Nga Don Lush Gjergji

Të gjithë sot shohim, dëgjojmë, kemi njohuri, fatkeqësisht edhe përvoja të hidhëta të ndarjeve, largimeve dhe shkatërrimit të kurorës, me këtë edhe të familjes. Të gjithë shtrojmë pyetje, përse, si, deri kur do të jetë kështu, si dhe çështje tjera: a ka më kuptim martesa, familja, apo ndoshta duhet ta “gjejmë” ndonjë formë tjetër, si p. sh. bashkëjetesën, si alternativë të kurorës dhe familjes, apo edhe zgjidhje më rrënjësore, që mos të martohemi fare.

Për ata që ende besojnë në kuptimin e jetës, në dashuri, prandaj, në kurorë dhe në familje, pyetja është pak ndryshe: cilat janë shkaqet e ndarjeve, prishjeve të kurorës sot?

Nga studimet e shumta psikologjike, sociologjike, pedagogjike, psikiatrike, mund të themi kështu:

Shkaku i parë është mospërgatitja dhe mosaftësia për një jetë të re dhe ndryshe në kurorë, që kryesisht shpjegohet në dy mënyra:

  • karakteri tepër i fortë i çiftit martesor, që mbështet në egoizëm dhe egocentrizëm të tepruar: unë, unë dhe vetëm unë…;
  • mentaliteti hedonist, trupor dhe epshor i njeriut, që udhëhiqet vetëm në pasione apo impulse seksuale; objektivizmi apo vegëlsimi i palës tjetër, si një lloj “lodre”, “malli”, gjësendi;
  • mosaftësia për flijim, vuajtje, pritje dhe dëshira për zgjidhje të shpejta, pa kurrfarë këshillimi dhe udhëzimi.
  • Shqetësime apo tensione për gjendjen e re në martesë, që nuk i përgjigjet kërkesave, dëshirave, ëndrrave, synimeve, idealeve që i kemi krijuar, si dhe mungesa e lirisë dhe pavarësisë;
  • Stresi, si shqetësim në vazhdimësi, mungesë e kohës, bisedimit, dialogut, komunikimit, që njeriun e ngulfatë, ia merr kohën, ngadalë edhe zemrën dhe jetën.
  • Mungesa e komunikimit intim, trup, psike dhe shpirt, lodhja e tepërt në punë dhe në jetë, monotonia apo mërzia në jetën e përditshme, pa ndonjë risi, freski, befasi. Dashura është gjithmonë aktive dhe kreative, dhe nëse të mungon aktiviteti dhe kreativiteti, dije që së shpejti do ta hetosh që të mungon dashuria.
  • Mungesa e sinqeritetit, lidhja mendje, gojë, zemër, trekëndëshi për komunikim të mirëfilltë.
  • Dallimi i personalitetit dhe interesat e ndryshme, pa ndonjë gatishmëri për ballafaqim, ndryshim, begatim të ndërsjellët. Dikush martohet për t’i ikur vetmisë; dikush për të pasur fëmijë, për të plotësuar zbrazëtitë e jetës së mëparshme, për siguri në sëmundje dhe në pleqëri…
Lexo po ashtu:  “Kur Zoti krijoi babanë…” Një rrëfim që nuk duhet humbur

Dhjetë mënyrë për ta shëruar dhe ruajtur kurorën e martesës sot:

Komunikimi i plotë (trup, psike dhe shpirt), i qartë, sinqertë dhe vazhdueshëm mes çiftit martesor, me gatishmëri për bisedim, dialog dhe komunikim pa përjashtime dhe paragjykime apo hapja dhe përdorimi i të gjitha kanaleve të komunikimit.

Lidhja e vazhdueshme fizike, trupore,martesore, si shprehje e nderimit, falënderimit, miqësisë, dashurisë, si kërkim në dy, jo më në një – unë. Martesa ka një logjikë të thjeshtë dhe jetësore: uni drejtohet kah ti, dhe bashku krijojmë diçka krejt të re, shumë të bukur – ne. Prandaj unë – ti – ne, është formula magjike e jetës në bashkëshortësi.

Kalimi i kohës së bashku, kurdo dhe kudo të jetë e mundshme, për një relaksim sa më të mirë, si shëtitja, udhëtimi, loja, pushimi, argëtimi. Koha e përbashkët na mundëson dhe lehtëson edhe jetën e përbashkët, për t’u njohur, pranuar dhe dashur me mirë dhe më shumë ashtu si jemi, pa idealizime dhe nënçmime.

Marrëdhënie në dashuri, reciprocitet, që domethënë gjithnjë japim dhe gjithnjë marrim dashuri, si burim i pashtershëm për jetën martesore. Nëse kufizohesh vetëm në marrje, atëherë në një mënyrë je “hajn”,  sepse nuk jep asgjë dhe pretendon gjithçka; askush nuk mundet gjithnjë vetëm të jep,  as vetëm të marrë, por na nevojitet reciprociteti.

Lexo po ashtu:  Dallimi kryesorë mes mashkullit dhe femrës është: meshkujtë harrojnë por nuk falin. Femrat falin por nuk harrojnë.

Kërkimi i faljes dhe faljapa të cilat nuk ka fare jetë, edhe më pak jetë në bashkëshortësi dhe në familje. Kush nuk di apo nuk do të kërkon falje dhe të falin, nuk di as të jetojë, edhe më pak të jetojë në dashuri. Kjo është e pamundshme pa jetën e përbashkët shpirtërore, sepse gjithnjë jemi mëkatarë, pra, nevojtarë të faljes, dhe vetëm me fuqinë, jetën me Zotin kemi fuqi edhe të kërkojmë falje edhe të falim gjithmonë.

Marrëdhënia personi me person, para se të jetë ajo burri me grua, si njësi duke përkujtuar dhe përforcuar gjithnjë e më shumë arsyet e jetës së përbashkët. Në jetën e dashurisë, asgjë nuk ruhet në mënyrë pasive, me bllokim apo pasivizëm, por duhet gjithnjë te kemi motive të reja për të qenë së bashku, si fëmijët, edukimi i tyre, e tashmja dhe e ardhmja më e lumtur.

Kujdesi për vetveten në çdo kuptim, fizik, në pamje, veshmbathje, paraqitje, mënyrën e të folurit… psikik, në karakterin e qetë dhe të gëzueshëm, në vëmendje dhe kujdes për gjëra të reja dhe të bukura në bashkësi,  dhe shpirtëror, në përparimin e vlerave dhe virtyteve të krishtera, fesë, shpresës dhe dashurisë, për të qenë njëri për tjetrin gjithnjë risi dhe befasi e këndshme.

Lexo po ashtu:  Ai, ajo dhe gruaja tjetër: dashuria fatale midis Aristotel Onassis dhe Maria Callas

Vlerësimi i problemit ose problemeve me kohë dhe bashkarisht, që prej të voglës mos të vijë deri te e madhja. Si ushtrim mund të jetë edhe ky: “Ndalu para pasqyrës dhe shikoje vetveten. Nëse dukesh i lodhur dhe i mërzitur, ndoshta problem je ti”. Mos të ketë në bashkëshortësi “fshehtësi”, gjëra që “mbuloni”, fshihni, sepse ato një ditë mund të dalin në shesh dhe të shkaktojnë ndarjen e kurorës. Të keni gjithnjë e më shumë iniciativa dhe plane të përbashkëta, që u ndihmojnë që të jeni së bashku.

Fol për vetveten, e jo për të tjerët, me paragjykime dhe përgojime, që shkaktojnë  vetëm dëme dhe mëkate, duke dashur që tjetri të jetë gjithnjë bashkëbisedues dhe bashkëjetues. Trupi ndryshon me kohë dhe me moshë, por njeriu është një jetë në vazhdimësi. Atëherë fol, trego, komuniko si je, si ndihesh, çka të pëlqen, çka të pengon, çka të frikëson…

Fol për jetën dhe planin e përbashkët, për të kaluarën e bukur, të tashmen që e keni krijuar, dhe për të ardhmen që e pritni./MekuliPress.com/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *