. Shefi është aty sepse na e kanë vendosur, por edhe sepse ne e kemi pranuar si të tillë. Kur flet ai dëgjohet, përballohet. Në të kundërt, mjedisi i punës me liderin toksik është i pashëndetshëm sepse i bindemi një shefi të cilit nuk ia pranojmë lidershipim: thjeshtë e pësojmë. Megjithatë, edhe shefi toksik mund të bëhet autoritar. Fjala kyçe këtu është përfshirja. “Kam njohur një gjeneral që e donin shumë. Gjithmonë pyeste njerëzit në ekipin e tij: ju çfarë mendoni? Më pas i dëgjonte, edhe më të rinjtë. Në fund vendoste si ta menaxhonte situatën, por të tjerëve ndërkohë u kish mbërritur mesazhi se konsideroheshin pjesë e një ekipi, dhe jo thjeshtë numra”, përfundon eksperti.

Lexo po ashtu:  Mitologjia shqiptare: Pse në të s’ka zota?!

ARMA PER NDRYSHIMIN
Në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2008, shtypi ishte dakord: Obama kishte fituar sepse kishte “karizmë”. Ishte pra në gjendje të siguronte mbështetje, të frymëzonte besim: ishte presidenti i “Po, ne mundemi”. Natyrisht, karizma nuk u shërben vetëm liderëve botërorë, por cilitdo që dëshiron të tërheqë një grup drejt një objektivi: “Nuk është e nevojshme të jesh person karizmatik për të qenë një menaxher i mirë, por është shumë e dobishme që të perceptohesh si karizmatik kur përpiqesh të nisësh një organizatë të re, ose ta ndryshosh”, thotë Michael Morris, i cili jep leksione në Columbia Business School në New York. “Shefi që nuk ka karizmë nuk ka aftësi krijimi marrëdhëniesh dhe komunikimi, nuk do të arrijë të sigurojë mbështetje dhe do të jetë vetëm. Kështu që nuk mund të mbërrijë në objektivin që ka vendosur”, shpjegon Nancy Cooklin, eksperte e komunikimit dhe arsimit. Mbi bazën e më shumë se tre dekadave kërkime, Ronald Riggio, psikolog i Claremont McKenna College të Californisë, thotë se shefi karizmatik zotëron një ekuilibër mes gjashtë cilësive: entuziasmin, besimin në vetvete, ekspresivitetin emocional, elokuencën, vizionin për të ardhmen, ndjeshmërinë. “Ka njerëz që janë instiktivisht karizmatikë, por lajmi i mirë është që shumë prej këtyre cilësive mund të përftohen”, shpejgon Odile Robotti, psikolog ekspert i lidershipit dhe docent në Universitetin Vita-Salute San raffaele të Milanos. Edhe pse në bazë të të gjithave duhet të jenë vetëvlerësimi dhe pasioni. “Lideri fitues është ai që është i sigurtë në vetvete dhe që shtyhet nga pasioni për atë që bën. Pikërisht se beson me të vërtetë, do të transmetojë më shumë besim dhe entuziasëm tek të tjerët”, shton Robotti.

Lexo po ashtu:  Botëkuptimet e Sami Frashërit dhe Vaso Cubrilloviqit përmes veprave të tyre - Copëza nga "Publikja shqiptare 3, Fraza politike" (2018)

JO VETEM ME FJALË
Të folurit për një shef është shumë i rëndësishëm. Liderët që ushtrojnë një ndikim mbi të tjerët duke shfrytëzuar shprehjen e emocioneve, përdorin për shembull një gjuhë emocionale, të pasur me fjalë që transmetojnë emocionet bazë, të cilët nga ana e tyre rroken menjëherë prej atyre që po dëgjojnë. E vërteton një studim i Dean Simonton i Universitetit të Californias në Davis, i cili duke analizuar fjalimet e presidentëve më të dashur të Shteteve të Bashkuara ka zbuluar se në këta fjalime shfaqeshin më shpesh fjalët “dashuri”, “urrejtje” ose “lakmi”. Dhe sipas studiuesit, frazat që krijojnë më shumë simpati janë të tipit: “e provoj dhe unë dhimbjen tuaj”, më shumë se sa “e kuptoj këndvështrimin tuaj”. Jo vetëm kaq. Gjuha e liderit vizionar, i cili dëshiron t’u transmetojë qartësisht të tjerëve drejtimin e një projekti, duhet të jetë e mbushur me imazhe dhe metafora. Nuk duhet të jetë abstrakt, por e pasur me shembuj konkretë. Lideri i zoti duhet të kurojë edhe gjuhën e trupit: si lëviz, si qëndron në këmbë apo ulur, si gjestikulon. “Ajo që ka rëndësi nuk është aq shumë të jesh ai që thua, por si e thua”, thotë Alex Pentland, në kurset e tij të formimit për drejtues në Massachusetts Institute of Technology. Lideri më i vlerësuar është ai që buzëqesh shpesh, dëgjon me vëmendje të tjerët, sheh në sy dhe pohon shpesh me kokë. “Edhe toni i zërit është i rëndësishëm. Për ta patur të qetë dhe rehatues, duhet folur në mënyrë të lirshme, por jo shumë shpejt, edhe pauzat në vendin e duhur kanë rëndësi. Një truk? Kontrollimi i frymëmarrjes. Pastaj trupi nuk duhet të lëvizë shumë. Kush shpreh autoritet qëndron më i palëvizshëm, nuk gjestikulon shumë, rri në këmbë me bustin e ngritur, ka një qëndrim të hapur dhe zë më shumë hapësirë përreth vetes. Gjë që u del më kollaj burrave: zakonisht gratë janë më shumë në lëvizje, janë më shumë të shqetësuara edhe në karrike”, shpjegon Robotti.

Lexo po ashtu:  NYT, 1913: Pse e krijoi Austria Mbretërinë e Shqipërisë, sot në pritje të një Princi dhe me kryeqytet Elbasanin

ENERGJI DHE KOHERENCE

Vetëvlerësim, ndjeshmëri, pasion. Një dozë e lartë energjie që synon për nga optimizmi. Dhe ambicia, e cila është themelore për të bërë sakrificat e nevojshme dhe për të mos hequr dorë asnjëherë. Janë këto fjalët kyçe për një udhëheqës të mirë. Gjithmonë duke marrë të mirëqenë që i ka aftësitë vendim-marrëse, të cilat burojnë prej kompetencës së tij: ai që udhëheq një grup shitësish, duhet të jetë shitësi më i mirë. Traineri i një skuadre futbolli mund të mos jetë sot më i miri në fushë, por me siguri dikur ka qenë.
“Unë do të shtoja edhe koherencën. Nëse dëshiron që të tjerët të japin maksimumin, lideri duhet të japë shembullin: të vijë i pari në zyrë dhe të largohet i fundit”, shton Robotti, i cili konkludon: “Dhe duhet të ndjekë gjithmonë objektivin e tij, u pëlqen apo jo të tjerëve”. Edhe sepse, dhe kjo është këshilla e fundit, një shef i mirë nuk duhet të kërkojë me forcë konsensusin e të gjithëve. Për të siguruar rezultate në shkencën e komandës, nuk shërben të përpiqesh që t’u pëlqesh të gjithëve: madje kjo është mënyra më e mirë për të humbur autoritetin. Ja përse një lider i mirë duhet të ketë kruajën për të bërë ndokënd të pakënaqur, për të vënë rregulla, për të thënë jo. PIkërisht si përpjekjet që duhet të bëjë një prind që kërkon t’u tregojë rrugën e drejtë fëmijëve të tij. /LeScienze/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *