Stina e plazhit është në prag dhe ti ende nuk ndihesh gati. Të gjithë kërkojmë të kapim perfeksionin dhe të gjithë dëshirojmë të dukemi bukur edhe në plazh. Nëse nuk ke ardhur në formë akoma, duket sikur je vonë! Në fakt koha fluturon, por ka shpresë. Nëse ti je nga ata, që më herët nuk ke frekuentuar asnjëherë palestër, atëherë është krejt normale që, shumëçka të mos e dish; ose nuk është çudi që ti dish gabim. Ne kemi kërkuar ndihmën e një prej instruktorëve më të kërkuar në kryeqytet, i cili duket se palestrën e ka shtëpinë e tij të dytë. Jurgen Shehu na tregon konkretisht se çfarë duhet të bëjmë, nëse shkojmë për herë të parë në palestër.

Nga duhet t’ia nisë një fillestar në palestër?

Këshilla e parë dhe që unë mendoj se nuk duhet neglizhuar është fakti se ju duhet të merreni me trupin tuaj çdo ditë të vitit. Nuk duhet të funksiononi si orë me zile. Ju duhet të kapni kohën, atëherë kur është tepër vonë, ndaj duhet që çdo ditë t’i kushtoni vëmendje asaj çfarë hani,; minutave të ushtrimit fizik si edhe stërvitjes së mendjes. Gjithsesi, asnjëherë nuk është vonë. Mund të jetë tani koha e duhur për të filluar dhe ndoshta, këshilla më e mirë në këtë rast është që t’i vini vetes qëllime të qarta, por edhe objektive. Në këtë mënyrë, ju do konturoni atë çfarë vërtet doni por nëse “qëndroni me këmbë në tokë” nuk do të zhgënjeheni nga rezultatet, ndaj, hyni në palestër me dëshirën për të kapur qëllimin tuaj. Mos u shkurajoni dhe më pas këmbëngulni, pa u dorëzuar. Sapo të filloni palestrën ju vetë do kuptoni që i keni mohuar vetes një kënaqësi që askund tjetër nuk mund ta merrni. Nëse ushtroheni rregullisht do filloni të keni nevojë të pashmangshme për të. Do t’ju mungojë palestra edhe në ditët e pushimit, ndaj duhet të mos e mendoni dy herë. E rëndësishme është, po ashtu që  të mos kërkoni rezultate të menjëhershme, brenda javës, apo brenda muajit. Jo, sepse nëse fiksoheni, këtu do të zhgënjeheni dhe nuk do të gjeni forcën për të vazhduar, ndaj qëndroni objektivë! Mos u dorëzoni!

Lexo po ashtu:  Këto 3 shenja s’do të tregonin kurrë sekretet tuaja

Të krijosh shoqëri në palestër që në ditët e para, të ndihmon apo të shpërqendron nga qëllimi?

Kjo është diçka personale. Nuk ka rregulla standarde për të gjithë. Ka persona të cilët, nëse gjejnë miq në palestër stimulohen më shumë dhe ushtrohen po ashtu, më tepër. Ka të tjerë, pastaj, të cilët vënë në plan të parë miqësinë (hera-herës romantike) dhe harrojnë qëllimin, se përse kanë ardhur, por e theksoj: nuk ka rregulla për të tilla raste. Çdokush mendon e vepron ashtu sikundër zgjedh vetë dhe përgjithësimet nuk funksionojnë. Gjithashtu, si instruktor, mua më pëlqen që në palestrën time të funksionojmë si një komunitet; si një familje. Ndajmë me njëri-tjetrin eksperienca dhe mendime personale. Kështu duket sikur ti je i rrethuar me njerëz që të duan dhe nuk të gjykojnë për kilet, pamjen apo mungesën e forcës. Gjithsesi këto janë ndjesi totalisht personale. Nuk ka rregulla në këto rrethana.

Nga eksperienca juaj, çfarë keni dalluar? Ku gabojnë më shumë ata që frekuentojnë palestrën për herë të pare?

Lexo po ashtu:  Për të qetësuar mendjen dhe fjetur mirë, ja si duhet ta lyeni dhomën e gjumit

Gabimi që unë e kam hasur dendur është fakti që ne druhemi të kërkojmë ndihmë. Hera-herës sillemi sikur dimë gjithçka, por në fakt gabojmë. Duhet të kërkojmë ndihmë dhe të pranojmë sugjerimet e profesionistëve që janë në palestër. Ndonjëherë, të ushtrohesh fort nuk mjafton. Të gjithë e dimë që secili nga ne ka nevojë për ushtrime specifike, të personalizuara  për të arritur qëllimin, që edhe ky i fundit është personal, ndaj nëse ju jeni të hapur ndaj çdo këshille dhe nuk hezitoni të kërkoni ndihmë, ju siguroj që do e keni më të lehtë. Gabimi tjetër që unë e has dendur është sforcimi. Janë shumë ata të cilët vijnë në palestër dhe që ditën e parë kërkojnë të bëjnë të gjitha ushtrimet duke e tepruar. Kjo sjell lodhje dhe asgjë tjetër. Nëse ushtrohesh më rëndë, duke kapërcyer veten, nuk do të thotë që do humbasësh më shpejt kilet apo do formosh më shpejt muskujt. Jo, aspak! Çdo gjë duhet të vijë gradualisht, pa u sforcuar dhe pa kapërcyer kapacitetet që keni. Nuk jemi të gjithë njësoj të fuqishëm. Nuk jemi të gjithë njësoj rezistentë. Jepini vetes kohë!

A është gabim të dorëzohesh?

Po! Të dorëzohesh është gabim dhe, më shumë gabim është të ndalosh palestrën për muaj me radhë; të fitosh përsëri kilet e padëshiruara dhe më pas të fillosh përsëri ushtrimin në palestër, apo të pranosh apriori që “ky është trupi juaj, nuk keni ç ‘bëni”. Unë këmbëngul dhe ua them të gjithëve: “stërvitja, ushtrimet fizike, palestra, apo alternativa të tjera duhen pasur parasysh çdo herë.” Ato duhet të kthehen në rutinë ashtu sikundër ushqimi, higjiena personale apo zakone të tjera pa të cilat nuk jetojmë dot. Nëse vërtet e doni veten tuaj kini parasysh që, sikundër zgjidhni ushqimin, të gjeni edhe kohën për ushtrim fizik. Është një zakon i domosdoshëm. Vetëm ata që e kanë provuar mund të më kuptojnë, ndaj i sfidoj të gjithë, të provojnë një rutinë të tillë e të kuptojnë më pas nevojën dhe domosdoshmërinë e aktivitetit fizik.

Lexo po ashtu:  Lëngu i limonit forcon sistemin imunitar dhe atë tretës – Ja si duhet pregatitur sipas ekspertëve

Konsumimi i të ashtuquajturave vitamina, apo suplemente është gabim apo një element ndihmues dhe i nevojshëm?

Në gjykimin tim, përdorini i suplementeve është gabim, madje gabim i përhapur masivisht. Unë i sugjeroj gjithkujt që të konsumojë fruta dhe perime. T’i marrin lëndët ushqyese prej tyre dhe jo prej disa kapsulave, që në fund të fundit kanë dalë nga fabrika. Sa më shumë ushqime të natyrës, e të tokës! Sa më shumë ujë është zgjedhja e duhur! Për mua, suplementet shtesë janë një gabim. Nuk ia këshilloj askujt!

Ka mendime që ushtrimi në natyrë (vrapi, apo ecja sportive) është më efektive dhe e shëndetshme se sa palestra. Cili është gjykimi juaj?

Gërshetimi i të dyjave është ideal! Truri ynë ka nevojë për oksigjen ashtu sikundër trupi ynë ka nevojë për ushqim. Një ecje në ajër të pastër, absolutisht jo në rrugë qyteti, ndihmon, si në rënien e kileve ashtu edhe në gjendjen tonë emocionale, por gjithmonë kaq nuk mjafton. Ne kemi nevojë për ushtrime specifike. Për shembull: për të larguar dhjamin në pjesën e barkut duhet të ushtrohemi në palestër. Për të krijuar muskuj në zonat e duhura, përsëri na vjen në ndihmë palestra, instruktori dhe domosdoshmërisht veglat në palestër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *