Flora Xhemani Baba

Po ikën ti zysha? Udh’e mbarë të qoftë!

Po pse xhanëm sa herë që vendosni të ikni, shani Shqipërinë? Ajo jua ka fajin që po ikni? Nuk mjafton që e braktisni po edhe e shani? Nuk mjafton që po e lini në duart e batakçinjve siç pretendoni, por edhe e akuzoni?

Nuk mjafton që i ktheni kurrizin por edhe e bëni fajtore?
Po të ikim të gjithë, kush do ta bëjë Shqipërinë? Mos mendoni se do bëhet vetë, që të vini ju ta gjeni gati?

Kur qenka kaq blozë Shqipëria, pse nuk ngriheni të protestoni si francezët, si rumunët, si kilianët, që të plasin në dorë për një biletë urbani? E nëse nuk keni guxim të ngriheni, pse nuk ulni kokën të punoni, siç bëjmë të gjithë ne të tjerët? Kujtoni se e kemi të lehtë? Kujtoni se dredhim zinxhirin? Kujtoni se ne që rrimë, i kemi të gjitha në terezi? Çfarë prisni që të bëjë atdheu për ju xhanëm. që i bini me shqelm dhe krisni e ikni?
Po ikën dhe ti zysha?

Lexo po ashtu:  Tri gjëra të rëndësishme në Kosovë - Në fakt, sot për sot, Lëvizja VV nuk ka kundërshtarë, ka vetëm njerëz që bëjnë sikur e kundërshtojnë!

Po udha e mbarë të qoftë moj gocë e ta bëftë Zoti dritë kudo që të shkosh! Paç edhe i çik fat dhe ki parasysh 24-orëshin ku do të të duhet të rrotullohesh për të punuar fort e për fituar jetën, se as atje s’ta ka shtruar njeri me lule, mungesën e dashurisë së njerëzve të tu se nuk u preu barku të huajve për ty. Dhe mos harro, llogarit nja dhjetë vjet derisa të integrohesh e të bëhesh “me letra” t’i kesh në xhep se nuk i dihet. Ndoshta ato dhjetë vjet po të ishe përpjekur pak më shumë, mund ta kishe gjetur veten edhe këtu apo?

Dhe kur të të marrë malli për atdheun, mos hajde kot, se me siguri do të të ketë harruar.

A, se harrova: meqë shpëtove nga flaka e Shqipërisë, kujdes se mos ngrish nga akulli i Europës. Se atje, të gjitha mund t’i gjesh po dashurinë e vendit tënd, kurrë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *