Azgan Haklaj
Ripërtëriu epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit
I kallëzoj botës se shqiptarët janë trashëgimtarë të një rracë fisnike, bartës të një gjuhe e kulture që ka lindur në agimin e qytetërimit botërorë
Brumosi shqiptarët me ndjenjën e nacionalizmit, zgjoj vetëdijen kombëtare, dashurinë për Atdheun e sakrificën sublime për të
“Sikur tri jetë t’i kisha, të tria do t’i shkrija për lirinë e Atdheut.
“Jetoni dhe vdisni për Shqipëri”.  Sylejman Vokshi
Me dt 10-të qershor të vitit 1878-të  dhjetëra delegatë  nga të gjitha  viset shqiptare u mblodhën në Prizren,në Kuvendin e Prizrenit.
Burrat e shquar të Kombit Shqiptar, gjeneralë, ushtarakë karriere, ideologë të nacionalizmit dhe Rilindjes Kombëtare, klerikë e prijës të sprovuar në luftërat për liri thirrën këtë Kuvend panshqiptarë si domosdoshmëri historike.
Ata filluan punimet e tij menjëherë pa humbur kohë, ndonëse nuk kishin mbërritur të gjithë delegatët, për shkak të pengesave të shumta, që synonin sabotimin e    organizimit të kësaj besëlidhje shqiptare.
Për numrin e pjesëmarrësve ka të dhëna të ndryshme, që nga, 300, 133, 110, 47, por sigurisht nuk janë të përfshirë të gjithë, për arsye se delegatët e vilajetit të Shkodrës nuk arritën të mbërrinin në kohë, po ashtu edhe të Manastirit, kurse nga vilajeti i Janinës kishin ardhur vetëm 2, natyrisht njeri ishte Avddyl Frashëri.
Kishin ardhur edhe disa feudalë sllavë e turqë nga viset e Bosnje Hercegovinës.
Vetëm bordi i Lidhjes kishte 60 antarë.
Kararnamen (dekretin), e kanë firmosur 47-të vetë, prandaj shumica e studiuesve i referohen këtij numri.
Kjo ngjarje historike për nga efekti që solli në historinë kombëtare për liri e pavarësi dhe shtetëformim, pavarësisht largësisë kohore, radhitet me dinjitet dhe meritë të pamohueshme përkrah famëmadhes, Besëlidhjes së Lezhës dhe është vazhdim i natyrshëm i ideologjisë, platformës e srategjisë së saj në kushte të reja historike.
Ky Kuvend panshqiptarë me shtrirje e pjesëmarrje nga të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar, pas Shtetit të Përqendruar Arbëror të Gjergj Kastriotit, është e para lëvizje kombëtare që ripërtëriu Epokën e Moisiut tonë, Gjergjit të lavdishëm.
Ky Kuvend është i pari i organizuar me platformë të qartë politike, ushtarake, administrative.
Betejat shekullore të popullit shqiptar deri atherë ishin të identifikuara me kryengritjet e pandërprera e të përgjakshme kundër Perandorisë Osmane.
Por atëkohë rreziku i frikshëm ishte ekspansioni shovinist sllavo- ortodoks i shteteve fqinjë që kishin shpallur pavarësinë nga Turqia, si Serbia, Greqia, Bullgaria, Mali i ZI, prandaj shtrohej përpara elitës shqiptare nevoja urgjente e mbledhjes së një Kuvendi Kombëtar të mandatuar nga përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare.
Populli shqiptar me anë të prijësve e përfaqësuesëve të tij u dha plotëfuqinë delegatëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të vendosur për të ardhmen e tij.
Beteja ishte në shumë fronte me turqit, malazezët, serbët, bullgarët, grekët.
Disfatat e rënda të otomanëve me Rusinë Cariste, çertifikimi që i bëri Traktati i Shën Stefanit ëndrrave shoviniste të Rusisë e satelitëve të saj sllavë në Ballkan, fqinjëve armiq’ shekullorë të shqiptarëve e vunë në pikëpyetje serioze vetëekzistencën shqiptare dhe të ardhmen e tyre në Ballkan.
Në këtë udhëkryq të errët të historisë, shqiptarët patën fatin e madh historik të kishin si interpret të ëndrrave të së ardhmes së tyre një ansambël burrash të shquar, mendjendritur, vizionarë e luftëtarë të paepur, të cilët kanë zënë vend të përjetshëm në Panteonin e Kombit Tonë.
Rilindasit e mëdhenj Pashko Vasa, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, prijësit e shquar Iliaz Pashë Dibra, Mehmet Pashë Deralla, Ali Pashë, Gucia, Idriz Seferi, Binak Alija, Haxhi Zeka, Hodo pashë Sokoli patën në krah komandantët e shquar Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Ded Gjon Luli, Baca Kurti, Çun Mula, Preng Bib Doda,     klerikët patriotë Imer Prizrenin dhe Ahmet Koronicën, trimat e shquar Jakup Ferri, Mic Sokoli, Col Delia, Sef Kosharja, Shpend Zeqir Haklaj, simbolet e pavarësisë së Shqipërisë Bajram Curri e Isa Boletinin që rrokën pushkët e u rreshtuan në Ushtrinë e saj në moshë fare të re.
Listës së personaliteteve kontribues të Lidhjes i shtohen Haxhi Shaban Prizreni, Hasan pashë Tetova, Zija bej Dibra, Jashar bej Shkupi, Shaban Bej Peja, Filip Doda, Shuajip Spahiu, Mustafa pashë Vlora, Vesel bej Dino etj.
Disa ditë para këtij Kuvendi historik Sulltan Abdyl Hamidi kishte thirrurr në Stamboll disa personalitete shqiptare me qellim që t’ua ipononte dhënien e karakterit islamik kësaj besëlidhje shqiptare, e pasi dështoj në përpjekjet e tij për t’i bindur u mundua t’i pengonte për të kthyer, por nuk ia arriti qëllimit dhe ata mbërritën në kohë.
Vendimi i Kuvendi të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare, pasi i dha goditje dërrmuese Stambollit në përpjekjet e tij për ta veshur atë me mantel islamik dhe hodhi themelet e një organizate kombëtare shqiptare.
Menjëherë u formuan organet e saj të larta.
Në krye të saj qëndronte Këshilli i Përgjithëm me seli në Prizren, me kryetar Iliaz Pashë Dibrën.
U  krijua qeveria e përkohëshme, Ushtria e saj.
“E verteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” e Pashko Vasës u ba Platforma e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Uniteti Krahinor dhe fetar ishte boshti ideologjik i udhëheqësve të saj, të cilat u sanksionuan edhe në programin dhe në aktet juridike të saj, të hartuara nga Iluministi Pashko Vasa.
U shpall një besëlidhje e përgjithshme për ndalimin e të gjitha veprimeve të gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave të ndryshme që përfaqësoheshin në Kuvendin e Prizrenit.
Në relacionet që iu dërguan kancelarive të fuqive të mëdha të kohës, drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ia banë qartësisht të ditur opinionit publik ndërkombëtarë se shqiptarët janë një Komb dhe etni e pandarë në trojet e tyre të lashta iliro-dardano-arbërore në Ballkan.
Vendosmëria e Qeverisë së Përkohëshme e kryesuar nga Imer Prizreni dhe e Ushtrisë së Lidhjes e kryesuar nga Sylejman Vokshi për të mbrojtur me çdo çmim trojet shqiptare nxitën e vunë në veprim të shpejtë diplomacinë ruse dhe agjentët e saj për të përçarë shqiptarët në bazë fetare.
U hartua një plan ogurzi për spastrimin territorial në trekëndëshin Pejës -Gjakovë -Prizren nga shqiptarët katolikë që banonin në këto treva qysh në kohët e Krishtërimit Apostolik.
Këtij projekti famëkeq iu kundërvunë me vendosmëri e vizion patriotik kombëtar udhëheqësit e shquar të Lidhjes Haxhi Zeka dhe Ali Ibra.
Për Ali Ibrën, konsujt austriakë e rusë i njoftuan menjëherë kryeqendrat e tyre perandorake, Vjenën dhe Shën Petërburgun se “I ka marrë në mbrojtje shqiptarët katolikë të Rrafshit të Dukagjinit”.
Turqia edhe pse ishte goditur rëndë nga Traktati i Shën Stefanit i dt 3 mars të vitit 1878-të, edhe pas  ngjarjeve e 4-5-6 shtatorit të vitit1878-të, aksioni i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që kulmoj me vrasjen në kullën e Adullah Pashë Drenit të Mehmet Ali Pashë Maxharrit, i cili kërkonte që Plavë e Gucia t’i jepeshin Malit të Zi, ajo nuk kishte ndërmend të bënte asnjë lëshim ndaj kërkesave të shqiptarëve për autonomi e vetëqeverisje.
Së bashku me të u vra dhe Adullah Pashë Dreni, i cili kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për organizimin e Lidhjes, por u rreshtua me të derguarin e fuqive të mëdha, e mori në mbrojtje atë, duke tradhëtuar kauzën kombëtare e duke u damkosur si tradhëtar.
Turqia nuk donte të njihte dy elementë themelorë të Identitetit shqiptar Kombësinë Shqiptare dhe Gjuhën Shqipe.
Krahas betejave legjendare në disa fronte kundër turqëve dhe sllavëve Qeveria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilloj dhe një betejë intensive diplomatike nëpërmjet kryeministrit të Italisë së bashkuar, arbëreshit Françesko Krispi.
Abdyl Frashëri e patriotë të tjerë arritën ta ndërkombëtarizojnë çeshtjen kombëtare dhe ta vinin në tavolinën e kancelarit gjerman Bismark, pikërisht në virgjilje të Kongresit të Berlinit me dt 13-të qershor të vitit 1878-të, ku fuqitë e mëdha do të përcaktonin kufijtë e Ballkanit.
Megjithëse i mbledhur për të korrigjuar Traktatin e Shën Stefanit dhe për t’i venë fre orekseve shoviniste ruse në Ballkan, Kongresi i Berlinit u shkaktoj dëme të mëdha shqiptarëve.
Vendimet e tij u pritën me indinjatë nga patriotët shqiptarë anë e mbanë trojeve etnike shqiptare.
Ushtria vullnetare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilloj beteja legjendare me forcat ushtarake të Mark Milanit të Malit të Zi dhe i zmbrapsi ato duke u shkaktuar humbje të mëdha.
Vetëm në brigjet e Lumit Lim trimat shqiptarë të udhëhequr nga Ali Ibra, Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, i asgjesuan qindra- mijëra luftëtarë malazezë.
Aq të përgjakshme ishin këto beteja saqë Limi u skuq nga gjaku i derdhur dhe kokat e të vrarëve rrokulliseshin nëpër lumë si gurë.
Beteja e qëndresa shqiptare pati jehonë ndërkombëtare.
Katër shekuj pas Epopesë së Gjergj Kastriotit (Skenderbeut) shqiptarët arritën të bëhen faktor detërminues në Ballkan.
Berlini u dorëzua duke respektuar faktet reale në terrenin e luftimeve.
Në vend të Plavë -Gucisë u njohu të drejtën malazezëve të aneksonin Hotin dhe Grudën.
Ideatorët e Planit B të Berlinit menduan se këto treva që banoheshin nga shqiptarët katolikë do të ishin kockë e lehtë për t’u gëlltitur me pretendimin se Mali i Zi i krishterë do t’i mashtronte me lehtësi e më vonë do t’i asimilonte krejtësisht ata.
Trimat e këtyre maleve dhe ushtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i mbrojtën këto troje me të njëjtin heroizëm që mbrojtën Plavë- Gucinë.
Në të gjitha kryeqendrat e trevave shqiptare, nga Janina në Ulqin dhe Tivar Lidhja Shqiptare e Prizrenit i krijoj degët e saj.
Ngriti administratën e gjykatat shqiptare.
Urdhëroj përdorimin e Gjuhës Shqipe.
Me këto veprime të shpejta konstruktoj tiparet themelore të qenësishme të Shtetit Komb.
Ajo asnjëherë nuk e njohu ndarjen administrative të shqiptarëve në katër vilajete, pas riorganizimit të Perandorisë Otomane, me përfundimin e reformave të Tanzimatit.
Ajo krijoj një autoritet qëndror, politik, administrativ, ushtarak duke krijuar qeverinë e saj.
Kushtet e rënda historike, në të cilat u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, beteja në disa fronte, dhe statukuoja që fuqitë e mëdha europiane e monarkitë e tyre vëndosën në Ballkan, egërsia dhe barbaria e Ushtrisë Turke e armatosur gjer në dhëmbë, ndaj popullsisë civile të pambrojtur e detyruan atë që pas luftimeve heroike dhe qëndresës së paepur në Shtime dhe Caralevë me dt 18-23 prill të vitit 1881 të shpërndahej.
Me 18-të prill të vitit 1881 Ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u ndesh me ushtritë turke të komanduara nga Dervish Pasha në Shtime dhe Slivovë.
Rreth 3000 luftëtarë, vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione turke me mbi 15000 ushtarë, oficerë, të paisur me armatimin më të mirë të kohës.
Betejat ishin të përgjakshme, me heroizëm të madh të shqiptarëve, ndonëse në kushte të pabarabarta, por u treguan qëndrestarë të paepur e të pathyeshem deri në flijim për Atdheun.
Me dt 20-të prill të vitit 1881Mic Sokoli, veprimtari i shquar kundër Reformave të Tanzimatit, i aksioneve të Ushtrisë së Lidhjes, në Gjakovë për vrasjen e Pashë Maxharrit, në betejat për mbrojtjen e trojeve tona në Plavë – Guci, në Betejën e Nokshiqit në dhjetor 1879- janar 1880-të, në mbrojtjen e Hotit dhe Grudës, në Betejën e Shtimes i vuni gjoksin shkëmb topit të sulltanit e mbeti në fushën e nderit dhe të lavdisë për tu përjetësuar në këngë.
“N’Fushë  t’Kosovës u lidh jezeri, (mjegulla).
Haj medet ka mbetë shumë njeri.
Mic Sokoli e Zmajl Hyseni”.
Apo:
“Mic Sokoli ban me dorë.
Besa shokë s’po muj me folë.
Se m’ka ra do gjak në gojë.
Se m’ka ra do gjak në bark
Shtatë martine i kam në shtat”.
Aty u plagos Ali Ibra zv komandanti i ushtrisë së Lidhjes dhe Shpend Zeqir Haklaj komandant i formacioneve luftarake të Gashit.
Aktet heroike të shqiptarëve dhe panoramen e tmerrshme të luftës e përshkruajnë  me realizëm. vargjet:
“Ali Ibra n’vraç të zi.
Po i shkon gjaku për zingji.
Se këtu i thonë shqiptari”.
Për shkak të epërsisë numerike, barbarisë shtazarake të ushtrive të panumërta e që shtoheshin nga ora në orë Ushtria e Lidhjes me dt 21 prill tërhiqet.
Me dt 22-23 prill u zhvilluan luftime të ashpra në Qafë Dule dhe Suharekë për të penguar ushtritë osmane të hynin në Prizren.
Pas thyrjes së rezistencës së kryengritësve shqiptarë kapet i plagosur Sef Kosharja në Malin e Porodimës, afër Shtimes dhe nga këtu i lidhur për duarsh u dërgua para Dervish Pashës në Kodrën e Gllavicës afër Kosharës, në pikën me strategjike të saj, të quajtur Okol.
Pashai i premtoj Sefës se nëse distancohesh nga “Hasharati”, siç i quanin turqit malësorët kryengritës do ta falte e do ti ndërtonte një kullë të bukur.
Sef’ Kosharja iu kundër përgjigj Pashës me këto fjalë:
“O Pashë s’jam me ty e as bahna.
Besën ua kam dhënë krerëve të dheut e Flamurit tim e qe besa edhe des.
Besa tek ne nuk shkelet së kena ftyrë”.
Meqenëse Dervish Pasha nuk ia doli me dinakëri e premtime të përfitonte e ta bindte, i egërsuar nga qëndrimi mospërfillës i trimit dha urdhër të varej në lis dhe u la ashtu i varur për tre ditë, për të tmerruar,  mbjellur frikë e panik tek kryengritësit.
“Kush ta heqin nga litari i pritet koka dha urdhër pashai i Turqisë”.
Pas tre ditësh nipi i tij, djali i motrës Shabani nga Shtimja e mori dajën Sef’ dhe e varrosi në varrezat e Sllatinës në Slivovë.
Populli e ka gdhendur në këngë lisin e shqiptarisë Sef Kosharja:
“Sef’ Kosharja i pari i fisit.
Hije t’paska maja e lisit.
Hije m’ka o shok’t e mi
E dhash’ jetën për liri”.
Para litarit përfundoj edhe Komandanti i Ushtrisë së Lidhjes Sylejman Vokshi.
Ai u denua nga Porta e Lartë me vdekje, varje në litar.
Fjalët e fundit para gjykatës së Perandorisë Otomane të Sylejman Vokshit “Sikur tri jetë t’i kisha, të tria do t’i shkrija për Atdheun tim” tregojnë karakterin e pathyeshëm të tij dhe vetëdijen për sakrificën sublime.
 “Jetoni e vdisni për Shqipëri” është testamenti i tij para litarit të Turqisë.
Sylejman Vokshi dhe Ali Ibra qëndruan të patundur gjer në fund.
Qëndresën e komandantit të pamposhtur e përshkruan kënga:
“Jam Syl Vokshi e s’e lshoj trollin
Krah për krah me Mic Sokolin”.
Për shkak të popullaritetit të madh të tij Sulltan Abdyl Hamidi ia fali jetën.
Ia ktheu denimin internim me punë të detyruar dhe më vonë, pas një amnistie u kthye në shtëpi.
Ai kaloi në amshim në vitin 1890-të.
Ketë vit ka 130-të vjetorin.
Megjithëse pati jetëgjatësi të shkurtër, vetëm tre vite
1878-1881, Lidhja e Prizrenit i tregoj botës se shqiptarët janë trashëgimtarë të një rrace fisnike, bartës të një gjuhe dhe kulture që ka lindur në agimin e qytetërimit botërorë.
Lexo po ashtu:  Dr. Hysamedin Ferraj i përgjigjet shpifjeve të Pajtim Ollurit, pronarit të portalit të njëanshëm, "Insajderi",

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *