“Agresioni rus në Ukrainë është një kërcënim për gjithë Evropën”.

Me këto fjalë nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka nisur ministeriali i ministrave të Jashtëm të vendeve të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Së bashku me ta, në mbledhje marrin pjesë edhe aleatë shumë të rëndësishëm si vetë Ukraina, Finlanda, Suedia, Gjeorgjia, Australia, Japonia, Zelande e Re dhe Koreja e Jugut.

 

E gjithë qasja që NATO ka ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe ndaj politikave që duhet të ndjekë kundrejt Kremlinit, do të jenë temë diskutimi me dyer të mbyllura në sesionin e parë të ministerialit.

Deklaratat përpara takimit nuk kanë qenë të shumta, por domethënëse.

Dmytro Kuleba, kryediplomati ukrainas, ishte i pari i cili mbërriti në takim, ku mbajti edhe një fjalë të shkurtër, së bashku me Stoltenberg.

 

“Armë, armë dhe armë”. Nuk ka kërkesë tjetër më të rëndësishme nga Kievi sipas tij.

Sanksionet, po ashtu, duhet të vijojnë.

“Nevoja urgjente e Ukrainës, mjaftueshmëria e armatimeve dhe zgjidhja afatgjatë, do të jetë ndihma, që Ukraina të fitojë”, shkroi Kuleba më pas në Twitter.

Lexo po ashtu:  Andin (Ukshin) Hoti largohet nga PDK-ja

Ishte më pas përfaqësuesi i lartë i Politikave të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, i cili në vija të gjera, deklaroi se “Rusia duhet të izolohet, ndërsa Ukraina të ndihmohet”.

Përpara gazetarëve, Borrell e ritheksoi faktin se ai dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojnë Kievin në ditët e ardhshme, ku do të kenë një takim të drejtpërdrejtë edhe me presidentin Volodymyr Zelensky dhe ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm.

 

“Do ta shohim situatën më qartësisht dhe do të kemi një pasqyrë konkrete të asaj çfarë po ndodh”, bëri me dije Borrell. “Gjëja më e rëndësishme është që të vijojmë të vendosim Rusinë nën presion”.

Sipas zëvendëspresidentit të KE-së, është me interes të perëndimit të përqendrohet në çështje praktike dhe të vëzhgojë nga afër aktivitetin në Ukrainë.

Pjesë e takimit, si anëtare e alencës, është edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *