Nga Preç Zogaj

Hapjen e listave e propozuan të parët dhe e vunë si kusht për të votuar marrëveshjen e 5 qershorit deputetët rebelë të PD-së dhe LSI-së që nuk patën pranuar të digjnin apo të refuzonin mandatet.

Pa votën e tyre kjo marrëveshje nuk mund të miratohej.

Ata e përdorën këtë rast të rrallë për të imponuar një ndryshim cilësor mjaft të rëndësishëm në ligjin tonë zgjedhor: deputetët të mos zgjidheshin më sipas renditjes së kryetarit të partisë, por sipas votës së zgjedhësve. Nuk ka patur e nuk ka rëndësi të dihet nëse e bënë këtë për krenari, për të thënë se jemi edhe ne këtu, apo për llogaritë e tyre politike të së nesërmes, apo thjesht të motivuar nga një interes publik. Jeta politike njeh plot raste kur këto motive ndërthuren. Ajo që mbetet është vlera e produktit.

Deri në momentin kur u pa qartë se këta deputetë nuk do të lëshonin pe për listat e hapura, PS nuk e kishte fare në llogari prekjen e listave të mbyllura. Madje përfaqësuesi i saj në tryezën politike, zoti Damian Gjiknuri, ishte dëgjuar të thoshte më herët se hapja e listave është antikushtetuese! Nga ana tjetër, PD dhe zoti Basha, ndërsa ishin deklaruar në vijimësi prej disa vitesh për rikthimin në sistemit mazhoritar ku qytetarët zgjedhin pastër mes kandidatëve rivalë, por nuk e shihnin oportune për ta shtruar kësaj radhe këtë preferencë, u duken të pa interesuar në fillim për hapjen e listave.

Pas këtij momenti, zoti Rama dhe zyrtarët e lartë të PS-së e përqafuan propozimin e listave të hapura si një zbulim dhe e propaganduan si një eureka, duke e gjetur në përputhje me opinionin e shumicës dërmuese të qytetarëve, të nëntëdhjetë e nëntë për qind prej tyre, thanë disa herë. Gjë që ishte e vërtetë dhe kishte qenë e vërtetë edhe kur ata nuk e donin hapjen e listave, por tani që e donin po e përsërisin si refren vullnetin dhe të drejtën e popullit për t’i zgjedhur vetë përfaqësuesit e tij në Kuvend. Ku paskemi qenë më parë? ishte antistrofa kësaj retorike. Antistrofë që po rezulton hipokrite në dritën e projektit të fundit të PS-së për t’u futur “mish dhie” listave të hapura duke mbajtur pjesën e luanit për lidershipin, njëlloj siç është që nga viti 2009 e këndej, e duke u lënë zgjedhësve një kockë sa për të mos u turpëruar fare meqenëse e kanë nxjerrë llafin se listat do të jenë të hapura. Përtej teknikaliteteve, që rëndom formulohen për të kuptuar sa më pak ose mundësisht asgjë mes cicmic-eve e hilerave politike, përkthimi popullor i tërheqjes së socialistëve nga lënia pastër e renditjes së deputetëve në duart e zgjedhësve është ky që parashtruam më lart.

Lexo po ashtu:  Izraeli kërkon të ndryshojë ekuilibrat e fuqive. Por, historia e ka një paralajmërim

Folën e folën gjatë gjithë verës në emër të asaj që duan qytetarët, e ngritën në apogje vullnetin e dhe të drejtën e popullit për të zgjedhur deputetët, tani hedhin në agorën politike (akoma jo në Kuvend) një projekt që e driblon këtë të drejtë, pra hanë fjalët që kanë thënë. Si për të provuar se lavdet e tyre për popullin ka qenë lajkatare dhe thjesht janë përdorur për të goditur opozitën si antipopullore kur kjo s’po fliste për listat e hapura. Nga momenti kur opozita shpalli propozimin për hapjen njëqind për listave këto llogari ranë.

Nuk është e re dhe nuk çudit më fakti se Rama me të tijtë janë populistë në retorikë dhe pragmatistë në qeverisjen reale, në kuptimin që çdo gjë e bëjnë për pushtetin. Zgjedhin atë që u leverdis pa u menduar dy herë. Tjetër thonë, e tjetër bëjnë- lista e fakteve është e gjatë. Ky i fundit me listat e deputetëve nxjerr në pah më qartë se herë të tjera një mendim tipik të kastave në pushtet dhe drejtueseve autoritarë që e shohin popullin si një gjë abstrakte, mendim që nuk nënkupton respektin apo kultin për individin e lirë, çfarë do ta zbuste dhe baraspeshonte njëfarsoj të parin, por një si republikë të fansave e cila përfaqëson një shmangie të rrezikshme nga republika e qytetarëve. Më e keqja akoma, sprova për t’u tërhequr nga listat e hapura pasi janë premtuar me bujë, rikthen zakonin për kontrollin deri maniakal të zgjedhjeve, për kalimin e tyre në vrimë të gjilpërës, duke mos ua lënë në dorë zgjedhësve. Në fakt, kur qytetarëve u merren me lloj-lloj marifetesh juridike edhe zgjedhjet, që janë fuqia e tyre e vetme, demokracisë, në rastin me më të mirë, i mbetet vetëm emri.

Lexo po ashtu:  Nëse ky është njeriu i Amerikës...

Zhvillim normal nuk mund të ketë. Kjo është Shqipëria. E kjo do të vazhdojë të jetë nëse fantazitë e sëmura, shoqëruar me përpjekje dhe nisma konkrete për t’i zhvendosur zgjedhjet nga arena e popullit në tryezat dhe prapaskenat e politikanëve do të bëhen realitet. Ka një teori sipas së cilës sa të ekzistojë dhoma e fshehtë qytetarët e kanë mundësinë të bëjnë ndryshimin me votë. Dhoma e fshehtë, që nënkupton votimin e fshehtë, është vërtetë zemra e zgjedhjeve të lira. Ajo i ka kursyer civilizimit revolucione dhe lumenj gjaku. Në parim nuk përjashtohet që dhoma e fshehtë t’i mundë manipulimet dhe marifetet e panumërta që synojnë mbylljen e lojës zgjedhore në tavolinë, shndërrimin e votimeve në një formalitet dhe fasadë të demokracisë. Zgjedhësit e kanë mision patriotik e moral të votojnë siç duan. Së paku në dhomën e fshehtë janë të lirë të gjithë. Por po ta zgjidhte çdo gjë dhoma e fshehtë nuk do ishte nevoja për aq shumë dispozita e masa ligjore që në lidhjen e tyre kanë si objektiv realizimin e zgjedhjeve të lira, të barabarta, të ndershme. Siç janë sot punët në vendin tonë zgjedhësit nuk e kanë të lehtë, madje e kanë të vështirë, nuk do të thosha akoma të pamundur, të marrin në dorë fatin e tyre. Kam parasysh establishmentin e rëndë për madhësinë e vendit, ngulur thellë kudo; kam parasysh pandëshkueshmërinë në sferat e larta, e patrazuar ende nga drejtësia e re; kam parasysh strukturën e elektoratit të mbetur, që duke u zvogëluar kontrollohet gjithnjë e me lehtë. Shto këtu marifetet e fundit për tu lenë zgjedhësve çelësat e kashtës. Duhet një program i veçantë për të rritur vetëbesimin e zgjedhësve. Po kjo është temë për një shkrim tjetër. Të qëndrojmë në temën e këtij shkrimi. E zorshme të imagjinohet që projekti socialist i mbylljes de fakto të listave, duke i lënë me demek të hapura, nuk ka bekimin eRamës qoftë edhe për testuar reagime. Kryeministri është thirrur në kauzë ta refuzojë “kurorën” që i riofrohet, nga e cila pati deklaruar se hiqte dorë kur tha që deputetët t’i rendisin qytetarët me votë. Duhen zgjidhje të qarta. Ose lista të mbyllura pa u fshehur prapa gishtit, ose hapja e tyre e plotë. Zgjidhjet hibride janë më të këqijat. Rama duhet të dijë se në Kuvendin e Shqipërisë ka shumë deputetë që nuk janë votuar ndonjëherë me emër e mbiemër në jetën e tyre. Të gjithë që nga i pari , që është vetë Rama, duhet të guxojnë të gjykohen me votë popullore. Kjo është rruga për të kultivuar përgjegjësinë politike.

Lexo po ashtu:  Koment i BILD ZEITUNG: Putini sot është armiku ynë

PD dhe opozita bëjnë mirë që ngulmojnë në hapjen njëqind për qind të listave. PD e ka elektoralisht në favor konkurrencën brenda llojit nga i pari tek i fundit i listës. Konkurrenca si e tillë, brenda një kornize etike të detyrueshme për t’u zbatuar nga kandidatët, shton dhe mbron vota, pra bën pikërisht atë që i duhet më shumë opozitës. Zaten, socialistët dhe Rama në krye të tyre për këtë i kanë spërdredhur fjalët për listat e hapura. Sepse nuk u dalin llogaritë dhe sepse nuk kanë aleatë. Ndaj kërkojnë formula që zbehin e, pse jo, anulojnë konkurrencën dhe diversitetin e shëndetshëm në kampin kundërshtar. Thënë ndryshe i duan edhe kundërshtarët të ngrirë dhe vetanakë si veten. Nga kjo pikëpamje dua të përsëris se PD-së i shkon dhe i duhet të hedhë sinjale bashkëpunimi e afrimi me gjithë individët, grupet e subjektet që kanë dalë nga radhët e saj në rrethana të caktuara, por që kanë si kauzë hapjen e listave dhe zgjedhjet e lira./Gazeta Liberale/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *