Maqedonia e Veriut përballet të dielën me një tjetër provë të rëndësishme politike në përpjekjen e vështirë për të marrë në qershor hapjen e negociatave.
Marrëveshja e Prespës ishte një hap i madh, por po aq vendimtare duket se janë edhe zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të dielën.
Për socialdemokratët në pushtet të Kryeministrit Zaev, fitorja do ishte një certifikim i paktit që ai arriti me Greqinë, ndërsa për opozitën e VMRO-DPMNE si fitorja e kandidatit të saj, por edhe pjesëmarrja e ulët do ishin një avantazh i madh.
Socialdemokratët kanë hedhur në betejë Stevo Pendarovskin, kordinator i Maqedonisë së Veriut në NATO, i cili mbështetet edhe nga BDI e Ali Ahmetit.
Opozita kandidon me Gordana Stilianovskën, ndërsa në garë është edhe Blerim Reka, kandidat i partive shqiptare në opozitë. Pendarovski kryesor në sondazhe me 28%, Stilanovska me 24% dhe Reka me 12%.

Nuk pritet të ketë fitues që në raundin e parë, por favorit në të dytin do jetë Pendarovski i koalicionit qeverisës, i cili ka mbështetjen e shqiptarëve. Basti i madh është nëse do arrihet pjesëmarrja prej 40%, e nevojshme për të çertifikuar zgjedhjet si të vlefshme. /MekuliPress.com/
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress