“Fëmijët nuk duhet t’u lihen algoritmeve”
OSLO – Qeveria e Norvegjisë ka prezantuar këto ditë versionin e përditësuar të këshillave kombëtare për përdorimin e ekraneve nga fëmijët, duke theksuar se prindërit dhe të rriturit mbajnë përgjegjësinë kryesore për një rritje digjitale të sigurt.
– Fëmijët tanë nuk duhet t’u lihen vetëm algoritmeve dhe kompanive të teknologjisë, deklaroi ministrja e Fëmijëve dhe Familjes, Lene Vågslid (Partia e Punës), në një njoftim për shtyp.
Këshillat u prezantuan fillimisht në qershor të vitit të kaluar, kaluan në konsultim publik dhe tani janë përditësuar me disa pika të reja, pas më shumë se 3.500 komenteve dhe sugjerimeve të marra nga qytetarët dhe institucionet.
Internet vetëm nën mbikëqyrje për fëmijët nën 12 vjeç
Një nga risitë më të rëndësishme është rekomandimi që fëmijët nën 12 vjeç të mos kenë akses në internet pa mbikëqyrje dhe kontroll prindëror. Në rast se një fëmijë duhet të ketë telefon celular, prindërit këshillohen të vlerësojnë me kujdes se cilat funksione janë vërtet të nevojshme.
Një tjetër pikë e re është se të rriturit duhet të shmangin përdorimin e ekranit gjatë ushqyerjes me gji, me biberon dhe gjatë vakteve në përgjithësi.
“Na kanë frikësuar rrëfimet e prindërve”
Ministri i Shëndetësisë, Jan Christian Vestre (Ap), theksoi se takimet me prindërit gjatë muajve të fundit kanë qenë tronditëse.
– Ajo që prindërit tregojnë për atë që fëmijët shohin, përjetojnë dhe për atë që kanë akses, më ka frikësuar, tha Vestre, duke nënvizuar nevojën për më shumë vetëdije mbi përmbajtjen që u shfaqet fëmijëve në ekran.
Ai kritikoi gjithashtu sjelljen e të rriturve:
– Nuk është aspak shoqërore që gjatë vakteve familjare të gjithë të jenë me kokën në telefon. Çfarë shoqërie jemi bërë! Ne mund të bëjmë më mirë, u shpreh ai, duke rikujtuar se prindërit janë model për fëmijët.
Kufijtë e rekomanduar të kohës para ekranit
Sipas këshillave të reja kombëtare, koha e përdorimit të ekranit në kohën e lirë duhet të jetë e kufizuar:
- Fëmijët nën 2 vjeç: rekomandohet të shmangin plotësisht ekranet. Edhe të rriturit pranë tyre duhet të kufizojnë përdorimin e telefonit.
- Fëmijët 2–5 vjeç: maksimumi 0.5 – 1 orë në ditë.
- Fëmijët 6–12 vjeç: maksimumi 1 – 1.5 orë në ditë.
- Të rinjtë 13–18 vjeç: maksimumi 1.5 – 3 orë në ditë.
Gjithashtu rekomandohet:
- të mos përdoret ekrani për të qetësuar fëmijët kur ata janë të mërzitur,
- të shmangen ekranet gjatë vakteve,
- të mos ketë televizor apo tablet në sfond,
- të mos ketë telefon apo tablet pranë shtratit,
- dhe të shmanget përdorimi i ekranit një orë para gjumit.
Qeveria norvegjeze thekson se këto masa kanë për qëllim të sigurojnë një rritje digjitale më të shëndetshme dhe më të sigurt për brezin e ri.
