Arbër Zaimi

Së pari, Albin Kurti nuk ka asnjë synim të atillë. Synimi i tij është e mira e popullit të tij, jo e keqja e tjetrit.

Së dyti, politika e jashtme, si në qasjet realiste ashtu edhe në ato idealiste, nuk shtyhet përpara me “urra” e me slogane. Aty peshë luajnë faktorët ekonomikë, demografikë, ushtarakë, kampet e aleancat, vektorët gjeostrategjikë etj. si dhe argumentimet mbi të drejtën, historike, njerëzore, faktike në terren, qytetëruese etj.

Në shumë faktorë Serbia ka peshoren kah vetja, demografi, ekonomi e ushtri më të madhe se Kosova e Shqipëria edhe po të ishin bashkë, ka mbështetje të gjerë në ish-bllokun lindor dhe në disa faktorë të rëndësishëm brenda perëndimit, ka një traditë e rrjet të gjerë diplomatik etj. Po ashtu, në favor të saj luan edhe përçarja e moskoordinimi mes Prishtinës e Tiranës zyrtare, madje edhe diskordanca mes faktorëve institucionalë brenda Prishtinës. Për të mos folur për mungesën e traditës e instituteve, si dhe imazhin e keq prej pushtetarëve të përzier me krim e korrupsion.

Lexo po ashtu:  Tirana politike legalizon çdo gjë, vetëm mundësinë për zgjedhje Jo

Nuk mjafton as mençuria dhe mendimi strategjik i një individi apo i një grupi shqiptarësh përballë Serbisë, duke njohur rreshtimin nacionalist të akademisë së saj (me pak përjashtime intelektualësh të respektueshëm) dhe të instituteve e akademive nga vendet e fuqishme që e mbështesin.

E vetmja kartë e fortë e Albin Kurtit, është argumenti i të drejtave historike, aktuale e njerëzore të shqiptarëve. Albini ka të drejtën e popullit të tij dhe figurën e pastër personale për ta përfaqësuar atë të drejtë.

Ndihma që mund t’i jepet Albin Kurtit është vetëm duke rritur peshën dhe praninë e së drejtës dhe të drejtësisë, rreth tij e kudo ku ka shqiptarë. Forcimi i së drejtës te ne, te ajo çka jemi e çka bëjmë, në politikën e brendshme dhe në shoqërinë tonë, është forcim i Albin Kurtit jo si individ, por si tezë e politikës së jashtme kundër vektorëve të rrezikshëm për shqiptarët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *