Së fundi më kanë tërhequr vëmendjen dy deklarata kontradiktore që vijnë nga opozita. E para, është një letër e kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila iu drejtua një numri ambasadorësh perëndimorë, me kërkesën e ngritjes së një komisioni ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e Shkodrës, së cilës iu përgjigj ambasadori austriak duke i thënë se jemi në vitin 2019 jo në vitin 1913. E dyta, ishte një deklaratë e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, sipas së cilës, problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë, jo të na i zgjidhin ndërkombëtarët.

Janë dy qëndrime që shprehin një moment të dyzuar të mendimit politik shqiptar që tregojnë se, në një anë, Shqipëria mbetet ende, siç thoshte Fishta në vitet 1913, si ai zogu në fole që pret të vijë ta kojë “nana Evropë” dhe, nga ana tjetër, nevojën për të dalë nga këta shpërgënj e për të fluturuar. Fatkeqësisht, për momentin, letra e Ademit është tregues i kulturës dominante politike, kurse thirrja e Bashës mund të konsiderohet si ndër cicërimat e para të zogut që kërkon të dalë nga foleja.

Vështroni entuziazmin, me të cilin opozita iu referua raportit të ODIHR-it mbi shkeljet në votimet e 30 qershorit dhe, në përgjithësi, reklamimit të shumë të dhënave që provojnë se Edi Rama dhe të tijtë kanë vjedhur përsëri vota. Pyetja që ngrihet është: pse gjithë kjo energji, a thua se nuk mjaftonin përgjimet e botuara në “Bild” për të provuar se Partia Socialiste është një organizatë kriminale, dhe a ia vlen të shpenzohen më energjitë politike për të sqaruar këtë? Duke pasur parasysh se populli është goxha i informuar dhe madje e dha qëndrimin e tij me abstenimin në votime mbetet të thuhet se aksioni i opozitës, më së shumti, synon të kthejë në “Gjykatën e Apelit” të ndërkombëtarëve vendimin e dhënë nga “Gjykata e tyre e Shkallës së Parë”, që e dënoi opozitën për mospjesëmarrjen dhe planifikimin e pengimit të zgjedhjeve më 30 qershor.

Po, a ia vlen dhe sa ia vlen ndjekja e kësaj linje?

Sipas meje, përqendrimi i aksionit politik te shpresa se ndërkombëtarët do të ndryshojnë qëndrim përmban jo një, por dy të këqija.

Lexo po ashtu:  Mbi “Ballkanin e Hapur”/ Letër drejtuar intelektualëve, politikanëve, gazetarëve, shoqërise civile dhe çdo shqiptari që ka kurajon të kërkojë se çfarë do të bëhet me të ardhmen e vendit të vet!

E KEQJA E PARË

Kjo buron nga fakti se nuk ka thuajse fare shans që ndërkombëtarët të heqin dorë nga mbështetja që i dhanë Edi Ramës. Ndihmës zv.sekretari Amerikan i Shtetit, Mattheu Palmer, emisarët e ambasadës amerikane, BE-së, OSBE-së, dolën në prag të zgjedhjeve me deklarata që do të bënin të turpërohej çdo politikan që pretendon se ka një fije respekti për shtetin e së drejtës dhe sovranitetin e një vendi. Ata kundërshtuan dekretin kushtetues të Presidentit Meta, duke inkurajuar Ramën që të ecë përpara në rrugën antikushtetuese të 30 qershorit. Dhe, le mos harrojmë se këtë amerikanët e bënë pasi kërcënuan opozitën deri me prishje të marrëdhënieve me SHBA-në nëse kryenin akte pengimi me dhunë të zgjedhjeve. Duke pasur parasysh se përgjimet e “Bild”-it flisnin qartë për një parti në pushtet të kthyer në organizatë kriminale, ky qëndrim, nga pikëpamja moralo-juridike ishte njëlloj sikur, pasi je informuar se një organizatë ka kryer krim dhe synon të vazhdojë në këtë rrugë, në vend që të bësh diçka për ndaluar krimin e radhës, të pengosh tentativat e vetëmbrojtjes së viktimave, jo vetëm duke mos u dhënë atyre mbështetje morale e ligjore, por edhe duke u hequr nga dora armët e vetëmbrojtjes.

Dikush mund të thotë: po pse çfarë doje ti, që ndërkombëtarët të inkurajonin dhunën që premtonte opozita të ushtronte? Jo, por kësaj pyetjeje unë i përgjigjem me disa pyetje që më çojnë në një përgjigje të vetme: meqë e paskan kaq merak mospërdorimin e dhunës, si ka mundësi që, ndërkohë që kërcënuan opozitën për një dhunë të mundshme, nuk thanë një fjalë për dhunën e provuar shtetërore, që ka ushtruar organizata në Dibër e gjetkë? Si ka mundësi që nuk thanë një fjalë kur në krye të Prokurorisë u zgjodh e vazhdon të mbahet në mënyrë antikushtetuese, një kamikaze e organizatës si Arta Marku, që po ushtron presion e dhunë kundër opozitës dhe po u hap rrugën kriminelëve të organizatës të veprojnë pa frikë? Përgjigja e vetme është se ata kanë zgjedhur të mbështesin organizatën, përndryshe, do të kishin gjetur mënyrat më herët që gjërat të mos arrinin deri te dhuna kundër dhunës.

Lexo po ashtu:  Bumi i fukarenjve të Italisë mund të jetë një shans për ne shqiptarët

Lidhur me shkaqet e kësaj mbështetjeje, them se do të flitet shumë dhe gjatë, por jam i bindur se, nëse do të kishim mundësi të hynim në zyrat e tyre e të dëgjonim se çfarë ka biseduar Palmeri me ata të ambasadës amerikane (pra, jo gjuhën diplomatike, në dukje të balancuar e në emër të interesave të popullit shqiptar, dhe as përgjigjen elokuente të ambasadorit Austriak se jemi në 2019 dhe jo në 1913), besoj se do të dëgjonim arsyetime të ngjashme me ato që bënte jashtë publikut zv/sekretari i Departamentit të Shtetit në kohën e Lindon Jonsonit, kur fliste për qëllimet amerikane në mbështetjen që i jepnin regjimit autoritar e të korruptuar të Vietnamit të Jugut:

70% e bëjmë për interesin e SHBA (për të ruajtur të paprekur imazhin e shtetit më të fuqishëm në botë),

20 % që Kina të mos hyjë në Vietnamin e Jugut

10% që populli i Vietnamit të Jugut të jetojë në një vend më demokratik.

Ka shumë gjasa që këto hesape i shoqërojnë edhe me arsyetimin cinik, me aroma neokoloniale dhe raciste, se ky popull kaq meriton, pasi ka mbetur në 1913-n prandaj më mirë të mbështesim një si Rama se nuk ua kemi ngenë të vijmë prapë me ushtri këtu si në 1997-n. Por, po të kesh parasysh se në vende të tjera, me të njëjtën gjendje të kulturës demokratike, kanë mbështetur lëvizjet e dhunshme opozitare, madje me pasoja shumë dramatike (së fundmi, le të kujtojmë Libinë apo Sirinë), nuk mund të mos konkludosh se e vërteta e mbështetjes duhet kërkuar tek interesat e tyre, më së pari. Shkurt, ndërkombëtarët kanë zgjedhur të mbështesin politikën që na ka premtuar Rama: ose pranoni dhunën “paqësore” rilindëse, ose, përndryshe, po ngritët kokë, do përdorim dhunë policore për t’ju shtypur, me përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë.

Përballë kësaj të keqeje, opozita e dhunuar dhe e çarmatosur duhet të reshtë sa më parë së ankuari e shpresuari te ndërkombëtarët. Madje, do të thosha se ndaj një pjese syresh duhet të mbledhë prova, siç ka mbledhur për organizatën e Edi Ramës për të bindur me to opinionin publik shqiptar e ndërkombëtar, se ata janë pjesë e problemit jo e zgjidhjes.

Lexo po ashtu:  Poeti i madh Zhiti del kundër propagandës serbe: "Nuk ka identitet kosovar, nuk ka letërsi kosovare. Ka vetë shqiptarë dhe letërsi shqiptare"

E KEQJA E DYTË

Por politika e mbështetjes së shpresave dhe e aksionit politik te ndërkombëtarët ka edhe një të keqe të dytë që e bën edhe më urgjent heqjen dorë prej saj.

Një popull që pret t’ia sjellin lirinë, demokracinë dhe dinjitetin SHBA dhe Europa nuk e meriton atë. Ne duhet të reshtim, më në fund, së shpenzuari kohë e energji pa fund nëpër kafene apo studio televizive, duke komentuar e debatuar se kë mbështesin ndërkombëtarët e cila do të jetë lëvizja e tyre e radhës për të na shpëtuar apo dënuar. Historia ka provuar se demokracia as nuk importohet dhe as nuk eksportohet, ajo fitohet hap pas hapi. Pra, edhe sikur opozita (apo vetë Edi Rama me bëmat e tij) të arrijë t’i ndërrojnë mendje ndërkombëtarëve për rilindësit dhe ta detyronin atë të largohej e t’i hapte rrugën ardhjes në pushtet të Lulzim Bashës, nuk kemi asnjë garanci që, në këtë rast, do të fitonim kundër kulturës autoritariste dhe aq më pak kundër oligarkisë kriminale, të cilat, të dyja së bashku, kanë pjellë Ramën dhe e mbajnë atë në pushtet.

Kjo është arsyeja e dytë pse opozita duhet të heqë dorë nga paradigma kaq e rrënjosur në kulturën politike shqiptare: siguro mbështetjen e ndërkombëtarëve që të qeverisësh shqiptarët, të cilën Edi Rama e ka kthyer në: manipulo e korrupto ndërkombëtarët që të qeverisësh shqiptarët. Ajo dhe të gjithë ne duhet t’i kthehemi vetes për të kryer një ndryshim paradigmatik të rëndësishëm në këtë drejtim, që do të vendosë mbështetjen e shqiptarëve shumë më përpara se ajo e ndërkombëtarëve. Vetëm ky ndryshim, i sjellë nga shqiptarët e vetëdijesuar për çka po them, do të jetë garancia e ecjes drejt më shumë lirie dhe demokracie dhe jo drejt më shumë autoritarizmi siç po ndodh, paradoksalisht, me ndihmën fatkeqe të ndërkombëtarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *