Në qytetin bregdetar të Vlorës nisën sot festimet dyditore në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës.

Këto ditë nderimesh nisën me përurimin e bustit të njërit prej njerëzve më aktiv të historisë së Vlorës, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, Osman Haxhiu.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha në ceremoninë e organizuar se “jam i nderuar që më takoi mua të jem pjesë e këtij përvjetori historik të Vlorës, për të kujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, siç është Lufta e Vlorës së 1920”.

“Këto dy ditë nderimesh të personaliteteve bosht të këtij vendi, i nisëm me përurimin e bustit të njërit prej njerëzve më aktiv të historisë së Vlorës, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, Osman Haxhiu, që më vonë do të bënte një karrierë të shkëlqyer si Kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” të Luftës së Vlorës, delegat në kongresin e Lushnjës dhe deputet në parlamentin Shqiptar”, theksoi Leli.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “bashkë me deputetin Vullnet Sina dhe kryetarin e shoqatës ‘Armeni’, Shpresim Kasaj, çelëm këtë maratonë aktivitetesh që do të vijojnë deri në mbrëmje me ardhjen e kryeministrit Edi Rama”.

Lexo po ashtu:  Alternativa e Ramës: “Ballkan i hapur”, ose luftë dhe gjakderdhje”

Po ashtu, ditën e sotme u promovuan disa prej librave historikë dhe u zhvillua Konferenca Shkencore Kombëtare “Lufta kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e pavarësisë”.

Në aktivitetet e zhvilluara ishte i pranishëm edhe Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, i cili shprehu nderimet e larta për këtë ngjarje historike dhe prezantoi librin “Prefektura Gjirokastër gjatë Luftës së Vlorës” të historianit Shyqyri Hysi, libër i botuar me mbështetjen e institucionit të Prefektit të qarkut Gjirokastër.

Ndër të tjera, Aliaj u shpreh se “institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër ka iniciuar vazhdimisht botimin e veprave, të cilat nxjerrin në dritë fakte rreth historisë sonë kombëtare”.

Aktivitetet festive do të zhvillohen dhe ditën e nesërme dhe do të përfundojnë me ceremoninë përkujtimore, me pjesëmarrjen e autoriteteve të larta të vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *