Në javën që shënon 25-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, Radio Evropa e Lirë kujton dhe kontrollon deklaratat e udhëheqësve të Serbisë, që zyrtarisht nuk e pranojnë gjenocidin.

Në këtë korrik bëhen 25 vjet qëkur forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga Ratko Mlladiq, kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në një zonë të mbrojtur nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara, në dhe përreth Srebrenicës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar Mlladiqin dhe mentorin e tij politik, Radovan Karaxhiq, për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Srebrenicë.

Në javën që shënon 25-vjetorin e gjenocidit, Radio Evropa e Lirë kujton dhe kontrollon shtatë deklarata të udhëheqësve të Serbisë, që zyrtarisht nuk e pranojnë gjenocidin:

1. Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë:

“Jo, nuk mendoj se masakra e tmerrshme në Srebrenicë ishte gjenocid. Ishte një krim i rëndë. Një krim lufte”.

Burimi: Deutsche Welle, 14 nëntor, 2018.

E pavërtetë

Shpjegimi: Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007, me të cilin është konfirmuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi ka dënuar 14 ish-anëtarë të ushtrisë dhe policisë së Republikës Serpska për gjenocid ndaj më shumë se 8,000 civilëve boshnjakë, në zonën e mbrojtur në dhe rreth Srebrenicës, në korrik të vitit 1995.

Lexo po ashtu:  Televizioni serb nuk e vë Kosovën në hartën e Serbisë, hatrohet media e Vuçiqit

Dënimet më të mëdha – burgim i përjetshëm – janë caktuar për Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin (ende jopërfundimtar).

2. Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë:

“Në Srebrenicë ka ndodhur një krim i tmerrshëm dhe nuk ka asnjë arsyetim për atë krim. Disa njerëz nuk e kanë të rëndësishme që Serbia të tregojë nderim për viktimat e këtij krimi të tmerrshëm, por ata duan formulim ligjor”.

Burimi: Televizioni Pink, 14 korrik, 2019.

Pjesërisht e vërtetë

Shpjegimi: Me aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007, krimi në Srebrenicë është cilësuar si gjenocid.

3. Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë:

“Në Srebrenicë ka ndodhur krim i tmerrshëm dhe masiv, por Serbia nuk është përgjegjëse për të dhe populli serb nuk mund të akuzohet për të”.

Burimi: Deklaratë për gazetarët në Beograd, 12 korrik, 2019.

Pjesërisht e vërtetë

Shpjegimi: Disa aktgjykime të gjykatave ndërkombëtare e kanë cilësuar krimin në Srebrenicë si gjenocid. Serbia është liruar nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocidin me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007.

4. Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë:

“Serbia nuk i nënshtrohet revizionizmit, as nuk i madhëron kriminelët e luftës”.

Burimi: Deklaratë për gazetarët në Beograd, 12 korrik, 2019.

E pavërtetë

Shpjegimi: Kryeministrja e Serbisë e ka deklaruar këtë vetëm një ditë pasi deputeti i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, Vlladimir Gjukanoviq, i ka uruar “popullit serb ditën e çlirimit të Srebrenicës”.

Lexo po ashtu:  Moska akuzon kompanitë Google dhe Facebook për ndërhyrje në zgjedhje

“Faleminderit gjeneral Ratko Mlladiq për operacionin e shkëlqyer ushtarak ‘Krivaja 95’”.

Gjukanoviq e ka shkruar këtë mesazh në Twitter në ditën kur, në vitin 2019, 33 viktima të gjenocidit në Srebrenicë janë varrosur në Qendrën Përkujtimore Potoçari. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë atëbotë, Gjukanoviq ka thënë se “nuk do të distancohet” nga ato që ka shkruar.

Partia Përparimtare Serbe, në krye të së cilës është Vuçiq, nuk është distancuar nga kjo qasje.

5. Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë:

“Parlamenti ka miratuar një deklaratë që pranon aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por gjithashtu i dënon të gjitha krimet e tjera kundër serbëve”.

Burimi: Deklaratë para disa studentëve të Vjenës në Beograd, 13 maj, 2019.

Pjesërisht e vërtetë

Shpjegimi: Deklarata që ka miratuar Parlamenti serb në vitin 2010, i referohet verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me të cilin është konfirmuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid, por vetë fjala nuk përmendet.

“Ne e dënojmë ashpër krimin e kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë, në mënyrën si është përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

6. Tomisllav Nikolliq, president i Serbisë (2012-2017):

“Çdo gjë që ka ndodhur në luftërat në ish-Jugosllavi, ka karakteristikat e gjenocidit”.

Lexo po ashtu:  Osmani kërkon nga Shqipëria nënshkrimin e një traktati për mbrojtje të përbashkët ushtarake

Burimi: Televizioni BHT1, 25 prill, 2013.

E pavërtetë

Shpjegimi: Nga të gjitha krimet gjatë luftës në ish-Jugosllavi, gjykatat ndërkombëtare e kanë karakterizuar vetëm krimin në Srebrenicë si gjenocid.

7. Boris Tadiq, president i Serbisë (2004-2012):

“Nëse vlerësohet se Serbia ka marrë pjesë në gjenocid, atëherë pasojat për qytetarët, interesat e të cilëve mbrohen nga përfaqësuesit e shtetit, janë dramatike. Serbia nuk është dënuar për gjenocid në Gjykatën e Hagës”.

Burimi: Al Jazeera, 20 qershor, 2015.

Pjesërisht e vërtetë

Shpjegimi: Aktgjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007, i cili e ka lënë të lirë Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocid, e ka liruar atë edhe nga detyrimi për dëmshpërblime të luftës.

Gjykata, siç thuhet në aktgjykim, nuk ka konstatuar se masakrat në Srebrenicë janë kryer sipas udhëzimeve ose nën kontrollin e Serbisë e as të udhëheqësve të saj.

Megjithatë, gjykata ka konstatuar se Serbia nuk ka bërë asgjë për të parandaluar vrasjen e më shumë se 8,000 boshnjakëve nga forcat e Mlladiqit, edhe pse ajo ka pasur ndikim në ushtrinë e Republikës Sërpska dhe te politikanët atje.

Një burrë duke ecur pranë një pllake që ka të shkruar numrin e viktimave të masakrës së Srebrenicës, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari.

Një burrë duke ecur pranë një pllake që ka të shkruar numrin e viktimave të masakrës së Srebrenicës, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *