Ndonëse ka pasur vazhdimisht mohime nga palët, gazeta italiane “Repubblica” vijon të këmbëngulë për faktin se Bernard Arnault po negocion me fondin Elliot për blerjen e klubit të Milanit.

E përditshmja italiane ka raportuar sot se mes palëve ka pasur disa takime në Paris, Londër e Strasburg, ndërsa bosi francez, që njihet edhe si pronari i kompanisë së modës Louis Vuiton, ka gati një miliardë euro për të investuar te kuqezinjtë.

“Repubblica” shkon edhe më tej, kur këmbëngul se miliarderi francez ka kontaktuar edhe me një ish drejtues të Milanit, Ariedo Braidën, të cilit i ka kërkuar të rikthehet sërish për të ndihmuar në ngritjen e kuqezinjve, bashkë me trajnerin Allegri.

Gjithashtu mësohet se avancimi i projektit për ndërtimin e stadiumit të ri, i ka dhënë një shtysë më të madhe francezit Arnault që të blejë klubin e Milanit, pasi dëshiron që të jetë i përfaqësuar fuqishëm në zonën e re komerciale të Milanos.

Nëse do të mbyllej me sukses shitja, atëherë Bernard Arnault do të ishte pronari i katërt i Milanit në 5 vitet e fundit, pasi fillimisht klubi ishte në pronësi të Berlusconit, që më pas e shiti te kinezi Li Yonghong, ndërsa ky i fundit nuk shleu dot këstet e kredisë dhe aksionet kaluan në pronësi të Fondit Elliot, që sponsorizoi edhe blerjen.

Lexo po ashtu:  Lojtari më i gjatë në historinë e NBA - I shkreti bleu 80 lopë për gruan t'i tregonte se e dashuronte

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *