Në fjalimin e tij të shumëpritur nga Bejruti, i transmetuar drejtpërdrejt në televizion (por jo në Izrael), udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tregoi muskujt, por nuk e rrëmbeu pushkën. Të paktën tani për tani. Ai kërcënoi Izraelin, duke sfiduar Shtetet e Bashkuara. Por ishte i matur dhe evaziv.

Tha se “ne kemi qenë në luftë që nga 8 tetori”, një ditë pas masakrës së tmerrshme të terroristëve të Hamasit në Izrael. Por nuk sqaroi sa shumë Hezbollahu synon të marrë pjesë në luftë. Dhe u përpoq të shfajësonte Iranin, punëdhënësin e tij, duke thënë se ky ishte një veprim “100 për qind palestinez”. Në një farë mënyre iu përgjigj drejtpërdrejt sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, i cili duke folur pothuajse njëkohësisht në Tel Aviv tha se Shtetet e Bashkuara “do të bëjnë gjithçka për të shmangur hapjen e një fronti të dytë”.

Edhe pse Benjamin Netanyahu i ishte përgjigjur negativisht propozimit të tij për një “pauzë humanitare” dhe ftesës “për të bërë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë”. Udhëtimi i Blinken në Izrael, i dyti i tij që nga fillimi i krizës, kishte dy objektiva. Pikërisht për të shmangur një zgjerim të konfliktit. Dhe për të përforcuar linjën amerikane, të shpallur nga Joe Biden në vizitën e tij të rrufeshme në Tel Aviv: Izraeli ka çdo të drejtë të “ndërtojë fushatën e tij për të mposhtur Hamasin, por edhe mënyra se si e bën këtë ka rëndësi.” Amerika, kishte thënë Biden, ka mësuar nga gabimet e bëra pas 11 shtatorit: në Irak, në Afganistan.

Lexo po ashtu:  Kryeministri e heq pjesërisht dhe me kushte taksën ndaj mallrave serbe

Një demokraci e vërtetë lufton dhe ndjek terroristët. Por duke e bërë këtë, duhet të mbrojë civilët. Sepse edhe ata janë viktima të egërsisë pa dallim të terrorizmit. Ky është mësimi i madh i demokracisë që Blinken i kujtoi dje Netanyahut, dhe që e përmblodhi në konferencën për shtyp me paralajmërimin se “ka rëndësi si e bën” (luftën kundër terrorizmit). Përndryshe ekziston rreziku i një reagimi dhe vala e antisemitizmit, që po rritet jo vetëm në vendet arabe është konfirmimi shqetësues i kësaj.

Për objektivin tjetër të Blinken, pra shmangien e hapjes së një fronti të dytë, duket se tani për tani ka një konsensus të heshtur, siç u pa edhe nga fjalimi i Nasrallah, i cili foli edhe për të ashtuquajturën “festë e dëshmorëve të rënë në rrugën për Jeruzalem”, pra milicët e Hezbollahut që vdiqën në inkursionet në Izrael, që nisën nga Libani pas 7 tetorit.

Tani për tani, Hezbollahu i është përkushtuar shkatërrimit të sistemeve izraelite të vëzhgimit (radarë, kamera), lëshimin e raketave dhe kryerjen e sulmeve me komando. Ai e mban armën drejtuar nga Izraeli, por e di se nëse hap një front të dytë tokësor, ai do të rrezikonte asgjësimin nga Tsahal. Netanyahu kërcënoi se do të “shkatërronte” Libanin, nëse Izraeli sulmohej nga territori i tij.

Lexo po ashtu:  Gjukanoviq ia bën bajat Irinejt: Kosova e pavarur është interes i yni nacional, s’kemi ç’flasim

Presidenti iranian Raisi shkroi në X (ish-Twitter) se Izraeli në Gaza “e ka kaluar vijën e kuqe dhe kjo mund t’i detyrojë të gjithë të ndërmarrin veprime”. Por interesi i Iranit për momentin duket se është konsumimi i Izraelit, duke mbajtur presionin e lartë nga ana e përfaqësuesve të tij. Jo vetëm Hezbollah. Por edhe milicitë pro-iraniane në Siri dhe Irak, dhe mbi të gjitha Houthit në Jemen, të cilët javën e kaluar lëshuan raketa drejt Izraelit dhe që në të kaluarën kishin goditur disa objekte nafte në Arabinë Saudite, me raketa me precizion të lartë.

Prandaj, Irani, me pëlqimin e heshtur të Rusisë dhe Kinës, duket se synon një mbytje të ngadaltë të Izraelit, duke e shtrënguar atë në një kontroll kërcënues, në vend që të hapë një front të dytë, i cili do të çonte në një përshkallëzim të pashmangshëm me pasoja të paimagjinueshme për gjithë Lindjen e Mesme.

Por edhe mbajtja e siguresës të ndezur për një kohë të gjatë, siç duket se dëshiron të bëjë Teherani, sjell rreziqe të mëdha shpërthimi. Kjo është arsyeja pse Arabia Saudite, e cila e sheh në rrezik axhendën e saj ambicioze të modernizimit, të quajtur “Vizioni 2030”, e cila përfshinte gjithashtu një normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, po lëviz në çdo drejtim për të parandaluar përshkallëzimin e luftës izraelito-palestineze në gjithë Lindjen e Mesme.

Lexo po ashtu:  Shqiponja, simboli i Perëndisë

Edhe Erdogan ka propozuar “mekanizmin e tij të sigurisë rajonale” për të parandaluar përhapjen e konfliktit. Por duke pasur parasysh paparashikueshmërinë dhe paqartësinë e personazhit, i cili propozohet si ndërmjetës në çdo krizë, është e vështirë të kuptohet nëse ai lëviz në interes të paqes apo më shumë me ambicien për të rikthyer Turqinë në lavditë e Perandorisë së vjetër Osmane. / Paolo Garimberti – La Repubblica (bota.al)