Përdorimi i bombës bërthamore në Gaza është një mundësi reale për një ministër në qeverinë e Izraelit. Amichai Eliyahu, ministri i Trashëgimisë, la të kuptohet se kjo mund të ishte një zgjidhje për konfliktin ndërsa fliste në një intervistë me radion Kol Berama, të cilës i referohet Times of Israel.  

I pyetur nëse Izraeli mund të hedhë një bombë atomike në enklavën palestineze, ai u përgjigj se “kjo është një nga mundësitë“.

Eliyahu është anëtar i partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, njëra nga partitë e koalicionit të udhëhequr nga Netanjahu.

Pas deklaratës dhe reagimeve që pasuan, kryeministri e pezulloi atë për një kohë të pacaktuar.

Në intervistë, ai u shpreh kundër ndihmës për palestinezët e Gazës, e cila ka qenë nën rrethimin izraelit prej disa javësh. “Ne nuk do t’ua dorëzonim ndihmat humanitare nazistëve“, tha ai duke shtuar se “nuk ka civilë të papërfshirë në Gaza. ”

Zyra e Netanjahut njoftoi se “deklaratat e Eliyahut nuk bazohen në realitet“, duke shtuar se Izraeli “po vepron në përputhje me standardet më të larta të ligjit ndërkombëtar për të shmangur dëmtimin e të pafajshmëve”.

Lexo po ashtu:  Amerika hedh poshtë planin e Netanyahut për Gazën

Për të rikuperuar dëmin, Eliyahu shtoi më vonë se “është e qartë për këdo që ka tru se përmendja e bombës atomike ishte metaforë“. Por këmbënguli se Izraeli “duhet të shfaqë një përgjigje të fuqishme dhe joproporcionale ndaj terrorit”, duke shtuar se kjo qasje do “t’u tregojë nazistëve dhe mbështetësve të tyre se terrorizmi nuk është rrugë“.

Rritja e ekstremit të djathtë në Izrael dhe bashkëjetesa e detyruar në koalicionin me ta mbetet një nga problemet me të cilat kryeministri Benjamin Netanjahu përballet në politikën e brendshme.

Izraeli kurrë nuk e ka konfirmuar apo mohuar publikisht posedimin e armëve bërthamore. Megjithatë, besohet gjerësisht se ka pasur armë të tilla që nga fundi i viteve 1960. Sipas një vlerësimi të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI), Izraeli ka gjithsej 90 koka luftarake.