Aleatët evropianë janë gjithnjë e më të shqetësuar për angazhimin e SHBA-ve ndaj NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca ushtarake transatlantike do të përgjigjej me gjithë forcën në rast të ndonjë sulmi.
“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Polonisë dhe territorit të NATO-s në përgjithësi, nëse dikush gabon në llogaritje dhe mendon se mund të sulmojë Poloninë ose ndonjë aleat tjetër dhe të shpëtojë pa pasoja, do të përballet me gjithë forcën e kësaj aleance të fuqishme,” deklaroi Rutte gjatë një konference për shtyp me kryeministrin polak Donald Tusk, gjatë një vizite në Varshavë.
“Reagimi ynë do të jetë shkatërrues. Kjo duhet të jetë e qartë për Vladimir Vladimirovich Putinin dhe për këdo tjetër që dëshiron të na sulmojë,” shtoi Rutte, duke lavdëruar Poloninë për shpenzimet në mbrojtje, që arrijnë në 4.7 për qind të PBB-së – përqindja më e lartë në aleancë.
“Të mos harrojmë se Rusia është dhe mbetet kërcënimi më serioz për aleancën tonë. Mos harrojmë se Rusia po kalon në një ekonomi lufte,” theksoi më tej Rutte.
Nga ana e tij, Tusk nënvizoi rëndësinë e NATO-s për sigurinë e Polonisë: “Është shumë e rëndësishme për ne të dëgjojmë angazhimin se NATO do ta mbrojë Poloninë në çdo situatë kritike,” tha ai, duke iu referuar nenit 5 të traktatit, që garanton mbrojtjen kolektive.
Këto deklarata vijnë në një moment shqetësimi në rritje brenda aleancës, për shkak të qëndrimit të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj NATO-s, si dhe përçmimit të shfaqur publikisht prej tij dhe zyrtarëve të tij të lartë ndaj Evropës.
Megjithatë, Rutte këmbënguli se marrëdhënia transatlantike mes SHBA-së dhe Evropës është “shtylla e aleancës” dhe kjo nuk po ndryshon.
Polonia e ka bazuar sigurinë e saj gjithashtu mbi marrëdhëniet e ngushta me SHBA-në dhe ka qenë shumë e kujdesshme për të mos e provokuar Trumpin.
Por ekziston një shqetësim i thellë për negociatat e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, të cilat po drejtohen nga administrata amerikane – një proces që, sipas Tusk, “ne si Poloni dhe NATO mund ta ndikojmë vetëm në mënyrë shumë të kufizuar, për të mos thënë aspak.”
“Ne, si Poloni dhe si NATO, duhet të jemi të përgatitur për skenarë që nuk i kemi shkruar vetë,” tha ai.
Polonia është një aleat kyç i Ukrainës, dhe mbijetesën e saj e sheh si thelbësore për sigurinë kombëtare. “Askush nuk dëshiron paqen më shumë se ne. Por vetëm një paqë e drejtë mund të na japë të gjithëve një ndjenjë sigurie. Është kusht për sigurinë e Polonisë, të Evropës dhe të NATO-s,” tha Tusk.
Ndërkohë, Polonia po forcon edhe më shumë mbrojtjen e saj, duke investuar 2.3 miliardë euro në iniciativën “East Shield” – një seri fortifikimesh në kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë – projekt që është mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian. “Polonia po merr përgjegjësi të plotë për sigurimin e kufirit të saj lindor, që është njëherazi edhe kufiri i BE-së,” deklaroi kryeministri polak.
Si Rutte, ashtu edhe Tusk do të udhëtojnë drejt Parisit, ku Presidenti francez Emmanuel Macron do të presë të enjten liderët evropianë për një samit tjetër për Ukrainën.