Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në Uashington, se Shqipëria është shumë e nderuar të jetë në këtë organizatë. Duke marrë fjalën në mbledhjen inauguruese të kësaj strukture të re ndërkombëtare, e krijuar për të adresuar situatën në Rripin e Gazës, kryeministri Rama falënderoi Presidentin Trump që ftoi Shqipërinë në këtë udhëtim. Kryeministri u ndal tek zërat që thonë se organizata është ngritur për të zëvendësuar OKB-në.

*Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes“, deklaroi kryeministri shqiptar.

Rama iu referua votimit në unanimitet në Kuvend të rezolutës për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Vota plotësisht e harmonizuar dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme, flet vetë për sa e nderuar ndihet Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese e kësaj organizate të re“, u shpreh Rama.

Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes po zhvillohet në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump”, në Uashington D.C., nën drejtimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me pjesëmarrjen e liderëve nga vende të ndryshme të botës. 

Lexo po ashtu:  Zhvejku i Beogradit kërkon diçka që e la vetë: Zgjedhje në Veri

Burimi: ATSH

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com