“…Provova të ngrihem, por nuk bëra dot çap ngaqë, ashtu siç gjendesha i shtrirë në kurriz, vërejta se krahët dhe këmbët m’i kishin hapur nderë dhe lidhur fort pas toke dhe po në të njëjtën mënyrë më kishin lidhur flokët e gjatë e të plotë. Ndjeva po ashtu se një sërë fijesh të holla më përshkonin trupin, që nga sqetullat deri tek kofshët. Vështrimin mund ta hidhja vetëm lart; dielli filloi të digjte dhe drita po më vriste sytë. Përreth dëgjohej një zhurmë e turbullt, por në pozicionin që isha nuk shihja gjë veç qiellit. Pas pak ndjeva të më lëvizte nëpër këmbën e majtë diçka e gjallë, e cila, duke përparuar lehtë mbi kraharorin tim, pothuaj më erdhi deri në mjekër; tek ula shikimin me sa mundja kuptova se bëhej fjalë për një krijesë as pesëmëdhjetë cantimshe pajisur me hark e shigjetë dhe me një kukure pas shpine. Ndërkohë, ndjeva të paktën dyzet të tjerë të të njëjtit lloj (me ç’vlerësova) pas të parit. Më kishte kapluar një habi e jashtëzakonshme dhe ia dhashë një britme të tillë sa që të gjithë u sprapsën me vrap të frikësuar; disa prej tyre, siç më treguan më vonë, qenë dëmtuar kur qenë hedhur nga ijet e mia përtokë”.

Lexo po ashtu:  Cilësia e përkthimeve pas ’90-ës është dëmtuar, Mangon formimi kulturor dhe gjuhësor i përkthyesit. - Bota ruse, e afërt me botën shqiptare

“…Kish vetëm një dëshirë ay: vdekjen. Sepse është e thënë: m’e ëmbël se mjalti e se çdo gjë është vdekja. Po vdekja që godiste të gjithë njerëzit në ditën e shënuar për secilin, e linte atë të paprekur……
Edhe ai që pat qenë Tat Tanushi i Bubutimës qëndronte drejt e në altar. Mjekra e tij u derdh befas tatëpjetë si ujë, vetullat i zbritnë mbi librën që mbante në dorë, ashtu si duheshin të ishin rritur në shekuj që rrojti në tokë. Dhe kaq e gjatë ish mjekra e tij sa mund të rrethonte tri here tryesën e alltarit. Pastaj Tat Tanushi u tret ngadalë, në sytë e të gjithëve dyke mbetur vetëm një dore hi në pregun e derës së shenjtë…”

“Kjo, o lëçitës, nuk është asfare një çudi e pathënë. Sepse, a s’kini parë ju pëllump të bardhë e pëllump të zi të dashurohen aqe fort sa të mos i druhen as hargut të gjahtorit që sjell vdekjen? Dhe ç’është ngjyra përpara shpirtit? Ato ndajnë, që të bashkojnë.”

Lexo po ashtu:  “Mos ma kujto!” Lexoni një ndër poezitë më të bukura të Dritëro Agollit…

Mitrush Kuteli – “E Madhe Eshtë Gjëma e Mëkatit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *