Ne i vrasim të gjithë në jetë, miku im!

Ne i vrasim të gjithë në jetë, miku im: Dikë e vrasim me plumba, dikë me fjalë, një tjetër me vepra… dhe dikë tjetër e vrasim duke mos bërë asgjë, me gjërat që duhet t’i kishim bërë! |Dostojevski|

Sa të drejtë kishte Dostojevski kur e tha këtë. Kjo më erdhi ndërmend kur pashë videon e dhunës së disa punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj një minoreni. Dukej si një geto ku ata të lagjes kishin kapur një spiun të zonës tjetër në territorin e tyre. Muhabete bosash.

Po këtë herë ishin bosa të veshur me rrobat e shtetit. O bosa që supozohet se paguheni me taksat tona, duhet të ndalni dhunën! Imagjino të të preken fëmijët e tu, si reagon meqënëse dhunove një të mitur për thyerje orari. Po ju jeni bosa! Nuk keni frikë! Ju dhunoni në mes të rrugës, në mes të ditës, në dritën e diellit. Kjo është të jesh bos! Të mos kesh frikë të veprosh si tiran publikisht. Po të jesh bos nuk vjen nga asgjëja. Vjen nga mbështetja, prandaj e dini që nuk jeni vetëm. Ti nuk je rastësisht aty! Me shumë mundësi ke eksperienca dhe precedentë të mëparshëm dhe asgjë s’të ka ndodhur. Kush e di sa ke dhunuar ashtu: gra, fëmijë, pleq, burra të pafajshëm… Se ju o bosa ata dhunoni, dorën tuaj nuk e prekni, e respektoni! Se ti e di o bos se maksimumi do jetë duke të hequr nga puna.

Lexo po ashtu:  Të varfërit në lagjen më të pasur të Tiranës…

O bos! Të dhunosh një minoren është krim. Por nëse je veshur me rrobat e shtetit e bën krim mbi krim. E di sa bosa ka aty si ty? Por nuk është faji juaj! Ju veproni si bosa dhe pjesa tjetër ju duartroket. Askush nuk ka guximin të futet të ndërhyjë. Askush nuk futet. Bëjmë luftën e minjve, jo të burrave. Prandaj je bos, ti o bos! E sa të kesh ne qytetarë që paguajmë për uniformën tuaj ju do ngeleni bosa! Veç mos e bëni kaq mire detyrën tuaj me një minoren me biçikletë, por përdoreni bosllëkun tuaj për ata që të rrotullojnë gomat e makinave luksoze përpara hundës suaj dhe bëjnë krime të vërteta. Më ler t’iu kujtoj që ajo është puna juaj. Ndoshta ti nuk e lexon këtë. Jo vetëm ti, por bosat si ty, nuk lexojnë e ndoshta nuk dinë as të lexojnë. O bosa, o bos po ti do plakesh. Po lë fëmijët e tu të rritur në dhunë të jenë pjesë e kësaj bote ose si të dhunshëm ose të dhunuar. Mendon se fitove nga kjo botë? Jo o bos, jo! As unë që po të shkruaj, por të siguroj se as ti nuk je bos i dhunës. Ti mbjell dhunë e dhunë do gjesh. Populli është mësuar tashmë dhe e di që nuk kërkohet drejtësi në vendin e padrejtësive.

Lexo po ashtu:  Amerika nga këndvështrimi i politikës ditore shqiptare - Krijimi i rrënës në publik dhe shitja e saj si e vërtetë

Të dashur qytetarë! Në vendin e bosave ligji është si rrjeta e merimangave: Kap insektetet e vogla, lë të mëdhenjtë e mbrojtur dhe drejtësia ka kohë që është e verbër.

(Ky artikull nuk përgjithëson në mënyrë absolute ata që realisht bëjnë punën e tyre në Policinë e Shtetit! Është specifikisht për videon e dhunës që pamë).

Silvana BEGAJ
#shperndaje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *