NA U VRA LUFTËTAR “KAVAJA”.
Historia e Indrit Carës, që braktisi Londrën për çlirimin e Kosovës

Nga Shpëtim Golemi

Sqarim: Ky shkrim u shkruajt disa ditë më vonë se u vra oficeri i UCK-së nga Kavaja, deshmori Indrit Cara, për shkak se po atë mbrëmje të 31 marsit 1999 filluam luftimet për të shpërthyr rrethimin ku kishi rënë rreth 150 mijë popullsi nga gjithe Kosova Qendrore në malet e Berishes e te Cernaleves. Shkrimi iu dërgua redaksisë së gazetës së Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, gazetarit Afrim Imaj, i cili e botoi qysh të nesërmen e mbritjes te gazeta e përditshme “Shekulli”, datë 14 prill 1999. Ai botim ishte edhe njoftim për familjen e Indrit Carës në Kavajë.

Historia e Indrit Carës, që braktisi Londrën për clirimin e Kosovës
Së bashku me Bislim Zyrapin, shefin e SHP të UCK-së, shkuam në zonën e Pashtrikut. Ishte agimi i datës 21 mars 1999, kur mbritëm në bazën e asaj zone operative. Porsa zbritëm nga makina na dolën përpara dhe na nderojnë 4 djem të rinj. Pasi u prezantuan, na thanë se vinin nga Anglia. Njëri prej tyre, një djalë shumë i hijshëm, më tërhoqi vemendjen nga theksi i shqipes dhe mënyra e nderimit, dhe menjëherë e pyeta se nga ishte. “Jam nga Kavaja, dhe shtoi, por edhe për ju më kanë thënë se jeni prej andej”. “Po”-i thashë- “andej jam”. M’u hodh në qafë e më puthi. Prej atij moment filluam t’i flisnin me emërin “ushtar Kavaja”. Më shpjegoi se kur u mbyll shkolla e Bashkuar e Oficerave , ai pati qenë student në vitin e dytë për artilier kundërajror dhe u detyrua të emigranrte. Pas disa vitesh peripeci, më së fundi kishte përfunduar në Londër, ku pati marrë më pas edhe vëllanë e tij, Dorin.
“U lidha me shokët kosovarë dhe vendosëm të vijmë për të luftuar për Kosovën. Me këtë rast përfundoj dhe shkollën ushtarake” –më tha dhe qeshi. “Prej momentit që ju keni vendosur të vini në luftë, ju e keni kryer akademinë ushtarake dhe sot jeni oficer”, i thashë dhe e përqafova. Duke ecur, një prej oficerëve të lartë të UCK-së më tha: “Ata kanë shprehur dëshirën të shkojnë në zonën e Podujevës, pasi kanë shokët e tyre atje, por kavajasin tënd, po deshe, mbajeni në kompaninë e ruajtjes së shtabit”. “Faleminderit, i thashë, por nëse ka dëshirë le të shkoi atje ku dëshiron, me shokët. Por mirë është të qëndroi në kompaninë roje të Shtabit të Përgjithshëm”. Pa mbaruar mirë fjalën, Bislimi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i cili e dëgjoi bisedën, u kthye nga unë buzagas dhe, duke imitur Mato Grudën te filmi “Njeriu me top”, tha: “Atë e di unë!’, dhe pas pak shtoi: “Ashtu le të bëhet!” M’u bë shumë qejfi, pasi kisha dëshirë ta kisha afër Indritin, pasi më hyri shumë shpejt në zemër…
Kur u ktheva pas disa ditësh, e gjeta përsëri te baza ku u takuam për herë të parë dhe më shpjegoi se do të qëndronte në kompaninë e shtabit. Atë natë fjetëm në të njëjtën banesë të fshatit, në Kostrec.
Në mëngjes, kur po ndaheshim, më tha se atë ditë do të shkonte në kompaninë e shtabit. U përshëndetëm duke i thënë: “Pushka top!”
Kur zhvilloheshin luftimet në zonën e Pagarushës, në 31 mars kishim kërkuar përforcime dhe ishte vendosur që të dërgohej një prej togave të kompanisë së shtabit, meqenëse shtabi ishte shpërndarë nëpër zonat operative për të qenë sa më afër vijës së luftës, që të jepte ndihmesën e vet.
“Kavaja’ nuk ishte pjestar i asaj toge, por ishte lutur që të shkonte e ta komandonte ai atë togë, duke u thënë: “Jam mërzitur duke qëndruar pa luftuar”. Nuk ia prishën dëshirën.
Toga erdhi shumë shpejt me tre xhipa. Kur shoh në krye të saj “Kavajën”! Nuk desha të ishte “Kavaja”. E përqafova dhe i thashë: “Ne të lamë atje që të stërvitësh luftëtarët..”. Por ai e kuptoi dhe më ndërpreu, duke më thënë: “Pse, për të ngrënë fasule kam ardhur unë në luftë?!”…
Pasi u dhashë detyrën luftarake dhe udhëzimet, ata filluan t’i ngjiteshin malit të Gallushës.
Atë mbrëmje unë u ktheva në bazën e përherëshme të Shtabit të Përgjithshëm dhe porsa hoqa rrobat e lagura dhe u ula pranë zjarrit, pyeta dhe për “Kavajën”. Më sqaruan shkurt se ku kishin luftuar. Nuk fola, pasi e dija ku ishin pozicionuar, por me vete iu luta Zotit që të delte sa më mirë në luftimin e tij të parë.
Ishte mesnatë, por ne vazhdonim në shtab të punonim.
Erdhi një oficer i kompanisë së shtabit dhe raportoi se toga e shtabit u kthye.
“A patëm humbje?”, pyeta si i paduruar.
“Po”, më thanë, por duke hezituat të përmendnin emërin e të vrarit. Dyshova dhe kërkova emërin. Më sqaruan se ishte Indriti. “E kemi sjellë me vete”, më thanë, por unë nuk e mbajta dot veten, qava me ngashërim, si një fëmijë.
Në dhomën ku punonim ishte vendosur qetësia. Dikush më hodhi dorën krahëve dhe më tha disa fjalë ngushëlluese, por unë as nuk dëgjoja dhe as mundesha të flisja. Pasi e mora veten u ngrita, vesha xhaketën,, mora automatikun dhe i thashë oficerit se doja të shkoja. “Nuk bën, – më tha,- “Kavajës” i ra predha e mortajës serbe në trup…”.Por unë këmbëngula. Kështu që u nisëm nëpër borë, në mes të errësirës.
Kur arritëm shokët e tjerë e kishin pastruar trupin e tij. E pashë në fytyrë. Dukej sikur nga buzëqeshja donte të më thoshte: “Mos u mërzit, kështu e ka lufta!” U përkula dhe e putha në ballë, duke i thënë: “Lamtumirë Kavaja!” Do të ta marrim hakun!”
Ndjeva dobësi trupore dhe për të mos u turpëruar, u ktheva menjëherë nga ana tjetër. Duhej të bëheshim gati për luftimin e radhës.
Lexo po ashtu:  Një histori ullinjsh dhe kaktusesh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *