Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot, kanë nënshkruar një memorandum për qëllim të konsultimit dhe hartimit të dokumentit narrativ mbi memorializimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës 98-99 në Kosovë.

Nënshkrimi i këtij memorandumi për memorializimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës u cilësua si një projekt i një rëndësie të pa matshme, për arsye se vrasja dhe zhdukja e fëmijëve gjatë luftës i përket llojit të dhimbjes më të lartë, asaj supremes.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, nënshkrimin e këtij memorandumi e ka cilësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin dhe shoqërinë në përgjithësi, pasi askush më mirë se ata të cilët kanë humbur fëmijët në luftë, nuk mund të përshkruajë krimet e shkaktuara nga Serbia në luftën e Kosovës.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit do të bashkëpunojë me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për zbatimin e projektit të memorializimit për fëmijët e vrarë apo zhdukur gjatë luftës 98-99, në Kosovë, një projekt i rëndësisë së veçantë për shtetin dhe shoqërinë tonë. Trashëgimia e luftës në vendin tonë ka mjaftë histori të rëndë. Populli i Kosovës vazhdon të vuaj nga e kaluara dhe askush më shumë se ata që humbën fëmijët e tyre nuk dinë të na tregojnë e na rrëfejnë këto krime dhe këto tmerre që i ka shkaktuar Serbia në Republikën e Kosovës”, ka thënë Çeku.

Lexo po ashtu:  Eurodeputetja gjermane përgëzon qeverinë Kurti për refuzimin e gazsjellësit

Në konferencë u tha gjithashtu se përgjatë këtij viti me ndjeshmëri e gjithëpërfshirje synohet që të takohen dhe konsultohen familjarët e fëmijëve dhe të diskutohet mbi format e memorializimit dhe projektin e memorialit për fëmijët e vrarë. Dhe pas kësaj faze të konsultimit mes familjarëve të fëmijëve dhe komunitetit të gjerë do të shpallet edhe konkursi ndërkombëtar për hartimin e projektit të memorialit.

Se ndjehej i nderuar për pjesëmarrje në realizimin e këtij memorandumi e potencoi edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, i cili u shpreh se do të jap kontributin e tij maksimal për të bërë diçka për fëmijët e vrarë në luftë në mënyrë që ekzistenca e tyre të përkujtohet deri në përjetësi.

“Nuk shoh gjë më mizore dhe më supreme në kuptim agresiv, se sa vrasja e fëmijëve. Një dhimbje absolutisht supreme dhe derisa ne jemi të dobët dhe e kemi të pamundur objektivisht që t’i kthejmë jetët e tyre, më e pakta që mund të bëjmë është që të mos i harrojmë ata dhe ti kujtojmë e të gjejmë forma të shprehjes institucionale, monumentale që ekzistenca e tyre të përkujtohet në përjetësi. E kemi gatishmërinë e plot dhe gjithashtu ekspertizën e kapacitetin që të kontribuojmë në dizajnimin sa më të drejtë, të saktë e të plotë metodik të konceptit në mënyrë që rezultati të jetë dinjitoz dhe proporcional me qëllimin.”

Lexo po ashtu:  Sot pritet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, ish gjenerali tregon se çfarë duhet të bëjë Qeveria

Ministri Çeku në emër të Qeverisë së Kosovës i ka bërë thirrje të gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në konsultimet e parapara në kuadër të këtij projekti të kontaktojnë me ministrinë dhe të kontribuojnë në jetësimin e këtij memoriali.

“Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës ftoj të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij procesi e këtij programi dhe të konsultimeve që të na kontaktojnë drejtpërdrejtë përveç mundësisë që do t”u a ofrojmë duke i kontaktuar vetë ne kemi vënë në dispozicion një numër telefoni dhe një email adresë ku ekipet tona do ti marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të ju inkurajuar në proces që të gjithë të jenë pjesë e këtyre konsultimeve.”

Sipas këtij memorandumi është paraparë që Grupet e Konsultimit fillimisht të jenë prindërit dhe familjarët e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo të vdekur si rezultat i luftës, e pastaj edhe fëmijët e mbijetuar të krimeve të Serbisë në Kosovë si dhe dëshmitarë të tjerë relevantë. Pas këtij bashkëpunimi pritet që brenda dy viteve të realizohet një vepër e dinjitetshme para publikut dhe familjarëve të fëmijëve viktimë, pra një memorial që kontribuon në kujtesën e tyre për jetë përballë të gjitha gjeneratave të ardhshme të vendit. Se a do të jetë memorial, muze apo skulpturë mbetet të përcaktohet pas konsultave dhe mbledhjes së materialit të përcaktuar nga grupi punues i ngritur me vendimin e qeverisë.

Lexo po ashtu:  Heqja e kufirit dhe Porti i Durrësit për Kosovën – në Serbi e konsiderojnë si provokim të radhës

Muaji mars i këtij viti është paraparë të jetë puna fillestare e konsultimeve dhe ndërtimit të një narrative mbi të cilën do të shpallet konkursi ndërkombëtar, dhe brenda dy vitesh të finalizohet monumenti në tërësi. Muaji mars shënon përvjetorët e disa nga masakrat më të mëdha që shteti i Serbisë i ka bërë qytetarëve të Kosovës në luftën e vitit 1998-1999.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *