Një ditë teke e tetorit të artë, do kishte qenë ndër më bujaret për letrat shqipe.

Do të lindte “njeriu”. Poeti i ri, fali nuancat më të forta të shpirtit të thellë djaloshar. Ai ishte filozofi i veshur me delikatesë, përballë një skamjeje që i shfaqej pareshtur rrugëve të heshtura të qytetit të tij… Prej vetes, buronte dhimbja e në pamundësi për ta zhbërë realitetin mizor, vagjet morën të gjitha ngjyrat e parajsës, asaj imagjinare që… vetëm trishtonte.

Ishte Migjeni dhe realizmi i tij. Është Migjeni dhe letërsia e tij, letërsia shqipe e shek. XX. Një jetë e shkurtër, por shenjuar me plagë të rënda. Poet dhe prozator, Migjeni u bë përfaqësuesi më i shquar i letërsisë demokratiko-revolucionare të paraçlirimit.

Lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër, në një familje të varfër qytetare. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, më 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë – kohë kjo kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934; bashkëpunoi në revistat “Illyria”, “Bota e re” etj. Më 1936 krijimet e veta poetike i përmblodhi në librin ”Vargje të lira”, që censura nuk e la të qarkullojë. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali, për t’u kuruar nga sëmundja e mushkërive. Vdiq më 26.8.1938, në moshën 27-vjeçare në një sanatorium pranë Torinos, në Torre Peliçe.

La në dorëshkrim, një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

Lexo po ashtu:  Google ndryshon brendin e G Suite

Me bindje demokratike, revolucionare, poeti i ri filloi të brumoset që në bankat e shkollës, nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqipe po forcohej rryma demokratike; me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Në themel të krijmtarisë së Migjenit shpaloset aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet e pa frikën për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndanë veprën e tij.

Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”,”Shpirtënit shtegtarë”etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë («kalbësinave që kërkojnë shejtnim»). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto krijime me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

KANGA QË S’KUPTOHET

Melodisë kombëtare
U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.

Lexo po ashtu:  Çfarë ka në brendësi të tastierës magjike të Apple për iPad

Kangë a vaj? Çëje? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?

Oh -jo! Kangajote asht shprehje e dhimbsun
e njëjetese që dergjet e dergjet
dhe tu’ e dergjë ndoshta do hesht e molisun…

Pasqyrimi i varfërisë së skajshme të masave zë vend qendror në krijimtarinë migjeniane; për shkrimtarin, kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë, humnera e vuajtjeve ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira (“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë në zgrip të jetës, të mjerë që jeta u kishte rezervuar vetëm thartësinë e skamjes, ndaj edhe flakur jashtë shoqërisë.

“Poema e mjerimit”, më e shquara vepër e tij, ishte përshkrimi i tablosë gjallë dhe rrëqethëse të gjëllitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze.

Ndërsa në një varg, si “Zoti të dhashtë”. etj., poeti i ri fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli.

Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t’i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia – këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit, krijimtaria e të cilit, la gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës.

Lexo po ashtu:  Atdheu – Fatos Arapi

Poeti vuante edhe me mjerimin e të tjerëve, vuajtjen e të gjithë të mjerëve të kësaj bote. Në një gjendje të tillë shpirtërore, i trajtuar keq materialisht dhe i sëmurë nga kushtet e rënda të jetës, ai me vizionin e tij të fuqishëm artistik krijoi një diskurs të veçantë komunikativ, me lexuesin e kohës kur jetoi dhe veproi.

Por, ai nuk do të heshtë deri në frymën e fundit të shpirtit, deri kur kishte shkruar tri radhët e fundit në shënim:

“I fundi Skanderbe”

“Ku janë orat dhe muzet?

Shtojzovallet e zanat ku janë?

S’ po flitet ma për vallet e tyne,

As për sytë e tyne që të shitojnë, as të bajnë fatbardhë, S po flitet ma!”

Të gjithë ata që e donin, ia njihnin heshtjen poetit. Atë heshtje që ia kërkonte dhe regjimi. Deri kur ato fjalë të mohuara, merrnin rrugën e paktheyshme të vargut shpërthyes. Buçiste në to tërë mllefi, padrejtësia, imoraliteti dhe amoraliteti, mjerimi dhe varfëria që mpinte çdo portret. Ditët e errëta të skamjes së tjetrit, si të vetes, e lënduan çdo çast shpirtin krijues, poetin e revoltës së heshtur në vetmi, revoltës që prodhoi një letërsi vigane.

Poeti që jetoi shumë jetë dhe vdiq i ri. Migjeni! Poeti që heshti madhërishëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *