Në m`a dhënç moj bel` e hollë,
Do të thyej si mënjollë,
Do të shtryth posi një mollë.

Në më arthç o moj në hije,
Do t`i puth prej dhembshurije,
Do t`i skuq t`i ndes qirije,
Do t`i nxi t`i bëj mavije
Ato buzë gjak-qershije.

Në të marça moj përherë,
Do të shtroj të parën herë,
Do të ngroh të dytën herë,
Do të puth të tretën herë

Buzë-e gushë-e gjinë-e mjerë
Dh` atë shtatin që mban erë
Posi luleja në verë:
Gjer sa gjumi të m`të zerë,
Të m`të zerë-e të m`të flerë
Syr` i urtë si mëshqerë.

Vate dimri,vate vera,
Vate vjeshta përngahera.

Trim më more-edhe më shtrove,
Trim më ngrove-e më pushtove,
Trim më puth-e më mbarove,
Trim o trim seç trimërove!

Trimi ç`paske dhëndëruar,
Vasha ç`paske nusëruar,
Zotin ç`paskan lavduruar,
Jetën ç`paskan trashëguar,
Shpirtin ç`paskan shentëruar.

| Lasgush Poradeci |

Lexo po ashtu:  Kurbeti, - "Obobo! sytë ç’më panë! Tha Mitrua si i marrë. Pash gruan me jaranë, po tani do t’ju bëj varrë! Do t’u bie me kobure, t’i lëshoj në shesh shondure. Mua të më vënë brirë!” Tha, dhe goditi të birë! Mëm’ e zezë ulëriti, pushtoi djalën dhe briti, po Mitrua nuk priti, pushka krisi dhe një herë, ra përmbys dhe mëm’ e mjerë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *