Nga Blerta Ahmeti

Në natën në mes të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në Veri të Mitrovicës, “Rojat e urës”, serb, vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq.

Plagosën shumë të tjerë dhe dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë nga shtëpitë e tyre, duke u detyruar të kalojnë në pjesën jugore të qytetit, duke i lënë pas shtëpitë e tyre në flakë.

Sot 22 vite pas, kësaj ngjarje tragjike, kujtojmë Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) të cilët kishin thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.

Banorët e Mitrovicës e kanë ende të freskët përjetimin e këtyre ditëve, të cilët u dëbuan nën plumbat e serbëve e gazin lotsjellës të KFOR-it të cilët mundoheshin të neutralizonin situatën dhe në të njejtën kohë ndihmonin evakuimin e “sigurtë” të grave e fëmijëve.

“Serbët na kishin rretheku në të gjitha anët, prej banesave s’mujshim as me dalë, sa KFOR-i, Policia, nuk kishim mënyrë për me gjetë”, fillon rrëfimin nën lot e emocione Violeta Hyseni, një vajzë e re nga Mitrovica e cila u dëbua bashkë me familjen e fqinjët, nga ndërtesa ku banonte në lagjen ‘7 shtatori’, në veri të Mitrovicës.

Lexo po ashtu:  Dje ndodhi maskarada politike, historia do t’i gjykojë ata që e sollën këtë ditë

“Janë 200-300 polic e KFOR-i, menxi kemi arritë me dalë tu na shajtë e tu na maltretu, tu na thënë ju jeni terrorist kemi me ardhë me ju pre”.

“Krejt na u kanë kërcënu në mënyrë të ndryshme, në sy të KFOR-it, po në sy të KFOR-it”, vazhdon rrëfimin Hyseni duke u përgjigjur në pyetjet e një gazetari i cili bashkë me kamerakamin kishin dalë në vend të ngjarjes për të parë nga afër zhvillimet që po ndodhnin.

“Një njeri i ka ra babit tim, një serb e ka rreh babin tim në sy të KFOR-it”.

“Faik Hyseni, është babi im atë e ka arrestu KFOR-i sot, se dje ka ndodhë një incident në ndërtesën tonë, është plagosë një serbe dhe disa të tjerë, ata serbët ju kanë thënë që babi im ka lidhje me atë rast dhe erdhën e arrestuan babin tim edhe një djalë tjetër në banesë”.

“I morën ata, në ndërtesën tonë tre vetë i kanë arrestu”.

“Dje një e sot dy. Kanë hy me na bastis KFOR-i edhe dje edhe sot”.

Lexo po ashtu:  “Vizita e shefit rus të Sigurisë në Beograd, alarm për destabilizimin e Ballkanit”

“Krejt dyert e ndërtesave janë të thyera, në lagjen 7 shtatori, tri ndërtesat”, tregon Hyseni.

“Këtu nuk keni siguri, dilni bashkë. Nuk na ka siguru KFOR-i”, thoshte një vajzë e mitur e cila akoma nuk e dinte se ku i kishte prindërit.

“Qe dy ditë prej serbëve po vuajmë, për banesa. U munduam mos me i lëshu gati ishin tu na pre, na kanë hi brenda”, tregon nën lot një grua e moshuar e cila vazhdon rrëfimin për gazetarin duke thënë se “askush s’na ka këqyr me sy”, se lëre më t’u ndihmoj.

Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit 2000 janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.

Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MUP-i i Serbisë, në krye me ish-komandantin, Dragan Delibashiç, politikanin tashmë të vrarë serb Oliver Ivanoviç dhe të tjerë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 shpalli fajtor Ivanoviçin me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Lexo po ashtu:  Shtyhet afati për dy javë për lirimin e ndërtesës së Komunës në Mitrovicë që po e shrytëzon Serbia

/Albanianpost/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *