Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk do të ketë orë shtesë policore në Kosovë me rastin e festës së Bajramit të Madh. Sipas MSH’së, masat aktuale të fazës së dytë do të vazhdojnë të mbesin në fuqi.

Faza e dytë e lehtësimit të masave për qytetarët e Kosovës që ka hyrë në fuqi më 18 maj do të vazhdojë edhe nesër kur besimtarët myslimanë festojnë festën e Bajramit të Madh dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk do të ketë orë shtesë policore.

“Festa e Bajramit të Madh është ditë festive dhe aludimi në masa të tjera përveç atyre që janë në fuqi dhe që vlejnë për të gjithë nuk është i drejtë. Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës gjatë gjithë Muajit të shenjtë të Ramazanit kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme duke bashkëpunuar me qëllim që ky muaj të kalojë në shenjë të përkushtimit për ruajtjen e shëndetit të njëri-tjetrit dhe në zbatim të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike lidhur me pandeminë Covid-19. Besimtarët e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre gjatë gjithë muajit për t’i zbatuar me korrektësinë më të lartë këto rekomandime dhe MSh beson se një mënyrë e këtillë e manifestimet të besimit do të tregohet edhe gjatë festës së Bajramit të Madh, për të cilën besimtarët janë udhëzuar, gjithashtu, edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës që të manifestojnë respekt dhe kujdes duke shmangur situata që ekspozojnë qytetarin para një rreziku siç është Covid-19”, thuhet në një përgjigje të MSH’së për T7, përcjell Gazeta Express.

Lexo po ashtu:  Kurti premton paga minimale mbi 350 euro për sektorin privat

Ndërkaq, Bashkësia Islame e Kosovës, ka marrë vendim që të mos ketë organizim të faljes së namazit të Fitër-Bajramit në xhamitë e vendit e as në hapësira të tjera publike.

Në vendimin e BIK-ut thuhet se nuk do të organizohet as pritje në selinë e këtij institucioni fetar, e as në selitë e këshillave lokalë.

Maqedonia e Veriut ka vendosur që nga nesër deri të martën të ketë orë policore. Ora policore do të vlejë nga ora 11:00 e ditës së diele deri të martën në ora 05:00.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë nga data 8 shkur deri më 22 maj, janë testuar 12 mijë e 818 persona të dyshimtë me koronavirus.

Prej tyre, pozitive rezultojnë 1 mijë e 25 raste ku nga ta 782 raste janë shëruar, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *