Nëse sëmundja vjen tek unë,
Ju mos më shpini në spital,
Më merrni fshehur e pa zhurmë,
Më ngjitni lart diku në mal.

Atje dyshek e shtrat nuk dua
Dhe as çarçaf e as jorgan,
Por tek një çezmë e tek një krua
Më shtroni dushk e jargavan.

Ma lidhni kokën me një kulpër,
Ma njomni buzën në burim ,
Dhe kur të vijē andej një flutur
S’ka gjë se rri mbi ballin tim.

As infermier nuk dua pranë,
As nevrolog , as profesor ,
Të kem përkrah një dash të bardhë,
Të kem përbri një cjap përçor .

Të m’i lëpijë faqet dashi,
Të qajë cjapi laraman,
Ta ulë sqepin shpejt larashi
Me mors të japë telegram .

Të presë plot trishtim fshatari
Në shkop mbështetur me mërzi,
Duke përtypur fije bari,
Duke këputur kullumbri.

Nga guvë e lisit të moshuar
Të derdhet bleta gjithë zgjim ,
Mbi trupin tim e turbulluar
Si lëmsh të sillet me tërbim.

Të ndalet udhëtari i mirë,
Të pijë heshtur një duhan ,
Të thotë: mjaft qëndrove shtrirë,
Për ty e gjora rrugë qan!

Lexo po ashtu:  Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

Dhe, ju betohem, po s’u ngrita
I madh , i bukur, plot shëndet,
Dhe rrugës sime nga u nisa
T’i them: më prit se po vij shpejt!…

Dritero Agolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *