Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se mbi 2 mijë persona janë larguar nga lista e përfituesve të pensioneve si veteranëve. Kurse, në departamentin e familjes së dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, mohojnë këtë shifër duke thënë se deri tani asnjë person nuk është larguar nga kjo listë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati thotë se lista e veteranëve të UÇK-së, duhet të pastrohet dhe një proces i tillë tashmë ka nisur, pasi që nga kjo lista në bazë të dhënave të kësaj organizate janë larguar mbi 2 mijë persona.

Sipas tij, largimi dhe pastrimi i listës po bëhet në heshtje me qëllim që mos të ngjallen reagime e protesta.

Madje ai thotë se nga Gjykata e Pejës ka dënuar mbi 40 persona pasi janë vërtetuar se në mënyrë të kundërligjshme i kanë marrë pensionet.

“Në bazë të asaj që është marr në teren, është reale ne e dimë se mbi 2100, ne e dimë këtë shifër, por mua derisa më thotë drejtori se nuk janë larguar tash a duan ta mbajnë sekretin e vetë për arsye se nuk duan të bëjnë dridhje në opinion dhe mos të dalin veteranët në rrugë. Është reale që asnjë veteranë nuk ka bërë ankesë unë e di që janë larguar është rasti në Pejë kanë kthyer dhe mjete, janë dënuar duke i kthyer mjetet janë. Mbi 40 persona janë në Pejë që janë dënuar është real nën hetime janë mbi 7 mijë, edhe ka mbi 40 janë larguar dhe janë dënuar me vuajtje të dënimit me kusht mbi 6 muaj deri 1 vit. Edhe kanë me i kthyer pagat që i kanë marrë. Kjo është reale nuk mund ta mohoj as Hysni Gucati as institucionet e vendit”, theksoi Gucati.

Lexo po ashtu:  Qeveria homazhe në Prekaz: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, masakra ndaj Jasharajve u krye nga ndërmarrja e përbashkët kriminale e Serbisë

Kryetari i OVL-UÇK-së, thekson se vetëm nga territori i Shqipërisë nga lista përfitues i pensionit veteranë janë largua 400 persona.

“Është reale që në territorin e Shqipërisë mbi 400 janë larguar kjo është reale se janë ardhur janë ankuar disa nga Shqipëria. Edhe ankesat banale bëhet thotë i kam mbajtur një familje kosovare. Kjo është reale… Ne shumë shpejt do të shkojmë në Shqipëri do të takohemi me ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të marrim informacione për ata që marrin paga në territorin e Shqipërisë që janë veteranë dhe marrin paga në territorin e Shqipërisë do jetë ligji i barabartë për të gjithë me veteranët e Kosovës. E jo ata të marrin paga në Shqipëri dhe të marrin pensionin në Kosovës. Këtë e kemi kërkuar dhe kjo do kryhet shumë shpejt… Derisa një veteran i Kosovës nuk ka të drejtë të jetë në punë dhe të gëzojë pagën dhe pensionin, atëherë pse paska të drejtë të marr pagën e dyfishtë”, thotë kryetari i OVL-UÇK-së.

Lexo po ashtu:  Suedia paralajmëron qytetarët: Përgatituni për ndërprerjet e energjisë elektrike, Opozita mbështetë Qeverinë

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në departamentin e familjes së dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, Bahri Xhaferi thotë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë listë të re që tregon se ndonjë përfitues i pension veteranë është larguar nga lista për pensione.

Ai madje thotë se numri i atyre që marrin pensione gjatë vitit 2019, ka qenë konstant dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim e cila sillet mbi 38 mijë përfitues.

“Sigurisht që nuk qëndron se ne ende si Departament i Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës nuk kemi marr kurrfarë regjistri të përfituesve të pensioneve për veteranë, e të cilët janë larguar nga lista për pagesë. Numri i tyre është konstant gjatë viti 2019 duke qenë rreth 38 mijë, me të njëjtën diçka kemi vazhduar edhe në muajin janar. Besoj që edhe në muajin shkurt nuk do ketë ndonjë ndryshim esencial, një numër shumë i vogël simbolik. Kështu që nuk ka të bëjë fare me realitetin ai informacion që janë larguar mbi 2 mijë veteranë bazuar një procedurë nuk e di çfarë. Jeni dëshmitarë të kohës që ka procese gjyqësore që po bëhen në institucionet përkatëse gjyqësore, po presim vendimet e tyre, në momentin që i marrim vendimet meritore ne do bëjmë veprimin adekuat ligjor”, deklaroi Xhaferi.

Lexo po ashtu:  “The Economist”: Si u rrafshua Teatri Kombëtar në mes të pandemisë

Madje ai mohon se janë larguar nga lista e pensioneve edhe përfitues nga Shqipëria, derisa thotë se mbi 2700 banorë të Shqipërisë e gëzojnë këtë pension.

Në bazë të statistikave për vitin 2019 në Departamentin e Familjes së Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës në muajin shkurt kanë qenë 38,217 përfitues të pensioneve si veteranë, në muajin mars 38,094, në prill  38,031, maj 38,053, qershor 38,052, korrik 38,074, gusht 38,103, shtator 38,120, tetor  38,105, nëntor  38,038, dhjetor 38,101.

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria në Pejë lidhur me rastet që janë duke u trajtuar në kuadër të “Dosjes së Veteranëve të Rrejshëm”, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyr tar. Sipas po kësaj prokurorie, numri i përfituesve mashtrues janë rreth 19 mijë e 500 persona.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Sipas Prokurorisë Speciale nga pagesat e veteranëve mashtrues buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë eurosh.