Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” është “Zgjedhja e Udhëtarëve” edhe për vitin 2023 në Tripadvisor.

Tripadvisor jep çmimin “Zgjedhja e udhëtarëve” për akomodimet, atraksionet dhe restorantet që fitojnë vazhdimisht vlerësime të shkëlqyera nga udhëtarët dhe renditen në 10% më të mirë të destinacioneve turistike në Tripadvisor.

Muzeu “Shtëpia me gjethe”, i hapur më 23 maj 2017, është një nga muzetë më të veçantë në Shqipëri, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit.

Është quajtur “Shtëpia me gjethe” për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj. I pozicionuar në qendër të Tiranës, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.

Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe “Shtëpia me gjethe” për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe përbënte një mister.

Lexo po ashtu:  "Rri urtë, o Dhëmbja ime, dhe bëju m’e duruar" - Poezia e Bodlerit në shqip nga Lasgush Poradeci

E konceptuar në 9 seksione, muzeu përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion  të veçantë. / atsh /