Në një tavernë atje në Romë
Më hodhi era tek një prift,
E donte prifti Ciceronë,
E pinte verën latinisht.
Dhe duke ngrënë e duke pirë
Më tha mos isha katolik,
Por ndodhi prift vërtet i mirë,
Ndaj s’desha të isha unë i lig.
Ia ktheva butë e qetë-qetë:
Kjo vera qenka si balsam,
Këtë e duan gjithë fetë,
E do dhe ndonjë mysliman.
I kam të parët katolike,
I kam të dytët bektashinj,
Dhe unë i treti asnjë çikë,
S’besoj në shpirtra dhe qirinj,
Se m’u mërziten gjysherit shumë,
Që fetë i kthenin mot për mot,
Ndaj hoqa dorë i shkreti unë,
Nga çdo besim e nga çdo Zot…
Po prifti foli tepër vonë
Dhe ndofta tepër rastësisht,
Si recitoi pak Ciceronë,
Si mërmëriti latinisht.
Në sytë i feksi një shkëndije,
Iu drodh dhe gjer në fund iu fik
Dhe qeshi çilter si fëmijë:
“Gjynah që s’qenke katolik”!
Me sy kerkova tinëz derën,
Kur prifti thirri: “Mos, or mik!…
Megjithatë ta pijme verën,
Në verë qenke katolik!”
Harroi një çast për Cicerone,
Harroi të tjerat, sigurisht…
I madhi prift me Dritëronë
E pinin verën latinisht…
Dritero Agolli – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress