Nga Jacques Rancière

Contretemps riboton një tekst të Jacques Rancière, tekst i botuar fillimisht në Médiapart. Autori analizon dhe reagon për sa i takon tjetërsimit aktual të laicitetit dhe lirisë së shprehjes.

***

Atentati i pështirë i kryer kundër mësuesit Samuel Paty prej një krimineli të fanatizuar ngjalli indinjatë po njësoj sa dhe tmerri që mbartte. Gjeneroi po ashtu një numër të madh komentesh dhe pohimesh që dëshmojnë një rrëmujë të frikshme, lidhur veçanërisht me nocionin e lirisë së shprehjes dhe shfaqjeve të saj.

Dhe kjo ka ndodhur ngaqë që prej disa dhjetëvjeçarësh është zhvilluar një ligjërim i emërtuar republikan që ka shndërruar sistematikisht nocionet juridikë, të cilët përcaktojnë raportet e shtetit me qytetarët, në virtyte moralë që qytetarët duhet t’i kenë, pra në kritere që lejojnë të stigmatizohen ata që nuk i kanë.

Operacioni nisi me nocionin e laicitetit. Laiciteti i regjistruar në parimet e kushtetutës sonë nënvizon se shteti nuk arsimon mbi asnjë besim fetar dhe nuk i lejon asnjë feje të ndërhyjë në organizimin e arsimit publik. Ky nocion nuk është i regjistruar në kush e di cilin tharm të republikës. Republika e tretë e detyroi si të tillë që t’i jepte fund kontrollit të mësimdhënies publike prej Kishës katolike, gjë që ishte vendosur me ligjin …. e Republiës së dytë. Nocioni u bë i detyrueshëm duke i porositur mësimdhënsit po ashtu të mos bënin asgjë që mund të lëndonte besimin fetar të nxënësve të tyre.

Është e qartë në fakt se laiciteti që përkufizon paanshmërinë e shtetit në lëminë fetare nuk mjafton për me rregullu raportet mes besimtarëve dhe jo-besimtarëve, dhe as mes anëtarëve të besimeve të ndryshëm. Ajo çka mund të përplotësojë është virtyti i mirëfilltë që mund të gjallojë sjelljet e individëve: toleranca, e cila merr kuptim vetëm duke qenë reciproke.

Lexo po ashtu:  Bloomberg synon blerjen e 'Dow Jones' dhe 'Washington Post'

Ideologët e rinj të laicitetit e kanë tjetërsuar krejt kuptimin e këtij nocioni. E kanë kthyer në rregull sjelljeje që shteti duhet t’iua imponojë nxënësve të vet, nënave të tyre dhe në fund edhe grave të mbarë shoqërisë. Detyrimi laik njësohet kësisoj me ndalimin e një mënyre veshjeje, ndalim diskriminues meqë ka të bëjë vetëm me gratë dhe vajzat e një komuniteti specifik besimtarësh dhe që vendos kësisoj kundërvënien frontale mes virtytit laik të udhëhequr nga ligji republikan dhe tërësisë së ndonjë mënyre jetese.

Sot po ndodh diçka e të njëjtit rend rreth nocionit të lirisë së shprehjes. Kjo liri, e shprehur përmes ligjit të 29 korrikut 1881, është liria e gazetarëve përballë pushtetit të shtetit, pushtet që shprehej nëpërmjet censurës ose detyrimit të autorizimit paraprak. Ligji thotë se gazetarët dhe aktorë të tjerë të opinionit publik mund të shpërndajnë shkrimet e tyre pa kontrollin e ndonjë autoriteti epror, veçuar rastet e përgjegjësisë para drejtësisë në rastin e kryerjes së krimit apo shkeljes nga abuzimi me këtë liri, veçanërisht krimin e shpifjes. Ligji thotë se shkrimet mund të qarkullojnë pa lejen e shtetit, por nuk u jep këtyre shkrimeve asnjë virtyt të mishërimit të lirisë së shprehjes dhe as nuk e kthen këtë liri në parim që lejon të gjykohen vetë shkrimet.

Lexo po ashtu:  NYT, 1913: Pse e krijoi Austria Mbretërinë e Shqipërisë, sot në pritje të një Princi dhe me kryeqytet Elbasanin

Shkrimet – dhe mundësisht vizatimet – që qarkullojnë lirisht nuk e shpalosin ama lirinë e shprehjes. Ato shpalosin vetëm idetë dhe gjendjet e autorëve të tyre, dhe pikërisht këto të fundit gjykohen prej lexuesve, po ashtu sipas ideve dhe gjendjeve të këtyre të fundit. Po morëm për shembull rastin e karikaturave të Muhametit dhe – madje duke lënë mënjanë karakterin poshtërues që gjejnë disa në to – ato nuk shprehin asnjë virtyt imanent të shprehjes së lirisë. Dhe as nuk janë të drejtuara për nga nxitja e dashurisë për këtë lloj lirie. Ato shprehin mes të tjerash ndjenjën e përbuzjes të shpirtave që, ngaqë mendojnë se i përkasin ndonë elite të ndriçuar, ndjejnë dhe duan të komunikojnë në lidhje me fenë e popullatave që i gjykojnë të prapambetura.

Kriminelë të fanatizuar pretenduan se po hakmerreshin ndaj kësaj përbuzjeje me ekzekutimin e përbindshëm të gazetarëve të Charlie-Hebdo. Por, po aty u vu në lëvizje një mekanizëm ideologjik pervers. E meqë tmerri që pësuan gazetarët i ktheu këta në dëshmorë të lirisë së shprehjes, vetë karikaturat u bënë mishërimi i kësaj lirie.

Përgjithësisht karikatura, e cila historikisht u shërbeu kauzave më të larmishme, përfshirë këtu edhe ato më të pështira, u bë shprehje supreme e kësaj lirie që, nga ana e saj, edhe vetë ishte asimilim brenda një virtyti, atij të fjalës së lirë dhe kotësimit, e atribuuar si e drejtë prej lindjes popullit francez. Dhe shprehja supreme e lirisë së shprehjes u njësua përfundimisht me shprehjen e përbuzjes për sa i takon besimit të një komuniteti praktikantësh që konsiderohen si të huaj për këtë virtyt francez. Lavdet për karikaturat u bënë kësisoj një detyrë kombëtare.

Lexo po ashtu:  Gazetarët e pasur, nuk janë gazetarë të sinqertë, ata janë aktorë të dëmshëm politik dhe rrogëtarë të mirë të pushteteve

Politikanë të pandërgjegjshëm apo haptas provokatorë nuk nguruan të kërkojnë që të tilla karikatura të shfaqen në të gjitha shkollat. Gjë që do të thotë se po kërkohet kudo të rritet hendeku që ndan komunitetet, se po ndihmohet propagandimi i intolerancës dhe se po i jepet rast vrasësve duke iu garantuar një mbështetje më të gjerë për krimet e tyre në një komunitet që po bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm ndaj fyerjes.

Ka ardhur ndoshta koha të thuhet, përkundrazi, se një karikaturë është vetëm karikaturë, se këto karikatura janë mediokre dhe shprehin ndjenja mediokre dhe se asnjëra prej tyre nuk meriton që jetët e gazetarëve, mësuesve dhe tërë atyre që bëjnë përdorim publik të fjalës të gjenden të ekspozuar për hir të tyre para marrëzisë së vrasësve. Ka ardhur gjithashtu koha t’i kthehen lirisë, për të cilën aq shumë burra e gra kanë flijuar dhe flijojnë ende jetën e tyre në tërë globin, simbole më të denjë se këto karikatura. /Në shqip nga Elvis Hoxha/RrugaPress/

Linku i shkrimit në frengjisht: https://www.contretemps.eu/a-propos-de-la-liberte-dexpression/?fbclid=IwAR1-N4AeeO8C3lGp34Qnf63CqLd3vKzUiYlifYbyPBvuDfJCU9NXNAfNGFE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *