Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna në një intervistë për Telegrafin, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për situatën ekonomike në vend, mungesën e fuqisë punëtore që po përballen bizneset si dhe për temën e investimeve kapitale gjatë këtij viti.

Rafuna thotë se viteve të fundit bizneset janë përballur me vështirësi të shumta si pasojë e pandemisë, luftës në Ukrainë dhe inflacionit të çmimeve.

“Për fat të mirë gjendja ka filluar të përmirësohet. Çmimet kanë filluar të stabilizohen jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë eurozonën”, shprehet ai.

Megjithatë Rafuna thotë se sfida më e madhe për bizneset sot në Kosovë është mungesa e fuqisë punëtore në disa sektorë.

“Ndërtimi dhe gastronomia janë dy sektorët më të prekur nga mungesa e punëtorëve pasi që edhe janë dy sektorët më të përhapur në vend. Këta sektorë nuk kërkojnë punëtorë të kualifikuar, por janë të ndikuar nga trendi që ka kapluar të rinjtë për largim nga vendi”.

Lexo po ashtu:  Mjekët amerikanë: Të gjithë duan të blejnë ilaçin që shëroi Donald Trumpin

Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) thotë se një ndikim në ikjen e punëtorëve nga Kosova lidhet me hapjen e tregut të Bashkimit Evropian.

Lulzim Rafuna gjatë intervistës në emisionin “Përballje”, foto: Ridvan Slivova
“Është një element që shumë vende të BE-së si Gjermania, Italia, Austria por edhe Zvicra i kanë thjeshtuar në minimumin e mundshëm procedurat për marrjen e një vize të punës”.

Sipas Rafunës edhe sistemi i arsimit në vend është fajtor për ikjen e të rinjve pasi kërkesat e tregut të punës nuk përputhen me ato kuadro që prodhojnë universitetet tona.

Një tjetër faktor në këtë drejtim sipas tij është edhe mungesa e kuadrit ligjor që të mbrojë bizneset që vend.

“Një kontest administrativ merr shumë kohë. Për biznesin në pyetje është koha. Koha është e çmueshme. Biznesi nuk ka kohë të pret me vite të tëra për të zgjidhur një kontest”.

Por, Rafuna thotë se Oda Ekonomike të Kosovës bashkë me bizneset janë duke i menduar alternativat për të zgjidhur këtë çështje.

Lexo po ashtu:  Në Këshillin e Sigurimi të OKB-së ambasadori shqiptar dhe ai rus përplasen për çështjen e Kosovës

“Njëri opsion është riorganizimi i brendshëm i bizneseve për të zbutur këtë krizën e punëtorëve pasi nuk mund të zëvendësohen. Shembull në gastronomi mund të përdoret opsioni i vetëshërbimit, derisa në industri mund të ndihmojë procesi i automatizimit. Pra punën që e kanë kryer 20 punëtorë, me ndihmën e pajisjeve tash e kryejnë dhjetë punëtorë”.

“Alternativa e dytë mund të jetë sjellja e punëtorëve nga Bangladeshi, Nepali, por ka edhe prej Turqisë. Ka kompani të interesuar për të sjellë punëtorë nga jashtë. Ka tashmë punëtorë nga Turqia që punojnë në Kosovë për kompani kosovare”.

Megjithatë Rafuna thotë se bizneset nuk ndjehen të sigurt me këta punëtorë pasi që ka dyshime se të njëjtët mund ta përdorin Kosovën si trampolinë për të kaluar në vendet evropiane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *