Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë për të lejuar punën e transportit ajror dhe rifillimin e punës së autoshkollave, i cili u bë i mundur pas vlerësimit të gjendjes epidemiologjike të cilën e ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi, ditën e nënshkrimit, ndërsa bëhet e ditur që kjo do të ndodhë nën masa strikte të mbrojtjes, në mënyrë që të mos përhapet edhe më shumë sëmundja ngjitëse,  COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në fillim të mbledhjes së radhës së Qeverisë së Kosovës, i propozoi kësaj të fundit që të hap aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” për udhëtarët.

Siç tha Zemaj, në transportin ajror do të lejohen vetëm vijat e rregullta të domosdoshme që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë dhe ruajtje të shëndetit duke pasur prioritet ruajtjen e shëndetit dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Kurse, të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, rekomandohen që të kenë testin negativ për COVID-19 jo më të vjetër se katër ditë.

Lexo po ashtu:  Sëmundja nuk ka filluar, këtu po shpallen heronjtë

“Me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i kam propozuar Qeverisë së Kosovës që të miratoj vendimin për rifillimin e transportit ajror në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike”, tha Zemaj.

Për transportin ajror dhe autoshkollat foli edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se kjo synohet të bëhet deri në fund të kësaj jave.

“I heqim barrierat për lejimin e transportit ajror edhe lejimin e punës së autoshkollave, pasi ka pasur një interes të shtuar publike ditëve të fundit. Synojmë që në fund të javës të fillojmë punës të transportit ajror dhe punën e autoshkollave”, ka thënë Abrashi.

Komunikata e Qeverisë:

Me vendimin e miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për shfuqizimin e:

1. Pikës 1. 7 të Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 me të cilin është ndaluar eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve;

2. Pika 1. 2 e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 me të cilin është bërë pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm;

3. Pika 5 e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 të datës 13 mars 2020 me të cilin është bërë pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në aeroportin e Prishtinës përveç fluturimeve ushtarake dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC).

4. Vendimi i Qeverisë Nr. 01/12 i datës 17 mars 2020 me të cilin është bërë plotësim ndryshimi i Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 të datës 13 mars 2020; dhe

5. Pika 1.5 e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 me të cilin aktivitetet publike dhe jopublike kanë mundur të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut si: ngjarjet sportive, tubimet, konferencat, tryezat e rrumbullakëta.

Me vendimin e aprovuar sot nga kabineti qeveritar rifillon transporti ajror dhe hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ”Adem Jashari” për vijat e rregullta të domosdoshme, që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë, duke pasur prioritet shëndetin publik dhe parandalimin e përhapjes COVID-19.

Obligohet Ministria e Infrastrukturës që të kompletojnë Udhëzimet administrative të Agjensionit të Aviacionit, protokollet e operimeve të transportit ajror, bazuar në mënyrë strikte në protokollet e EASA (European Union Aviation Safety Agency), rekomandimet e IKSHPK dhe Manualin për mbrojtjen nga COVID-19. Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 4 ditë. Vendimi hyn në fuqi nga data 28 qershor 2020.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe pjesëmarrjes aktive në aleancat ndërkombëtare të luftimit të grupeve terroriste, ka miratuar vendimin që Organizatën Globale Terroriste “Hezbollah” krahun e saj politik dhe ushtarak, ta shpallë organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.

Vendimi obligon organet përgjegjëse të sigurisë në Republikën e Kosovës që në pajtim me praktikat ndërkombëtare të ndërmarrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *